(Recension për romanin më të ri të Rexhep Qosjes “Të fshehtat e treguara”)
Ardona Bullatovci
Plot dhjetë vjet pas botimit të romanit të fundit “Bijtë e askujt”, në duar kemi pasrendësin e tij me titull “Të fshehtat e treguara” , të njërit prej inauguruesve të poetikës postmoderniste në letërsinë shqipe.
Ndoshta postmodernizmi letrar tani po e tejkalon edhe termin roman, për arsye se veprat e gjata të prozës çdo herë e më tepër po paraqiten me gjithfarë shtesash strukturore e përmbajtësore, me ngarkesa e pasuri zhanrore sa që romani postmodernist po bëhet një multivepër.
Të këtillë e shkruan edhe autori këtë roman me vulën e botimit në vitin 2020. Për ta përgatitur lexuesin se çfarë e pret, ai në fillim vendos shenja informuese. Romanin e quan roman omnibus, për faktin se nuk do të jetë aspak një roman i prozës së pastër, nën këtë emërtim shkon edhe më tej duke paralajmëruar se do të lexojmë dokumente reale dhe imagjinare, do të paraqiten personazhe nga jeta reale me emra të vërtetë e me emra të koduar, duke nxitur kurreshtjen fillestare se me kë do të përballemi.
I dimë përmbajtjet sociopolitike të romaneve të mëparshme të Qosjes, kontekstin sarkastik e ironik, revoltën e qortimet e skajshme.
“Të fshehtat e treguara” dallon në këtë hap, pasi nuk kemi më të bëjmë vetëm me kontekst sociopolitik, konteksti rrudhet branda familjes, individëve, njerëzve të thjeshtë me jetën private e publike të tyre.
Romani është shumë i larmishëm si formë, në çdo kapitull ndërron edhe forma tekstore. Ka ese të cilat rrahin tema të ndryshme me gojën e rrëfimtarit Bardh Dynjasë, të cilin vet autori e paralajmëron si protagonist qendror. Esetë i ngjajnë prozave poetike, me shtresim të mendimit filozofik. Esetë përcillen me dialogë të cilët i ngjajnë formës dramatike, pa rrëfim vetëm me tekstin e personazheve dhe një didaskali të vogël për veprimet e tyre.
Mes tyre vendosen tekste narrative që i rrëfen Bardhi në vetën e parë për veprimtaritë e tij ditore, gjatë punës së tij si përkthyes, dhe nganjëherë në narracion përfshihet edhe një rrëfimtar tjetër i jashtëm, çka mund të shkaktojë konfuzion te lexuesi i papërgatitur teorikisht.
Pra, përsëri qysh prej “Vdekja më vjen prej syve të tillë” kemi lojë narrative, me ngjyresa narrative që i ndryshojnë kompetencat në kapituj ose edhe brenda kapitullit.
Konfuzion ose lojë shkakton edhe pjesëmarrja e letrave, të cilat duken se janë ato klasiket. Kanë tituj të çuditshëm, sikur dy personazhe joprotagonistë ua dërgojnë vetvetës së tyre. Mirëpo, loja qëndron në atë se këta dy personazhe Zita dhe Egzoni paraqiten në letra si shumë të dashur deri në adhurim nga publiku i gjerë. Në letra flet dikush që i do ata me dashuri të skajshme, e krejt në fund nënshkruhet edhe emri i dërguesit. Pra, satira qëndron në atë se të famshmit mund t’i dërgojnë pakufi vetvetës letra, mesazhe dashurie, e ti nënshkruajnë kinse ua ka shkruar një person i caktuar. Satirë tipike qosiane. E letra tjera janë ato që u dërgohen personave realë si Barak Obamës e Papa Françeskut nga qytetarë kosovarë të cilët i gjejnë si strehë ankese për degradimin e skajshëm, politik, kulturor e civil të vendit.
Në këtë vazhdë objekt i satirës përsëri do të jenë politikanët, të cilët i njohim të gjithë, i shohim çdo ditë në media si e satirizojnë vetveten, kurse autori nuk e ka pasur fare të vështirë t’i fusë në materie letrare. Romani hapet me pompozitetin politik, me fjalimet monotone, njëngjyrëshe të politikanëve megalomanë, të padijshëm, e jooratorë.
Veprimtaria e tyre përmblidhet me një simbol të oktapodit, tentakulat metaforike të të cilit janë korrupsioni, nepotizmi, krimi i organizuar. Kurse ata vet përmblidhen simbolikisht me personazhin e Dalanit ose dalanëve, i cili duket djall e njeri, mbret e sundimtar, intrigant e i rrezikshëm. Kurdoherë na kujton Danjollin e Sherkës.
Pjesë të ndërfutura në këtë roman omnibus janë edhe raportet, dosjet policore e gjyqësore.
“Të fshehtat e treguara” sjell një histori narrative shumë ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta lexojmë në tekstet tradicionale. Bëhet fjalë për jetën e një familjeje ordinere e cila ballafaqohet me sëmundjen progresive të gruas, Havasë. Fabula është lineare duke paraqitur sëmundjen që nga shenjat fillestare, dyshimet deri te diagnostikimi me Alzheimer. Shëndeti i Havasë rrënohet me ritme të shpejta, së bashku edhe me mirëqenien e familjes. E veçanta është se krejt kjo zhvillohet në formë dialogu, me protagonistët kryesorë, Bardhin dhe Havanë dhe plot personazhe tjera në varësi të situatave.
Kolazhin e formave të ndryshme tekstore e plotëson dhe e ngrit në një nivel tjetër prania e intertekstualitetit. Në mënyrë ritmike mes eseve e dialogëve autori vendos tekste letrare të autoriteteve të ndryshme botërore si, M.V.Llosa, Paulo Sorrentino, Philip Roth, Jozef Conrad etj.
Kësisoj edhe njëherë Qosja na mban në hap me postmodernizmin botëror, përsëri duke inkuadruar edhe teorinë e postmodernizmit sikurse te “Bijtë e askujt”. Për herë të parë në letërsinë shqipe kemi në duar një roman omnibus, një roman që kompletohet me plot skema e forma, një hap para për postmodernizmin shqiptar./ObserverKult