Këngëtari shqiptar i cili jeton dhe vepron në Zvicër, Gjon Muharremaj, i njohur artistikisht si Gjon’s Tears, e renditi Zvicrën të tretën sivjet në festivalin e madh evropian, Eurovision 2021.
Kënga “Tout l’Univers” madje ishte renditur e para nga juria profesionale, por votimi i publikut më pas e renditi atë të tretin, duke e bërë kështu shqiptarin më të arrirë ndonjëherë në skenën e Eurovisionit.
Gjoni i cili me prejardhje është nga Suhareka e Kosovës, është pritur së fundmi në vendlindje nga djali i xhaxhait të tij, Bali Muharremaj, i cili njëherësh është kryetari i Komunës së Suharekës.
Në një video të publikuar në rrjetin social Facebook, Muharremaj ka treguar momentet nga mikpritja që i ka bërë në zyrë kushëririt të tij, i cili përveç familjes, ka bërë krenarë mbarë Kosovën.
“Na ke bërë krenarë Suharekën, unë si i familjes në radhë të parë, krejt Kosovën i ke bërë krenarë, e ke bërë [krenarë] edhe Shqipërinë”, dëgjohet në video teksa kryetari i kësaj komune i drejtohet kushëririt të tij.
I pari i Suharekës gjithashtu i ka dhënë atij edhe mirënjohje dhe një pikturë dhuratë të punuar nga bashkëluftëtar i tij gjatë luftës.
“Ndjehem shumë krenar që jam këtu, që jam i Suharekës, i Gjinocit, për mua ishte një gëzim i madh të i përfaqësoj edhe Kosovën edhe Shqipërinë. Unë kam lindur në Zvicër por i kam prindërit nga këtu, e kam origjinën nga këtu dhe është kënaqësi e madhe të iu tregoj të tjerëve që kemi shumë talente në Kosovë, që kemi shumë talente edhe në Shqipërinë e madhe”, është shprehur Gjon Muharremaj pas pranimit të mirënjohjes.