Të enjten më 6 Shkurt, në orën 12.00 bëhet promovimi i dy romaneve të shkrimtarit e përkthyesit Elvi Sidherit në Prishtinë.
Romanet “Dy Botë” dhe “Emigrantja”, do të promovohen në Institutin Albanologjik ku një panel i zgjedhur i personaliteteve të letërsisë bashkëkohore shqiptare do të flas për ta.
“Dy botë” mund të cilësohet si një roman atipik, ngjarjet e të cilit shpërndahen faqe pas faqeje mes Europës së moçme dhe Amerikës Jugore, në një gërshetim krejt të natyrshëm mes identitetit, dokeve dhe vijimësisë kulturore shqiptare, dhe ngjyrimeve rrëzëllitëse të kulturave të zhvilluara të disa ndër vendeve më të përparuara të Europës Perëndimore, pellgut të Mesdheut, e veçanërisht pjesës së larmishme luzofone, portugalisht-folëse të Amerikës Jugore, transmeton ObserverKult.
E tëra në një “melting pot” kulturash, mendësish, dashurish e qëndrimesh ndaj jetës e rrahjeve të zemrës, që sendërtohet përmes ndërthurjes së disa dashurive paralele, të ngjizura brendapërbrenda një ndjenje pasionante të vetme, duke përçuar përmes jetës, botëkuptimit e përvojave njësore të një vajze bashkëkohore shqiptare, një tiranaseje “qytetare të botës” të shekullit XXI, në këtë roman thellësisht jokonvencional, nuancat e një historie dashurie dhe realizimi vetjak përkundër krejt rrethanave dhe gjasave, që nis në Tiranën e vapët të pranverës 99, në ditët e zjarrta të Luftës së Kosovës dhe kapton oqeanin gjer në Brazil.
Ndërsa, “Emigrantja” është një roman që orvatet të depërtojë në thellësitë akoma të paqëmtuara të emigrimit si dukuri specifike, veçanërisht shqiptare, duke mbuluar kryesisht këtë fenomen social, historik, etnologjik, gjuhësor e gjeografik, në Greqi, por duke mos u kufizuar veç me këtë vend, ku shqiptarët janë të pranishëm prej shekujsh e mijëvjeçarësh, duke bashkëvepruar pikësëpari njëri me tjetrin, mes valëve të ndryshme të epirotëve, arvanitasve të shumtë, emigrantëve shqiptarë të pas vitit 1990, dhe grekëve vendas, krahas kombësive jo të pakta që jetojnë nën shtresën në dukje homogjene të shoqërisë helene, mes vllehësh, sllavësh, turqish, hebrenjsh, etj., transmeton ObserverKult.
Ky synim vijon me këmbëngulje gjer në Stamboll, ku shqyrtohen imtësisht jetët dhe përvojat e të tjerë shqiptarëve të mërguar, gjithnjë në këndvështrimin dhe ngjarjet e larmishme, shpesh të dhimbshme, por më shpesh frymëzuese, të një gruaje shqiptare, personazhit kryesor të këtij romani, e cila, gjatë udhës së saj përmes emigrimit, shndërrohet në thelbin e këtij libri, duke notuar në ujërat e stuhishme të plot ndodhive, njerëzve, kujtimeve, kohëve, epokave, vendeve, qyteteve, gjuhëve e dashurive, gjersa ajo njësohet me titullin e romanit, “Emigrantja” ./ ObserverKult