“Koha Jonë”, në datat 6 dhe 7 korrik, të vitit 1994, publikoi një bashkëbisedim të Dritëro Agollit me Moikom Zeqon, “Dialog për poezinë dhe artin”, biseda është realizuar më 15 shtator 1993 në apartamentin e Dritëro Agollit në Tiranë.
“Përjetova një pasdite të paharruar, duke pirë kafe pa sheqer, si dhe raki gjysmë seriozisht e gjysmë me shaka, folëm për poezinë”, shkruan në hyrjen e këtij takimi Moikom Zeqo.
Biseda është regjistruar në magnetofon, është një dëshmi e fragmentuar, një mënyrë e veçantë të shprehuri dhe të arsyetuari lirshëm për poezinë dhe artin.
Në këtë bisedë të 30 viteve më parë, ajo çfarë shprehen dy prej personalitetet më të veçanta të poezisë dhe artit shqiptar, është një bashkëbisedim përmes të cilit ne shfletojmë historinë e poezisë dhe artit, jo vetëm atë shqiptare, por edhe botërore, aq sa mundet të jetë pjesë e një bisede, vijimësi e një komunikimi.
Biseda e realizuar më 20 qershor 1994 dhe e publikuar në dy numrat e “Koha Jonë” vijon:
Zeqo: – Këtu, në studion tënde, Dritëro, ka shumë piktura dhe libra. Të ngjan se poezia është e padukshme.
Agolli: Poezinë e bën të dukshme leximi.
Zeqo: Më shumë se sa leximi alfabetik.
Agolli: Padyshim. Poezia është lexim i alfabetit të shpirtit.
Zeqo: -Flitet shumë për universalitetin e poezisë.
Agolli: -Poeti është simbol i krijuesit të artit në përgjithësi. Rapsodi parahomerik është simbol i Homerit, ashtu si Homeri është simbol, jo vetëm i artit të fjalës, por dhe i arteve të tjera. Madje Homeri është edhe simbol i romancierëve të ardhshëm, që në kohën e tij nuk ekzistonin.
Zeqo: -Pra, simbol i simboleve!
Agolli:-Në art ka gjithmonë simbole të simboleve.
Zeqo: – Në këtë mbretëri apo univers të simboleve poeti është një demiurg.
Agolli: -Ta quash poetin demiurg është mënyrë e përsëritur përgjithësimi. Poetët janë të çuditshëm se bëjnë atë, që nuk e bëjnë njerëzit e rëndomtë. Të rëndomtit e ndjejnë këtë, po nuk identifikohen dot me poetët, vetëm u afrohen, vetëm i shijojnë krijimet, të mrekulluar prej tyre. Këtu nis admirimi për poetët.
Zeqo:-Admirim disa herë i kultivuar. Më saktë duhet thënë se ndërtohen mite të poetëve. A nuk është Homeri një mit? Po Shekspiri? Po ka edhe mite të miteve.
Nuk dihet emri i poetit që bëri Eposin e Gilgameshit. Ai është një mit i mitit të poetit. Në këtë rast historia dhe kronika është e përjashtuar, nuk ka fuqi, nuk flet dot. Në këtë poetogjenezë (nëse mund të artikulojmë një kalk të tillë!) ka shumë sekrete, që do të mbetet përherë në muzgun e skajshëm të fillimit të jetës njerëzore dhe të artit në përgjithësi.
Agolli: -Moikom, pritja e arkeologut të shtyn të tejkalosh kohët. Poetogjeneza është një figurë ashtu si vetë poezia. Sa e lashtë që është poezia aq është edhe e re. Sa herë lind një poezi në të ka edhe lashtësi edhe rini, më saktë foshnjëri, përherë një fillim të ri.
Zeqo: -Gjeneza e poetit është vetë gjeneza e poezisë.
Zeqo:-Kanë kufij konvencionale, të padukshëm, të lëvizshëm, të ndryshueshëm në një lojë mendore të pafund.
Agolli: – Po i mbush dy gota me raki. Le të pimë pak. Kjo e bën ndoshta më interesante bisedën.
Zeqo: Dritëro, keni famë të madhe jo vetëm si poet, po edhe si ithtar i lëngut të jetës, i ritit dioniziak.
Agolli: Pse, a nuk ka lindur Dionizi në Ballkan, a nuk jemi në vatrën e tij të stërlashtë? Çdo poet duhet të ketë diçka nga genet e Anakreontit. Është një poet i pavdekshëm.
Unë pi lëngun e distiluar, esencë të rrushit. A nuk është edhe poezia lëngu i distiluar dhe esencë e vreshtës së jetës? Këtë Khajami e ka shpjeguar shkëlqyeshëm.
Bile dhe prifti i përkorë dhe poeti i madh si Fan Noli, i pafrikshëm nga asketizmi ungjillor nuk nguron ta kuptojë e ta poetizojë shqip këtë mesazh që nuk humb. Një gotë raki i duhej Marathonomakut të Nolit dhe patjetër që nuk do të kishte vdekur nga lodhja, do të shpëtonte. Po rakia nuk qe shpikur akoma nga grekërit e vjetër.
Zeqo: -Ekzistonte vera Po aq e denjë sa rakia.
Agolli: -O, grekërit! Tërë ballkanasit bënin verë të mrekullueshme. Më vjen keq që s’kam mund të pi një gotë nga vera e Agamemnonit, ose e Kalimakut. Besoj i ngjante ambrozit të perëndive.
Zeqo: I’a kalonte. Ambrozi që prej lulesh, vera nga rrushi i bekuar. Ndryshim dhe estetik dhe jetësor. Perënditë nuk dinë të dehen, njerëzit po.
Agolli: -Prandaj njerëzit bëjnë poezi, kurse perënditë nuk bëjnë. Di ndonjë perëndi që të ketë krijuar ndonjë poemë, apo një roman, pikturë, apo të kompozojë një meshë funebre? Jo! Perënditë janë jashtë artit.
Zeqo: -T’i lemë të qetë perënditë. Arti është i njerëzve dhe për njerëzit. Arti është subjekt tërësor njerëzor. Providenca është subjekt mbinjerëzor. Nuk ngatërrohen, nuk përzihen, ashtu si vaji dhe uji në të njëjtën gotë.
Zeqo: -Dakord, po simboli është art dhe jo providencë. Simboli e shpall vetveten providencë. Në këtë rast providenca humbet, mbetet një ide e poetëve, tjetërsohet, është gjithashtu një krijim i mirëfilltë njerëzor.
Kozmogonia, ose teogonia janë bërë së pari nga poetët. Kjo nuk ka asnjë diskutim. Për këtë nuk kishte nevojë për asnjë kishë në kuptimin e sotëm.
Agolli: – Këtu është një enigmë e madhe e në këtë enigmë ka përherë art, përherë poezi.
Zeqo: – Pse e përqas Aristoteli poezinë me filozofinë? Vetëm nga shkalla e lartë e përgjithësimit madje dhe e karakterit abstragues?
Agolli: -Aristoteli fliste me kategori filozofike. Në fakt te çdo poet ka edhe një filozof, që nuk krijon me kategori filozofike. Filozoftë ndërtojnë sisteme, por dhe poetët ndërtojnë sisteme. Po këto ndërtime ndryshojnë në thelbin e vet. Këtu është dallimi.
Zeqo: -Dallimi midis poetëve dhe filozofëve është konceptual, por prapë janë të një race.
Agolli: -Eposi ynë i Veriut është gati si një sistem, pra tenton një autonomi, rri më vete, nuk përzihet me të tjerët. Poeti (ose kolektivi i poetëve popullorë në shekuj) është në këtë rast një konceptues sistemi. Pra, edhe një lloj filozofi.
Zeqo: -Kjo ndodh për tërë eposet mesjetarë të Evropës. Eposet janë pasaporta të individualiteteve të popujve në fundin e Antikitetit të vonë dhe në Mesjetën e Hershme.
Është si të thuash mbijetesa e universit të miteve antike të shmangur nga krishterimi, islamizmi. Kjo shmangie është njëkohësisht plot depërtime. Paganizmi politeist bashkëjeton me sagat e mëdha fetare monoteiste, duke bërë kompromise, simbiozë.
Agolli: Duket se edhe njëmbëdhjetërrokëshi i Eposit të Veriut ka një bazë antike, tepër të vjetër, është më afër hekzametrit. Po Eposi shqiptar është shumë pagan. Idolet monoteiste qoftë të krishtera, qoftë islamike nuk e zotërojnë dot.
