E dhimbshme: Aktori i njohur, Mehdi Malkaj, mezi mbijeton me pensionin prej 200 euro

Nga Agim Xhafka

Jam i sigurt,e njohin si xha Braho. Pak e dinë që quhet Mehdi Malkaj. Kështu ndodh kur rolin e ke ngopur me kaq lëng, me aq vërtetësi e art sa të arratiset emri që të kanë vënë prindërit.

Mehdiu është shoku im i vjetër. Shumë i vjetër, jo nga ata të shkollës fillore, por më vonë. Kur ai qe artist me A të madhe.

E solli rasti të bëhesha ca vite producent i tij dhe jam i sigurt që ja kemi kaluar kaq mirë sa ai dhe sot në çdo projekt që ka më sjell si shembull.

Xha Brahon dhe rolet e tjera tashmë njerëzit ia dinë përmendësh. Ndaj po u tregoj ca hollësi që nuk i di shikuesi i gjerë.

E para, Mehdiu është dashnori më i madh i librave në glob.

Atij edhe po i dhe një manual lavatriçe e merr me emocion.

Ia fërkon kapakët dhe e ndjen kaq shumë sa duket sikur do xhveshë ndonjë femër kur hap fletët një nga një. Që fëmijë njësoj.

Rritur jetim, në skamje të madhe atje në Memaliajn e bukur, siç e quan shpesh herë, ai kohën më të madhe e kaloi me libra.

Nga përrallat te klasikët e tek modernët. Ndaj kur i tregon një humor ai ta kap që në fjalën e parë dhe qesh fort e pastër.

Po i tregove dramë nis e loton. Nëse merr guximin për t’i treguar një roman të gjatë ai lumturohet. Ta afron fytyrën ngjitur me tënden e gati të hyn në brendësi.

Se ai e jeton artin. Edhe në skenë, edhe në libër, edhe në kafe.

Tani ka dalë në pension. Për të zezën e vet. Ngaqë projektet i ka stivë, por ngaqë edhe nuk iu shmanget se i duhen para.

Me pensionin e tij 200 euro në muaj ai nuk paguan dot as dritat. Se dhe zonjën ia lanë pa punë kaq vjet, se edhe vajza që i punon ato çikë lekë i duhen për vete.

Ka dhe një djalë me sy të shkruar e mendje të hapur, por goca sikur i zë vend më shumë te zemra.

Se sa e merr ajo në celular Mehdiu ia nis me fjalët: “Folë, motra e babit!”

Xha Braho ka një galeri rolesh. Shumë lodhje për to. Por jetën e ka pasur si dy gjysma të dallueshme. Deri kur po i afrohej të dyzetave u rropat si minator dhe shofer.

Më pas si artist klasi. Ashtu si iu ndodh artistëve të mëdhenj.

Kafe me Mehdiun unë pi shpesh. Atje tek lokali artistik “Corne” pranë gardës e gjeni. Më ndodh që kur kam pakëz trishtim a stres të më çojnë këmbët vetë te Mehdiu.

Se si një mjek popullor të shëron me fjalën e ngrohtë, me përvojën e gjatë dhe me hallet e tij që krahasuar me të mijat janë mal mbi male.

Mehdi, të dua shumë. Se je artist i madh, mik i mirë dhe shok që i ke shokët e rrallë./vjosa.net

ObserverKult


Lexo edhe:

REVOLTA E AKTORIT MEHDI MALKAJ NË TAKIMIN E SALI BERISHËS: KUR KE GJITHË JETËN QË ZVARRITESH SI KRIMB PSE BËRTET KUR TË SHKELIN ME KËMBË?

Duke cituar Kantin, aktori Mehdi Malkaj tha se askush nuk mund të ankohet kur shkelet me këmbë përdersa zvarritet tokës si krimb.

“Përshëndes të gjithë miqtë e mi të Aleancës për Teatrin që kemi 5 vite protestë. I dashur doktor, Shqipëria në rrezik, e ç’më duhet mua!

Do të vazhdojmë të jemi këtu. Emanuel Kanti ka thënë; Kur ke gjithë jetën që zvarritesh si krimb, pse bërtet kur të shkelin me këmbë”.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult