Nga Rudina Papajani
E dashur që kur të pashë i pëshpërita vetes, ky është zjarri që do më ngroh, kjo është gjethja gaz e jetë që erdhi dhe u ul pranë meje si ujë burimi pranë një zhegu përvëlues.
E di zemer këto ditë po ikin kaq shpejt, orët po na duken sekonda, bile po na ikin aq habitshëm saqë në fund i themi njëri-tjetrit kaluan vetëm disa minuta.
A e di kam kaluar net të zbrazta me aventura e flirte pa arsye, kohë që kanë hyrë e kanë dalë pa asnjë interes derisa u shfaqje ti jetë.
E dashura ime, ti më bëre të besoj fjalën mall, mungesë, fllad e lule pranverore që shpërthyen kaq ëmbëlsisht tek unë.
M’u shfaqje si ajo rrezja e mëngjezit që fillon të ngroh gjithmonë e më shumë, si ajo drita e vërtetë që largon ëndrrat e natës për t’i zëvendësuar me ato jetësore që të puthin kaq ëmbëlsisht në pasqyrën ku ne shohim kaq qartësisht shëmbëlltyrat tona në një.
Oh, është kaq bukur që unë po e jetoj me ty këtë dashuri dhe po më duket vetja në këtë botë si orë mali që qesh pafundësisht me hënën e plotë në një ditë vere.
Zemer e di çfare duhet të bëj tani…vetëm të bërtas që shumë të dua.
E kupton më ke ndryshuar vetëm ti, jeta më duket kaq e gjallë, kaq e plotë, kaq e lumtur në këtë histori dashurie që do të vazhdoj gjatë në shpirtrat tanë.
E dashur të dua deri në pafundësi…