Nga Mark Simoni
E vetmuar dhe fillikate. Në një shtrat të vjetër, në fund të një dhome të humbur të pavionit të kancerit, pa pasur asnjë njeri tek koka, pati mbyllur mbyllur sytë e dhene shpirt Drita Çomo. Vajzë 23 vjeçe , e bukur dhe që e donte shumë jetën, që shkruante poezi të mrekullueshme e ditar rrënqethës njëkohësisht. E mallkuar nga urrejtja e shtetit, nga smundja dhe fati i saj i keq, si dhe nga heshtja e vetmimi i pafund, ajo iku në pranverën e 1981 nga kjo jetë, duke na lënë mbi tokë një liber, memuar të vdekjes, sesi çast pas çasti i afrohej korridoreve të zymtë të spitalit dita e saj e fundit.
E kam njohur atë vajzë qysh kur isha fëmijë. Pati ardhur në Lezhë, në pallatin tone, tek daja i saj doktor Agroni, mbasi nënën dhe babain (Liri Belishovën e Maqo Çomon-ajo antare e Politbyrose dhe ai Minister i Bujqesise), shteti i dërgoi burgjesh e internimesh.
Drita qe më e rritur se ne dhe nuk u përzie asnjëherë me lojrat tona. Vetëm pranonte ndonjë shegë të egër që ne mblidhnim në kodrën pranë, dhe kaq. Rrinte në qosh të oborrit e na shihte. Qe e bukur dhe e heshtur. Fliste ndoshta brënda vetes. Shikonte përherë mbi kokat tona, diku larg, sa ne asnjëherë s’e morëm vesht sa çfarë shihte ashtu. Pasi iku, s’u kthye me asnjehere. Shkoi internimesh, pas nënës së saj të dënuar e fillikate.
Kur u sëmur, nw spital priti gjatë e më kot që t’i mbërrinte, së paku një herë, e ëma tek koka e shtratit, dhe t’ia lehtësonte rënkimet e vuajtjet e fundit. Por e ëma s’mbërriti dot kurrë. Nuk e lanë. Për nënën Drita pati vdekur që kur i humbi nga sytë dhe u mbyll në atë spital, kur flinte për kohë të tëra në të njëjtin shtrat me vdekjen.
Disa vite pasi vdiq, kur ia mblodhën poezitë, Liri Belishova, e mrrolur nga pleqëria, hallet dhe malli për të bijën, më dhuroi librin e vajzës së vdekur, “ Dritë që vjen nga humbnera“.
Vetëm atëherë e kuptova heshtjen e Dritës, dikur në fëmijëri, ashtu si dhe vështrimin që e lëshonte atje, ku ne mendonim se nuk kishte asgjë. Ajo e pati parandjerë edhe poezinë edhe vdekjen.
Botën e zezë të vdekjes ajo e ka të stiluar me qendisma letrare dhe estetike, me frymë të epërme dhe misticizëm, me një lirikë delikate dhe korrente trishtimesh e zymtësie. E vetme, (ndoshta më e vetmuara në botë, madje edhe më e vetmuar edhe se personzhet biblik ), në breg te jetes e të vdekjes, Drita Como duhet të ketë pritur gjatë se kë të zgjedhë nga të dyja, jetën apo vdekjen.
Ditari i saj është rrënqethës, poezitë të rënda po ashtu.
“… ndodh që rrugës qesh me fëmijë të bukur,
dhe e di që kurr s’do bëhem nënë..”
“…. Këtu në spital
jeta dridhet nga spazmat,
këtu vdekja, mbretëresha pa shpirt,
urdhëron kohën të ndalet
Tragjedia e shekullit më ra në pjesë një copë
dhe s’kam si i iki
nga lloj lloj tragjedishe që mban kjo botë
s’di pse erdhen tek unë ato më tragjiket”
“… Unë ndjeva në shpirt një mall të qetë
Këtu pranë dhembjes dhe vdekjes…”
Ajo e pret vdekjen në qosh të ditëve të zbehta e të vetmuara, brënda të cilave dëgjohen këmbanat e mortit që s’është larg.
Letërsia boterore ka vepra të mëdha që shquhen për aftësinë e përfshirjes së lexuesit në situatën e temës së trajtuar, madje, ka prej atyre veprave që krijojnë jo vetëm shok psikologjik e tronditje të mëdha. Rrezja e këtyre letërsive është e rëndë dhe gjëndjet që të shkaktojnë ato janë po kaq të rënda. Libra (sidomos ato me temë ekzistenciale) si “Fati i njerut” (Shollohov) , “Murtaja” (Kamy), apo “Dhoma numër 6”. Me vone , “Muri” (Sartër) e aq më tepër “Pavioni i kancerozve” (i Sollzhenicinit) e kanë kumtuar këtë. Nuk do t’a teproja aspak po të thosha se, edhe “Ditari i Drita Çomos” (pavarësisht se letërisi memuaristike), për nga ngjyrat dhe gjëndjet, situata grih dhe zymtësia e vdekjes, fantazmat e sëmundjes dhe peisazhi i shtretërvve dhe korridorevve të pavionit, nuk është aspak jashte kesaj letersie te madhe./mapo