Dritëro Agolli: Kur dashuroja një grua…

"Poçari" poshtër agolli

Elona Agolli, e bija e Dritëro Agollit, së fundi në profilin e saj në Facebook na solli fragmente nga tregimi “Kur dashuroja një grua“ , tregim i vitit 1965, botuar në përmbledhjen  me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme“ , kritikuar dhe hequr nga qarkullimi…

Nga Dritëro Agolli

“ – Nuk e di pse Xhevdeti këtë radhë e priti ftohtë ardhjen tënde!- tha ajo, kur u çlodh një copë herë.

Unë e kuptova dhe e ndjeva se po skuqesha. Ndërsa sytë e saj, shikonin drejt në fytyrën time; sikur të ndiqnin provën e një eksperimenti në laborator .

– Ka shumë llafe këtu tek ne. Mjafton që një grua të jetë e pashme, të vishet bukur dhe do të dëgjosh për të historira të çuditshme. Kushedi ç’i ka rënë në vesh Xhevdetit të gjorë!

Unë shkunda hirin e cigares në tabake. Ajo vazhdonte të rrinte në kolltuk e çkujdesur, pa vënë re fustanin e ngritur mbi gjunjët.

-Megjithatë, unë do iki prej këtej. Këtu në këtë shtëpi, në mes të misrit dhe të jonxhës, më duket sikur ndodhem në një ishull të largët. Po, po, do shkoj në Tiranë, në Shkollën e lartë të aktorëve.

-Po Xhevdeti? – e pyeta unë.

– Edhe sikur ai të mos dojë, do të iki. Kam një teze në Tiranë, do rri me të.

-Më duket se është një hap i matur keq!- thashë.

-Hap i matur keq! E pse? Xhevdeti më duket se më mban fshehur nga njerëzit. Është njeri i mirë me shokët, po me mua… Unë mendoj se ai ka frikë të më njohë me njerëz. Jam bërë si e egër. I vetmi njeri që shoqërohem është gruaja e kasapit. Edhe ajo është një matufe. Çuditem si Xhevdeti krijoi me ty një shoqëri të tillë, duke të patur kaq besim , sa të të bëjë një mik familjeje. O , sa frikë ka se mos vallë unë me ndonjë shokun e tij…Ajo u ngrit.

-U freskua moti pak!- thashë unë , duke shikuar nga dritarja.

-Ju gazetarët i merrni tjetër për tjetër gjërat-tha ajo ashtu siç ishte më këmbë. -Mos keqkuptohemi. Unë nuk thashë se nuk më pëlqen ky vend. Këtu të gjithë kanë një punë. Im shoq është i dhënë pas bagëtive. Herë merret me mjekimin e tyre, herë përgatit në laborator barëra. Kurse unë nuk di ç’të bëj. Pa shih ç’energji kam! – dhe ajo qeshi duke shikuar trupin e vet. Edhe unë automatikisht ndoqa vështrimin e saj, duke e përshkuar me sy, nga gjoksi gjer nën gjunjtë. Më erdhi turp dhe ula kokën, se edhe ajo e vuri re që e shikoja. Në këtë kohë, macja e vogël erdhi edhe ia hodhi panxhën në këmbë. Donika bërtiti. Mua m’u qesh.

-Qënka lozonjare !- i thashë.

-Ç’lozonjare, se -tha Donika dhe u ul pranë meje për të marrë macen, po siç duket, humbi ekuilibrin dhe për pak ra, po të mos ish mbajtur tek unë. E ndjeva gjer në zemër dorën e saj. Edhe unë e humba ekuilibrin dhe ia vura dorën në shpatullën lakuriqe, pasi dekolteja ishte mjaft e hapur . E tërhoqa dhe ajo ra në gjoksin tim. Ndjeja frymëmarrjen e saj, ndjeja vlagën dehëse të buzëve, atë vlagë që i ngjante lëngut të frutit të qershisë së fillimit të qershorit…

Kur e mblodha veten, e kuptova se buzët e saj u larguan nga të miat. Donika vrapoi në guzhinë, duke lënë njërën sandale në mes të dyshemesë. U ngrita. Në cep të xhaketës sime varej macja e vogël e zezë. E tunda xhaketën që të binte, por thonjtë e saj ishin të mprehtë.

-Donika!- thirra unë, po shkoj pak nga klubi.

Ajo doli në prag të derës së kuzhinës.

-Shko, frikacak i vockël!- dhe qeshi.

Kjo ishte nga ato fjalët që thuhen me shaka, po që të thumbojnë.”

ObserverKult


gabimi nusja nga kosova dritëro agolli poezi observerkult

Lexo edhe:

KUR DRITËRO AGOLLI TREGONTE SE “ÇFARË E BËNTE TË QESHTE MË SHUMË…”

E bija e Dritëro Agolli, Elona Agolli, na sjell vazhdimisht poezi, shkrime dhe pjesë të shkëputura nga intervista që poeti ynë i njohur i kishte dhënë për medie të ndryshme.

Në një nga postimet e saj në Facebook ajo na solli pyetjen që ishte bërë Dritëroit se “Ç’ju bën për të qeshur më shumë?” dhe përgjigjen e tij:

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult