Dritëro Agolli: S’të pret asnjeri, kurrkush s’del në derë…

gabimi nusja nga kosova dritëro agolli poezi observerkult
Dritëro Agolli

Ti thua përse jam i ftohtë, i mbyllur, i thatë.
Vërtet unë i tillë do të jem me ty përgjithmonë,
Se shpirtin s’e vura në pranga për fjalët me mjaltë,
S’luftova me fatin të ngre miqësira që nesër lëngojnë.

Ti vetë ke qënë i guximshëm në hapat dhe fjalët e
                                    mprehta
Ti yjet në qiell i lexoje si rradhët e librit
Dhe thoshe se netët do të ishin më të errëta
Dhe s’dihej përmasa e tyre as verës, as dimrit.

Ty fjala të doli: njerëzimi u çmend në kryq të kryqëzuar;
Mes tymit asnjë fener s’e ndrit hapësirën.
Ai që s’kuptoi enigmën prej yjesh që e kishe zbuluar,
Tani përpelitet, loton e s’duron errësirën.

Por erdhe të tjerët që s’dinin se ka një traditë,
Se nata e ardhshme s’do të ishte e gjitha e zbrazët,
I shëmbi hakmarrja dhe lodhja u prishi turinjtë,
Ndërsa në buzët u ra neveria e vrazhdët.

Edhe për mua ka qënë një kohë me shpresa të reja,
Kur kisha guxim të tërbuar si ti atëherë,
Kur shpirti më hynte në njerëz i hapur si hëna nga reja
Dhe frikë nuk kisha nga shpifjet e botës së mjerë.

Po sot s’më ka mbetur as gjurmë nga shpresat e
                                    hershme,
Çdo gjë përtej yjesh u fsheh diku në greminë,
Madje dhe ai që shkonte drejt shpresës me zemër të
                                     ndershme,
Ktheu krahët, pështyu me plot neveri për njerinë.

Dhe mbeti cinizmi përçmues me vetulla rrudhur,
Me buzët shtrënguar që shprehin pushtet pikëllimi;
Dhe vluan ngacmimet e gjakut shtazor të ndyrë të
                                        turbullt
Me epshet e turpshme për femrat nën thonj eksitimi.

Tani në portat e mbyllura s’ke pse troket si njëherë
Dhe shpirtin mos e ngarko me peshën e kotë,
S’të pret asnjeri, kurrkush s’del në derë,
S’mbeti askush prej tyre që quheshin njerëz një kohë.

Mbuloje fytyrën tënde me maskën e hekurt
Dhe falu të shenjtave varre mes fushave afër,
Atyre që mbajnë të mbyllur parajsën në shekuj,
Parajsën krejt të ndaluar për skllever dhe njerëz të varfër.

* Titulli i origjinalit: “Shpresat e thyera