Zeqo: Kjo shpjegohet me faktin historik se shqiptarët nuk kanë një fe unike, etniciteti i tyre nuk ka karakter fetar. ‘Pragmatizmi fetar i shqiptarëve i bën ata paganët më të skajshëm e të vonë të kontinentit. Cilësimin “pagan” e mendoj natyrisht në rrafsh konvencional të përgjithshëm.
Agolli: -Poezia jonë kombëtare nuk ka një dimension fetar të mirëfilltë. Ka segmente fetare si tematikë p.sh. Budi, Bogdani. Noli motivet fetare (biblike) i përdor si simbole bile edhe Naimi.
“Qerbelaja” është një histori më tepër se sa teologji lindore. Figura e Abaz Aliut është shqiptarizuar nga Naimi. Poeti ka shkruar dhe për Krishtin, ashtu si dhe për profetët kuranikë. Në poezinë naimiane emrat e perëndive janë thjesht personazhe që organizojnë lëndën letrare.
Zeqo: -Po poezia e ka megjithatë një lloj misticizmi të ndritur.
Zeqo: -Fjalët janë polisemantike në emërtimet e tyre. Kur përcaktojmë njëkohësisht edhe kufizojmë. Pra emërtimet nuk janë kurrë shteruese, absolute. Edhe përcaktimet për poezinë janë relative. Ne shpjegojmë, por nuk identifikojmë deri në fund.
Agolli: -Me emërtimet le të merren më tepër studiuesit. Poetët krijojnë, shkruajnë, bëjnë poezi. Ky është atributi i tyre.
Zeqo: – Le të kalojmë në diçka më konkrete. Je dakord?
Zeqo: – Pa hyrë në historinë ende të pashkruar si duhet të poezisë shqipe kush janë për ju poetët e saj më të mëdhenj?
Agolli: -Naim Frashëri si një kryemodel. Po edhe De Rada, Mjeda, Lasgushi…
Zeqo: -Përmendët Mjedën. Të tjerë do të lartësonin më shumë Fishtën.
Agolli: Mjeda është më poet se Fishta. Është më i kultivuar, më profesional, më fin, më interesant.
Zeqo: Me poemat si mozaik sonetesh për qytetet antike, Mjeda bën një eksperiment të çuditshëm: një tendencë për një mikroepos iliro-arbër. Këtë s’e ka bërë kush deri më sot veç Mjedës. Në këto poema kemi dhe një rikonstruktim të mitologjisë ilire.
Agolli: Fishta është një poet që duhet njohur patjetër. Ka për fat të keq shumë folklorizëm, shumë vargëzime e rima foljore, citime të këngëve popullore. Mjeda është i një dimensioni tjetër. Por gjithmonë është shfaqur në historinë e letrave shqipe më modest, më i heshtur, pa fare bujë e sensacione eseistike.
Mjeda është më i sigurt në modestinë e tij se sa Fishta në rikrijimin e një kulti të ri.
Zeqo: Mund të thuhet: Mjeda është Lasgushi i Veriut dhe Lasgushi është Mjeda i Jugut. Të dy kanë të përbashkët mjeshtërinë e lartë, profesionalizmin e habitshëm.
Agolli: Veç Mjeda ka më shumë lëndë sociale, ka më hapësirë në simbolet e tij.
Zeqo: Çudi! Në të gjitha kohërat dhe regjimet politike, Mjeda sikur është lënë mënjanë, pak si në heshtje, më saktë nuk është ngritur në atë lartësi që i përket.
Agolli: Kjo është e vërtetë. Po vlerësimi i një poeti si Mjeda kërkon në vetvete nga ata që e vlerësojnë më tepër kulturë dhe koncept estetik më të specializuar.
Agolli: Është i jashtëzakonshëm. Ai e modernizoi poezinë shqipe si askush. Ai është poeti më shpërthyes në tërë letërsinë shqipe. I papërsëritshëm, unikal.
Zeqo: Poezia e viteve ’60, që lidhet me emrin e Kadaresë, tëndin dhe të Arapit pati një novatorizëm të vërtetë, emancipues. Po a nuk u politizua pak si tepër?
Agolli: Pati politizim sidomos në vitet ’70. Po nuk është kjo kryesorja. Shumë politizim ka edhe poezia e Majakovskit, Brehtit, Nerudës, Cezar Vajehos, Ricosit, Nezvalit, Nazim Hikmetit.
Po varet se ç’kuptohet me këtë politizim. Që i kënduan komunizmit? Kjo ishte e pashmangshme në shekullin e XX. Komunizmi qe një ideal humanist, pavarësisht se sistemi politik i socializmit real degjeneroi në totalitarizëm. Po poetët janë diçka tjetër nga politikanët dhe arti nuk duhet barazuar me politikën.
Kush është më e rëndësishme te Araconi arti i tij i madh apo fakti që i besoi komunizmit?
Patjetër arti. Balzaku kishte pikëpamje monarkiste, por arti i tij është i pavdekshëm. Poezitë për komunizmin u konceptuan si një fuqi morale e së ardhmes si humanizëm dhe jo si e kundërta e humanizmit.
Më thoni në cilat poezi poetët e vërtetë, që besuan te komunizmi, thonë të përbuzet liria, dinjiteti, drejtësia? Ata i kanë dashur njerëzit të lirë dhe jo skllevër.
Ata nuk e kanë dashur kurrë skllavërinë, as si burokraci, as si shtypje e lirisë së mendimit. Dogma e realizmit socialist qe me pasoja.
Po talentet e vërtetë nuk futen dot në kallëp e as në skema. Tani që dogma e realizmit socialist nuk ekziston prapë krijohen mediokritete nga mediokrit, që janë përherë fatkeqësi e letërsisë. Mediokër do të ketë gjithmonë. Talentet i kapërcejnë kufizimet artificiale.
Shumë poetë mediokër, më të zellshmit e realizmit socialist, tani e shajnë e mallkojnë këtë metodë sikur ajo i kishte të gjitha fajet.
Dakord. Po pse tani nuk shkruajnë më mirë? Sepse talenti i tyre është i dyshimtë. S’kanë shkruar mirë as ahere, as tani. Të politizuar qenë ahere, të politizuar janë dhe tani. Dje ishin komunistë të tërbuar dhe tani antikomunistë të çmendur. Po ama vetëm poetë nuk kanë qenë dhe nuk janë.
Zeqo: Sidomos mësime duhen nxjerrë nga e kaluara.
Agolli: Mësimi kryesor është ai që thashë më sipër. Të talentuarit dinë ta gjejnë udhën të patalentuarit e humbin atë dhe e ngatërrojnë gjithmonë.
Zeqo: Sidoqoftë edhe tani shkruhet poezi.
Agolli: Shkruhet, po është e vështirë të spikatësh, të krijosh personalitet të fortë, të veçantë.
Zeqo: Poezia është modernizuar më tej. Është metaforizuar më shumë.
Agolli: Po ka edhe mungesë ndjenje, shpirti nuk duket, nuk zbulohet.
Zeqo: Interesant, pikërisht finesa dhe shpirti i bën të lexueshme deri në pafundësi poetët lirikë grekë, apo dhe poetët kinezë të lashtë. S’di pse midis vargjeve të Safos dhe të Li Bosë sikur ka lidhje, ndonëse nuk e kanë njohur kurrë njeri-tjetrin.
Agolli: I kanë rezistuar kohërave, shurdhërive, modave, marrëzive letrare. I ka përjetësuar shpirti njerëzor, pavarësisht nga përkatësitë etnike, apo dimensionimi në kohë e hapësirë.
Le të marrim poetët e vjetër kinezë. Janë të thellë dhe shumë modernë. Një poet prej tyre thotë: “ u hodh në lumë të përqafonte Hënën dhe u mbyt”. Ose “shëtis në kufijtë e shtetit të të vdekurve”, d.m.th. po plaket dhe i është afruar moshës së vdekjes. Ka qytetërim dhe një ndjenjë të hollë, të çuditshme.
Shpesh poetët e sotëm nisen nga modat. Meqë njeri ka suksese në diçka e imitojnë. Mirëpo nuk e kanë të brendshme. Nuk e kanë organike. Poetët marrin nga njeri-tjetri, po puna është se si duhet marrë dhe çfarë duhet marrë, për të mos humbur individualitetin, por përkundrazi ta skalitësh atë.
Prozatorët marrin më pak nga njeri-tjetri. Poetët e kanë mjelur dhe zhvatur tërë poezinë antike. Në poezi merr edhe nga realiteti ku jeton edhe nga realiteti i kulturës.
Zeqo: Për shembull Kostandin Kavafis. E tërë poezia e tij ngrihet nga realiteti i librave, i kulturës. Është për mendimin tim poeti më konceptual i Greqisë dhe ndoshta i Ballkanit. Poet i temave të helenizmit sinkretik, i persiatjeve erudite, i melankolisë dhe dilemave të bizantinizmit kulturor.
Kavafis gjen pika takimi me analogjitë e sotme kontradiktore. Poezia e tij “Ardhja e barbarëve” është tipike, si disa poezi konceptuale të Brehtit. Shumë pak poetë shkruajnë poezi konceptuale të tilla.
Agolli: E çuditshme, po pikërisht poezia konceptuale u mungonte p.sh. futuristëve. Ata deshën të bënin shpikje të reja, po më shpesh nuk arritën atë që synonin në manifestet letrare.
Zeqo: Kjo sidomos te Marineti. Kurse poezitë futuriste të Majakovskit janë tjetër gjë.
Agolli: Futuristët u kthyen në manieristë. Po kështu dadaistët, kurse surrealizmi ka mbijetuar më shumë.
Zeqo: Ju Dritëro keni përkthyer shkëlqyeshëm Bagrickin. Ky libër (“Nata e fundit”) ka ndikuar në poezinë shqipe për forcën e figurave dhe origjinalitetin e veçantë. Motivet e tij për Til Uleshpingelin, ose poema për detin dhe vikingët janë një mrekulli. Ndihet te ai bota israelite si lajtmotivet pikturike të njëjta te arti i Mark Shagallit. Është një poet më interesant për mua, më perëndimor se sa p.sh. Esenini.
Agolli: Bagrici dhe Bëmsi janë dy poetë që kanë ndikuar shumë te unë. Më vjen mirë që ma përmend Bagrickin. E kam dashuruar Iirizmin e tij. Është poet i madh dhe ka shkruar pak. Modem dhe rebel Bagricki rri midis Majakovskit dhe Eseninit dhe njëkohësisht është i ndryshëm nga të dy.
Bagricki ka qenë çifut me origjinë, po kishte lidhje me qarkun kulturor të Odesës, me shumë elementë të kulturës mesdhetare. Odesa ka patur kontakte me grekërit e vjetër, me kryqëzime kulturash. Qarku i Odesës është i njohur, se i ka dhënë artit p.sh. Isak Babelin.
Zeqo: Tregimet e Babelit për Odesën janë kryevepra. Janë më tragjike dhe të mprehta se sa proza e Shollohovit.
Agolli: Ti Moikom e di nga arkeologjia mitin e argonautëve me Pontin d.m.th., Detin e Zi, me Krimenë. Mund të thuhet se edhe Odesa ndërmjet këtij miti është ndërlidhur me botën e madhe kurdoherë. Poezia e Bagrickit për kontrabandistët grekë është tipike për këtë. Isak Babeh qe edhe luftëtar i madh revolucionar i kavalerisë së kuqe. Po një ditë u kap nga policia sekrete e Stalinit dhe u zhduk. E tmerrshme!
Zeqo: Faleminderit Dritëro për librin në frëngjisht, botim i Gallimardit, të Osip Mandelshtajmit që më dhurove para ca kohësh. Je i vetmi shkrimtar shqiptar që më ke dhuruar libra, nuk je cingun si të tjerët.
Dhe fati i Mandelshtajmit qe afërsisht si i Babelit. U persekutua. Kam lexuar poezinë në distikë që shkroi kundër Stalinit. Është poet i madh dhe me të drejtë në një ese novelisti, Josif Brodski e quan një “far intelektual”. I ke lexuar kujtimet e gruas së Mandelshtajmit?
Agolli: Kujtime tronditëse, më me kulturë se sa shumë lira të tjerë disidentësh.
Zeqo: Për Mandelshtajmin ka shkruar dhe Danillo Kishi.
