E detyruan ta hapte varrin për vete, pastaj e pushkatuan por eshtrat e tij nuk u gjetën kurrë…

Foto ilustrim

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka deklasifikuar dosjen e Lumi Dom Shtjefën Kurti i cili u dënua me vdekje sepse pagëzoi ilegalisht një fëmijë.

I Lumi Dom Shtjefën Kurti është vetëm një prej klerikëve të krishterë që janë ekzekutuar në komunizëm dhe ende pa varr.

I ardhur nga Kosova më 1930, në shtator 1943, ai lajmëronte Arqipeshkvinë se po pagëzonte hebrenj, me gjasë për t’i shpëtuar nga nazistët, sepse me pagëzimin merrnin emra të rinj e pasaporta shqiptare. U arrestua për herë të parë më 28 tetor 1946 për agjitacion e propagandë dhe u dënua me 20 vjet burg. Ai kishte refuzuar të shkëputej nga Vatikani dhe e çuan në Burrel, por nuk u dorëzua as mes torturave. E çuan të hapte varrin e tij, por nuk e pranoi akuzën. E kthyen në qeli, ku natën e Krishtlindjeve dëgjohej të thoshte meshën, i përlotur. Dikur e liruan nga burgu. Kishat ishin mbyllur dhe e dërguan në Gurrëz (Milot), ku e lanë të punonte magazinier në kooperativë. U arrestua përsëri më 11 qershor 1970.

Gjyqi për të zhvillohej në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në Gurrëz, godinë e kthyer në vatër kulture pas prishjes së vendimit të diktatorit për të ndalur besimin fetar.

U dënua me vdekje “in odium fidei”, pse pagëzoi ilegalisht një fëmijë. Një ditë të trishtë vjeshte, 20 tetorin e vitit 1971, ai u mor nga qelia dhe u vu para togës së pushkatimit. Kur e pyetën nëse i vinte keq për jetën, tha: “Më vjen keq që po ma merrni ju”. Akuza zyrtare kishte qenë sabotim. Por koha do të hidhte dritë.

Në vitin 2011, nipi i tij, Nikolin Kurti, ka mundur të takojë prokurorin që kërkoi dënimin, Hajredin Fuga, dhe gjykatësin që mori vendimin, Jani Vasili. Të dy i kanë lënë një ndjesë të shkruar me dorë, për çfarë ka ndodhur me meshtarin. Nikolin Kurti i ka botuar letrat në janar 2019, duke respektuar dëshirën e Fugës e Vasilit që letrat të publikoheshin pas vdekjes së tyre. Hajredin Fuga dhe Jani Vasili kanë ndërruar jetë pak vite më parë. Pas rënies së sistemit komunist, ata vazhduan karrierën e tyre në sistemin e drejtësisë, duke arritur deri në Gjykatën Kushtetuese.

Në letrën e tij të ndjesës, prokurori Fuga ka thënë se çështja për Dom Shtjefnin pati nisur me pak drithë të vjedhur në kooperativë, derisa në të përfshinë edhe emrin e priftit. Në letër ai vëren se atë kohë, çështja iu hoq Krujës dhe e mori Ministria e Brendshme, por shtonte se sipas vartësit të tij që kishte qenë i pranishëm, ekzekutimi ishte bërë natën. Vetë Fuga nuk kishte dijeni për të dhëna që mund të ndihmonin në gjetjen e eshtrave./ATSH

LEXO EDHE: