Një buqetë me lule kërkoj se më duhet.
Është puna ime se për çfarë ngul këmbë e ç’e dua.
Plehra dhe lecka përreth. Po lulet?
Në qiell rrufeja u ndez dhe u shua,
Pastaj brekushet e reve këputën oçkuret.
Teshat për shitje në kangjella rrugësh tunden e ftojnë,
Mbi teshat fqinja ime përkulet
Të vrasë mendjen për çmimet që xhepin ia shpojnë.
Buqeta me lule në tru si gozhda më ngulet,
Është puna ime, mbase më duhet për zbukurim dhe aromë.
Apo kam qejf buqetën me lule ta ble për një grua,
Që e pata harruar, siç thonë, në kohë e hapësirë,
Apo t’ia shpie një pisi, që i kam pak pare të nëmura hua
Dhe më duhet ta marr me të mirë,
Është puna ime se për çfarë e dua.
Një buqetë me lule kërkoj rrugë më rrugë,
E di, qyteti është ngushtë për lule, por më duhen patjetër.
Fqinja ime mbeti në teshat deri në mbrëmjen e mugët
Dhe s’bleu ndonjë rraqe të lirë e doemos të vjetër,
Ndërsa unë? Është puna ime që ende s’po shkoj të ha bukë.
Në kaos sendesh mendja të shkon dhe tek pjata me lugë,
Se vetëm zorrët në kaos gjërat e tyre aspak s’i harrojnë…
Tani filloi sërishmi të fryjë rrugëve jugë
Dhe pikat e shiut të pëlcasin mbi teshat që varen lart në
ballkone,
Lart të pëlcasin si kakërdhitë e dhënve mbi urë.
Po lulet? Ah, lulet s’e di se ku janë,
Në kaos mbase harrova, a mbase vërtet nuk i gjeta!
Në kangjella ende varen tesha, çarçafë e jorganë,
Me sy kalimtarët hedhin shigjeta
Përmbi tregtarët rrufjanë.
Është puna ime përse për lulet rrugëve mbeta…