“Të shamë, kurse ti na fale”, Liri Lubonja rrëfeu bisedën me Dritëro Agollin pas kthimit nga internimi

Njohja e tyre është e hershme, që në vitet kur Dritëroi ishte nxënës shkolle e botonte në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe më pas gazetar pranë “Zërit të Popullit”.

Liri Lubonja (tashmë e ndjerë) e kujtoi si njeriun e gatshëm të zgjidhte çdo situatë. Çifti Liri dhe Todi Lubonja gëzonin respekt për Dritëronë, çka e ruajtën deri në fund.

Jeta solli situata të tjera, momente shumë të vështira për Lubonjat, por lidhja me Dritëronë vazhdoi të ishte e tillë edhe pas kthimit të tyre nga internimi.

Në librin me kujtime kushtuar Dritëroit, botuar nga shtëpia botuese që mban emrin e tij, Lubonja tregoi njohjen me të, por edhe një episod gati mallëngjyes, kur Dritëro Agolli i ftoi të jetonin në shtëpinë e tyre.

PËRVEÇ MADHËSHTISË SË VEPRËS, DRITËROI QE NJERI

Njohja ime e parë me Dritëroin qe vetëm me poezitë e tij, që i dërgonte gazetës “Zëri i Rinisë”. Ishte nxënës i shkollës së mesme “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, ku qe ngritur edhe një rreth letrar. Poezitë që na dërgonin në gazetë të rinjtë e këtij rrethi i mirëprisnim e i botonim që të gjitha, qoftë edhe duke pasur ndonjë vërejtje.

Veçonim vlerat e Dritëroit dhe Ismailit. Punoja atëherë si zëvendëskryeredaktore e gazetës. Lidhja, miqësia jonë me Dritëroin dhe Sadijen u forcua kur Todi u emërua kryeredaktor i “Zërit të Popullit”, ku punonte Dritëroi si gazetar.agolli

Todi e donte dhe e çmonte shumë Dritëroin, jo vetëm për arritjet në letërsi, por edhe për vlerat e tij si njeri. Për raste të vështira, që i duhej gazetës të përballonte (kishin të bënin me aparatin shtetëror, probleme të tjera delikate), ishte Dritëroi i pari që ngarkohej: ulej të shkruante artikullin ose nisej…..

U kthyem nga internimi me njëfarë optimizmi, shprese. Pushteti që gjetëm në fuqi për t’i shpëtuar së keqes që e priste, shpejtoi të gjejë një veshje të re: Partia e Punës thirri Kongresin e saj të 10-të, i cili duhej t’i bënte një analizë të thellë kritike jetës, punës së saj ndër vite, gjë që nuk e bëri.

Sigurisht, as iu afrua rishikimit për rehabilitim të qindra kuadrove (në mos më shumë) dhe komunistëve të thjeshtë të dënuar me masa nga më të ndryshmet (vrasje pas shpine, pushkatime, burgosje, internime, degdisje larg qyteteve ku jetonin e punonin). Zhgënjimi nga ky kongres nuk qe vetëm i yni, madje Todi bëri dhe një artikull kritik në gazetën “Zëri i Rinisë”.

Si të mos i gëzoheshim, ta përshëndetnim zërin ndryshe, buçitjen e diskutimit të Dritëroit, i cili po u kundërvihej ithtarëve të thekur të diktatorit, që po i thurnin lavde në atë Kongres. Deri në vitin 2002 jetuam në një dhomë “shtëpi”, të cilën na e ofroi bujarisht vëllai i Todit. Më pas kaluam në Kopshtin e fëmijëve Nr. 19, ku qenë edhe të përndjekur të tjerë politikë.

I zumë vendin djalit tonë, Fatosit, i cili gjithashtu nuk kishte marrë strehim. Qe e papritur, emocionuese, ftesa që na bëri Dritëroi dhe Sadija: të shkonim të jetonim në shtëpinë e tyre, në hapësirën e krijuar me largimin e djalit në Gjermani. (Një ftesë të tillë e patëm edhe nga Shinasi Dragoti dhe bashkëshortja e tij Drita, shoqja ime e shkollës dhe e luftës).

Mbeti te ne mirënjohja e përhershme ndaj gjestit të tyre. Nuk e pranuam, sepse nuk donim të preknim privatësinë e tyre. Në 80-vjetorin e ditëlindjes së Todit (13 shkurt 1923) në “Friend’s Book House”, “shtëpia jonë e përditshme”, u mblodhëm me iniciativën e Agim Meros, shokë e miq të Todit.

Në fjalën e tij të përshëndetjes, Dritëroi me shumë dashamirësi i përsëriti Todit atë që edhe ia kishte thënë më parë: “Ti je më i miri mes nesh. Të kritikuam, të shamë, kurse ti na fale”. E kam ndjekur vazhdimisht gjatë këtyre viteve të vështira për shqiptarët Dritëroin në shtyp dhe TV.

E kam mirëpritur, përshëndetur me shumë kënaqësi fjalën, mendimin e tij të mençur, vërejtjet që ka pasur. Jo më kot fitoi besim dhe simpatinë në shumë njerëz. Edhe një herë Dritëroi tregoi se nuk mjafton vlera e shkrimtarit të madh, madhështia e veprave të tij.

Ai duhet të jetë NJERI dhe Dritëroi qe i tillë. Ndarja nga jeta e Dritëroit më krijoi dhimbje të thellë, boshllëk të madh.


Lexo edhe:

“E PASHË NËNË TEREZËN T’I SHKONIN LOT NËPËR FAQE”…

ObserverKult