Dumoshi: Shahinderja me zërin e saj unik i dha muzikës tonë perla të cilat do t’i kujtojmë përherë

Ministrja e Kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi, u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe komunitetin artistik për vdekjen e këngëtares Shahindere Bërlajolli – Stafaj.

Dumoshi përmes një telegrami thotë se Shahindere Bërlajolli – Stafaj, me zërin e saj unik, i dha muzikës tonë perla të cilat do t’i kujtojmë përherë me nostalgji. Repertori i saj i pasur gjysmë-shekullor, është vlerë për këngën dhe lirikën shqipe.

“Sot, mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të këngëtares së mirënjohur, Shahindere Bërlajolli Stafaj. Jam e prekur thellësisht nga kjo humbje e madhe për familjen, miqtë e dashamirët, në këto ditë të vështira”, thotë Dumoshi.

Ajo shton se me dashuri do t’i kujtojmë përherë këngët e saj origjinale popullore “Në zabel të erdha”, “Miriban”, “Kush ma i pari bani”, “O bylbyl me pika-pika”, “Një lule në Gostivar”, “Gajdexhiu”, “Baresha e dashnume”, “Lules” etj.

“Me këto këngë u rritëm gjenerata të tëra. Opusi i saj muzikor do të mbesë përherë thesar autokton i muzikës burimore shqiptare. Me nderimin më të madh për kontributin dhe trashëgiminë e pavdekshme muzikore te saj, shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe artdashësve”, thotë Dumoshi./ ObserverKult