Dritëro Agolli: Grua, për ty u zura me Lekë Dukagjinin

E, dhembje kur sytë të hapësh, do të shohësh Romantikun e përjetshëm në xhame Dhe këngën e dashur do njohësh: "Ti çele herët, moj bajame!"

Grua, për ty u zura me Lekë Dukagjinin
E fjalë këmbeva në malet me fletë,
Po Lekë Dukagjini ishte trim e bir trimi
Dhe s’mundej dot lehtë…
Po Lekë Dukagjini nuk ishte Leka i Lecit,
Që bën njëqind lëshime në punë;
Lekë Dukagjini i rrepti i të rreptit
Ma tundte para syve kanunë
Dhe gjëmën lëshonte si shkëmbi kur bie në përrua:
“O mbaje gruan kështë si them unë,
O lëre gruan, se s’je për grua!”

2.

Grua, për ty u zura me Lekë Dukagjinin
Me gjyshin tim të nderuar;
Dhe pritë njëri-tjetrit i zinim
Në malet me shkrepa mbuluar…
Dhe unë here-herë i bëja lëshime
Dhe ty të mundoja dhe brënda të mbaja
Dhe jetën ta mbushja plot hidhërime
Sus!
Me zërin e egër të shaja
Se Lekë Dukagjini ma tundte kanunë
Dhe gjëmën lëshonte si shkëmbi kur bie në përrua:
“O mbaje gruan kështë si them unë,
O lëre gruan, se s’je për grua!”

3.

Grua, për ty u zura me Lekë Dukagjinin,
Se donte lëshime nga unë.
Pritë në male njëri-tjetrit i zinim,
Ai mburrte kanunë, unë shaja kanunë.
“Eh, gjysh, ti je hedhur për gratë në flakë,
Po pse në kanun i ke sharë?
Eh, gjysh, ti gruan tënde s’e ke dasht pakë,
Pse mua që e dua më quan të marrë?”

4.

Një ditë kanunin ja mora nga dora
Dhe copë ja bëra mes malesh të lartë.
Iu drodh ajo mjekër e bardhë dëborë
Pas çetinës së lashtë…
Dhe unë thirra:
E munda Lekë Dukagjinë!
(Natyrisht e munda kanunë;
I heq kapelën për trimërnë;
Ka qenë trim si furtunë…)
Ti, grua, më pyete e sytë të ndrinin,
Më pyete ngadalë mënjanë:
“Vërtetë e munde Lekë Dukagjinin?“
Dhe unë të thash: e munda, po sytë ç’më panë!

(Shkruar me 1967)

ObserverKult

Lexo edhe:

DRITËRO AGOLLI: KUR DASHUROHESHIM NË KOHËN TONË…