Agolli: Nuk e kam lexuar atë që ka shkruar Kishi. Po gjatë studimeve të mia studenteske në Rusi i kam lexuar të tërë poetët e quajtur “dekadentë”. Sidomos shkrimtarët e qarkut të Odesës. Ka qytete që luajnë role të veçantë. Janë si të thuash “kozmopolite” dhe të hapura. Po shkrimtarët që krijohen aty nuk e humbin “adresën” e tyre. P.sh. ti Moikom ke patur fat të madh që je marrë me arkeologji.
Arkeologjia ka të bëjë me epokat me “kozmopolitizmin”, d.m.th. ndërfutjen e kulturave te njëra-tjetra. Arkeologjia të shtyn të merresh me gjenezat. Kurioziteti është shtysë e madhe e kulturës dhe artit në përgjithësi. Çdo njeri që nga “homo sapiensi” e deri në ditët tona rivlerëson dhe rizbulon vetveten.
Në këtë proces është tharmi i poezisë. Lexova një shkrimin tënd ku flisje për një hipotezë që emri i Dylqinës së romanit të Servantesit ndoshta ka lidhje me emrin e Ulqinit që në Mesjetë është thirrur edhe Dylqino. Interesante kjo temë dhe njëkohësisht poetike. Këtu lind fantazia, ndjenja, kërkimi dhe aventura e madhe e persiatieve.
Don Kishoti i Servantesit është një kryevepër e papërsëritshme. Te figura e Dylqinjës është sekreti i artit. Don Kishoti e zbukuron në vetëdijen e tij një vajzë të thjeshtë fshatare dhe e bën më madhështore se sa mbretëreshat. Pra e dylqinizon botën. Ky dylqinizim është vetë arti, është sekreti i transformimet, i përjetimit, i mesazhit universal.
Don Kishoti është i dyanshëm. Sa ireal, aq dhe realist. Kur Sançua u bë guvernator (ky është një truk natyrisht) Don Kishoti bëhet befas më realist se sa vetë Sançua që si fshatar e kishte të fortë sensin e realitetit në raport me Don Kishotin e dalldisur nga librat. Befas sikur ndërrohen rolet. Pushteti imagjinar e bën Sançon, Don Kishot, kurse arsyetimi e bën Don Kishotin një filozof iluminist. Këtu qëndron gjenialiteti i Servantesit.
A e ke lexuar librin e Gram Grinit “Monsinjor Kishote”? Është libër i mirë, po megjithatë larg librit gjenial të Servantesit. Le të marrim një romancier tjetër, mikun tim, Jashar Qemalin. Libri i tij “Mehmet Imcaku” mund të bëhet vetëm nga ai nga askush tjetër. Po pak shpikje të tilla ka.
Zeqo: Kur e pyeta njëherë në Stamboll Jasharin se kush është prozatori më i madh i Ballkanit e di se si mu përgjigj? Kaxanzaqi!
Agolli: Ka të drejtë. Është kolos. Romani “Zorka” nuk e shkruan dot njeri-tjetër. Ka edhe diçka homerike në të.
Zeqo: Ndoshta diçka aristofanike edhe tragjedi edhe komedi.
Agolli: Çdo libër i madh ka diçka nga librat e tjerë të mëdhenj.
Zeqo: Si e mendon zhvillimin e ardhshëm të letërsisë shqipe?
(Shkëputur nga arkiva e “Koha Jonë”, e datës, 5 dhe 6 korrik 1994)
Përgatiti: Albert Vataj
ObserverKult
Lexo edhe:
DRITËRO AGOLLI: EDHE UNË U DASHUROVA…
Poezi nga Dritëro Agolli
Hëna brirët lan në lumë, uji yllin e spërkat,
Unë sillem nëpër shelgje sonte natën fillikat.
Bulku fshehur pas një drize lumit iso po i mban,
Natë e viseve të mia mbushur plot me jargavan.
Si një rrahje flete molle një të puthur afër ndiej,
Sonte njerëz dashurohen tek ky mal nën këta qiej.
Edhe unë u dashurova dhe me jetën pata fat,
Ndofta edhe puthjen time e dëgjoi një fillikat.
Ndofta ndezi një cigare pranë shelgut tek ky vend,
Ndofta buzët i lëvizi dhe diç solli nëpër mend.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult