Këto ditë ka dalë nga shtypi libri i ri i poetes Planeta Sllamniku “Dy dashuri”, ku janë të përfshiera mbi 60 poezi, që shpërfaqin me një timbër të veçantë poetik një det ëndrrash dhe dëshirash për jetën.
Në subjektet e poezive lexuesi ndesh një botë të begatë ndjenjore e shpirtërore të Planetës, përmes së cilës ajo trajton me plot vrull e shpresa aspekte të ndryshme të jetës. Në këto poezi imagjinata dhe bota psikologjike e autores shtrihet natyrshëm në trajtimin e tema të mprehta, duke zgjuuar te lexuesi ndërgjegjen kombëtare, dashurinë për vendin, traditën dhe çdo gjë të rëndësishme e të bukur.
Studiuesi Faik Shkodra thekson se në subjektet e poezive të këtij libri lexuesi ndesh një botë të begatë ndjenjore e shpirtërore të Planetës, përmes së cilës ajo trajton me plot vrull e shpresa aspekte të ndryshme të jetës.
“Në këto poezi imagjinata dhe bota psikologjike e autores është e pasur. Me këtë imagjinatë e psikologji arrin natyrshëm, duke kënduar për tema të mprehta, të formojë te lexuesi ndërgjegjen kombëtare, dashurinë për vendin, traditën dhe çdo gjë të rëndësishme e të bukur. Edhe në këto poezi, ashtu si në tërë vëllimin, autorja sjell vargje të shkruara me ndjenja e zjarr të madh krijues. Këto vlerësime dhe gjykime i përligjin edhe ligjshmëritë teorike, estetike e kritike dhe si të tilla na e bëjnë më të përtashëm mendimin dhe qëndrimin e shprehur në Klauzolën e shkruar të poetit amerikan Makleish, kur në një varg thotë: “Poezia nuk duhet të thotë, por të jetë”. Për më tepër, poezia për të qenë e tillë, pra, e thellë, ajo para së gjithash duhet të trajtojë rënkimet e thella të njeriut dhe nga përfytyrimet, vëzhgimet abstrakte të lëvizë drejt situatave e dukurive konkrete.”, thotë Shkodra.
Për poeten e kritiken Sabile Keqmezi Basha, vargu i Planetës është i ndjeshëm, është
shumëdimensional dhe ka plot metafora, që të marrin me vete, duke menduar se bota që e mbretëron ajo, është një ujdhesë që në vazhdimësi ka erëra tekanjoze që të djegin
ballin e shpirtin, por dinë edhe të bisedojnë me ty dhe, duke të marrë me vete për do ditë më të lumtura.
Ndërsa, Besa Pupa thotë se në poezinë e Planetës ka gjetur burimin e emocionit
ku nuk kishte nevojë për zbukurime dhe fraza të zbrazëta.
“Në secilën poezi ka diçka te veçantë, dikush është simbol, gjithnjë ka një mesazh që të bën për vete. Poezia e Planetës është një fuqi shtytëse të lexoj sa më shumë poezi në të ardhmen. Planeta, një karakter aq i ndjeshëm, i dashur, në mënyrë shumë origjinale pasqyron të vërtetën e dhimbjes, dëshirës për të mbijetuar, dashurisë ndaj fëmijëve e cila pasqyrohet ne mënyrën më estetike të mundshme. Vlerat artistike qe kam hasur ne krijimet e Planetes më kanë lënë shumë thellë mbresa dhe do vazhdoj me ëndej të lexoj krijimet e saj”, thekson Pupa.
Në vazhdim mund t’i lexoni disa poezi të zgjedhura nga ky libër:
SA HERË THËRRAS
Diçka tjetër më përgjigjet
Nëse mendoj të dëgjoj një këngë
Sprapsen rreshtat e saj
E nuk më vijnë në vesh
As shkronjat, as fjalët
Thur këngën
Krijoj një melodi
Që s’e kam dëgjuar ndonjëherë
Më merr kjo këngë
E më udhëheq edhe ditën
Provoj të vallëzoj
Bëj hapat një pas një
E këmbët më qëndrojnë në një vend
Më janë bërë thupra të shkretat këmbë
Marr duart t’i lëviz
Ato nuk flasin me mua
Janë kapur për pjesën e kofshëve
E nuk më duan
Lëviz perdja e bërë palë-palë
E më prek pjesën e shpinës
Gishtërinjtë puthen me njëri-tjetrin
Por jo me muzikën
Është hidhëruar trupi me mua
Apo unë me të
S’e di …
TI
Marr një letër të bardhë
Dhe shkruaj
Misterioze mendova
Isha atje dje
Urtësia, mirësia
Më sollën tek ti
Më kërkove ujë
Mister shumë i thjeshtë
Dorën në kokë ta mbaja
Mëshirë e përrallave shekullore
Që kurrë nuk të kthehet pas
Mjerë ti që mirësinë
Thumbon
Eksperimentalisht
MË TRAZON KY MALL
Edhe kur fshij sytë e qesh me zor
Edhe kur klith e trembem
Edhe kur më zë ajri i ftohtë
E nuk kam ku të mbahem
Edhe kur ulem përdhe
E nuk ndiej më as lotët e mi
Kur në historinë e zjarrit
Labirintet bëhen copëza
Kur tymoset letra që e mbaj fort
Edhe kur mes zhurmash të ashpra
Nuk më vjen saktë forma e syrit
Edhe kur dhëmbët e bukur
Të ndarë në mes
Më rrinë gjithnjë të hapur
Në kujtimet e dorëzimit
Të Mbaj zgjuar ty …
Kur aftësia për të shikuar më zbehet
Dhimbja detyrimisht më verbon
E malli arrin
Në kulmin e sferave përbindëshe
Thyhet shtrëngata
E ëndrrat më mashtrojnë
Njollat nuk zhduken
Qaj në heshtje
E ty zgjuar të mbaj
MISTER I MAGJEPSUR
Pushtove natën dhe parajsën çdo orë
Ikje shpesh nga toka jonë
Buza dridhej në katin e dytë
Unë nuk mund të arrija
Tek udha e pyllit
Edhe vitet kalonin
E ti vazhdoje udhëtimin
Në sfondin e natyrës
Pasioni përshkohej nga
Melodia e kitarës
Zanoret brenda frazës
Karakterizonin një krijim
Nuancat emocionale
Trillonin imagjinatën e kontradiktave
Shpirtërore të personazheve
Origjina e botës formonte
Një mit
E dhoma e bukur magjepsur
Ishte bërë
Një teatër në miniaturë
DUA DASHURINË
E zënë n’grackë nga e kaluara
Me fytyrë që nuk shkëlqen
Vazhdon sunduesi i qiellit
Të predikojë moralshëm
Fuqinë time
Si një lakmitar i pakthjellët
Imponon fraksionet
Harron se unë dua dashurinë…
KUR TË GJETA TY
M’u duk bota u zgjua
Trimërisht ecja në dashuri
Këndoja bashkë me ballon e jetës
E etur shtora burimet
Për të ardhur te qenia jote
Në gjakun tim pulsonte
Epsh i fuqishëm
Shpirti i zgjuar tokën
Hyjnore të ekzistencës së
Pashtershme e ushqente
Me margaritarë
E shenjta ti
Qenia ime
Zbulove lirinë e dashurisë
Sime
Dhe po rritesh në artin
E dashurisë
Hijeshia e bukurisë sate
Është një perlë e
Perënditjes sime
Kur të preka ty
U vesha me fatbardhësinë
E parajsës
Pabesueshmërisht
U mrekullova
Si një yll
ObserverKult