Pjesëmarrësit e kësaj ekspozite janë: Albe Hamiti, Altin Krasniqi, Arbnor Karaliti, Edona Kryeziu, Edson Luli, Fidan Bejtullahu, Jon Mithi, Laureta Hajrullahu, Neron Deshishku, Somer Spat, Valdrin Thaqi dhe Valentina Bonizzi. Në hapje të ekspozitës, juria, e përbërë nga Alessandra Bertini Malgarni, Kumjana Novakova dhe Veton Nurkollari, do ta shpallin edhe fituesin e këtij edicioni.
Në kuadër të këtij projekti po ashtu në datat 28 dhe 29 tetor do të mbahet ligjërata nga profesori prestigjioz nga Italia Bruno di Marino dhe prezantimi i artistit Alfredo Mattarazzo, ndërsa këto ngjarje do të realizohen në bashkëpunimin me Institutin Italian për Kulturë dhe me Ambasadën Italiane në Prishtinë. Përkrahës kryesor i këtij projekti është “Raifeissen Bank”, kurse këtë projekt e përkrahin edhe Instituti Italian për Kulturë dhe Ambasada Italiane.
Fotografia si medium në tranzicion
Bienalja dhe çmimi “Gjon Mili 2019” tenton të angazhojë rolin e një mediumi në tranzicion e që është fotografia në nocionin e saj të zgjeruar gjatë regjistrimit të lëvizjeve, të tranzicioneve dhe të ndryshimeve të qenësishme në botën e sotme, veçanërisht në një rajon për të cilin thuhet se është “në tranzicion”. Për ta bërë këtë ekspozita synon të eksplorojë një mendim të fotografisë si një imazh, objekt, instalacion, projeksion dhe të dhëna vizuale, që janë qendrore për kulturën.
Kuratori i kësaj ekspozite, João Ribas, është shkrimtar dhe kurator nga Porto. Ai më herët ishte drejtor i muzeut të artit bashkëkohor “Serralves” në Porto, në të cilin paraprakisht gjithashtu mbajti pozitën e zëvendësdrejtorit dhe të kuratorit të lartë (2014 – 2018). Ai më herët ishte kurator i qendrës së arteve vizuale të MIT-it (2009 – 2013) dhe i qendrës së vizatimit në Nju-Jork (2007 – 2009). Pas hulumtimit të skenës së artit në Kosovë dhe pas takimeve me artisë, Ribas në konceptin kuratorial të ekspozitës shkruan se sot një fotografi në të njëjtën kohë është e zakonshme dhe e pazakonshme, e vërtetë dhe e pavërtetë.
“Ne atyre imazheve u besojmë, po edhe nuk u besojmë, duke u mbështetur në to për të komunikuar në një botë të ndërlidhur, në të njëjtën kohë duke e ditur sa ato imazhe mund të ndryshohen, mund të manipulohen ose mund të falsifikohen lehtë. Meqë kemi në dispozicion kamera me rezolucion të lartë në telefonat tanë mobilë ne bëjmë dhe shpërndajmë për çdo ditë miliona imazhe në shkallë globale. Njëkohësisht e vërtetë dhe e pavërtetë, një fotografi turbullon dallimet mes asaj që është publike ose private, që është një trillim, një fakt ose një histori”, shkruan ai, duke shtuar se ne përdorim imazhet për të treguar dhe për të dëshmuar si forma të kujtesës historike e personale, por ato ende ekzistojnë në formate të ndryshme si ato digjitale, fizike ose si diçka në mes, që janë pafund të riprodhueshme dhe pafundësisht të lakueshme.
“Jeta bashkëkohore përkufizohet gjithnjë e më shumë nga sistemet ose nga ngjarjet që duken tepër të ndërlikuara për shumicën e njerëzve që të kuptojnë, të kontrollojnë ose ta besojnë atë. Identitetet, ekonomitë dhe strukturat shoqërore, që dukej se përfaqësonin sigurinë, janë duke u zbehur. Në vend të saj pasiguria, paqartësia, të dhënat konfliktuoze ose të kundërta mes vete si dhe forma të paqëndrueshme të identitetit e të organizimit shoqëror na sfidojnë se si ne punojmë, jetojmë dhe ndërlidhemi mes vete”, thekson kuratori./zeri