E kishte parashikuar/ Mid’hat Frashëri: Edhe sikur të më përzini nga Shqipëria, do të punoj për Shqipërinë…

mid'hat frashëri:

Është botuar vëllimi i 9 i veprës së plotë të Mid’ hat Frashërit, figurës poliedrike të kulturës shqiptare dhe emrit kyç të Ballit kombëtar. Libraria, lufta, dashuria e emigracioni përfshihen në këtë vëllim. Duket se Frashëri e parashikoi atë që do të ndodhte:

 “Unë edhe sikur të më përzini nga Shqipëria, do të punoj për Shqipërinë. Në përpjekje për bashkimin me lëvizjen nacionalçlirimtare është e njohur marrëveshja e Mukjes dhe përfshirjen e padëshiruar e të imponuar në luftën civile, të udhëhequr ng PK dhe Enver Hoxha që e provokoi, e nisi dhe e përfundoi luftën shkatërrimtare me vendosjen e regjimit komunist dhe ndarjen nga perëndimi demokratik”.

Stërmbesa e Mid’hat Frashërit, Lorena Frashëri rikujtoi mesazhin e tij për gjuhën shqipe.

“Mid’hati u bënte thirrje shqiptarëve të shkruanin shqip, gjithnjë shqip.

Gjuha, thoshte ai, është 100 herë më grua se gruaja më e stolisur. Po thërresin për të çelur shkolla, por librat ku i kemi. Po thërresin që të kemi bashkim, po një gjuhë të përbashkët ku e kemi. Duam qytetërim por themelet nuk kemi zënë t’i hedhim”, shkruante ai, tha stërmbesa.

Për një figurë poliedrike si ai, që jeta intelektuale e politike ka qenë më në vëmendje, por përtej saj, jeta e tij personale duket se e shpëtoi nga dëshpërimi.

Videon e plotë mund ta shikoni duke klikuar KËTU:

Kush ishte Mid’hat Frashëri?

Muzeu Historik Kombëtar e kujtoi në 144-vjetorin e lindjes, politikanin, shkrimtarin e diplomatin shqiptar Mid’hat Frashërin.

Mid’hat Frashëri (i njohur dhe me pseudonimin Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka), lindi më 25 mars të vitit 1880 në Janinë.

Pasi u vendos familjarisht në Stamboll, gjegjësisht pas vdekjes së të atit, Abdyl Frashëri, në vitin 1892, për arsimimin e tij u kujdesën Naim e Sami Frashëri, që u bënë dhe mësuesit e tij.

Në vitin 1908, fillon botimin e gazetës “Liria” në Selanik e me pas më 1909, revistën “Diturija”. Mid’hat Frashëri mori pjesë në Kongresin e Manastirit në nëntor 1908, ku u zgjodh kryetar dhe u caktua në Komisionin e Alfabetit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 dhe nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë.

Në qeverinë e Ismalit Qemalit, zgjidhet ministër për punët botore. Më 1920 emërohet kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.

Në janar 1923, zgjidhet ambasador i Shqipërisë në Greqi, detyrë të cilën e kreu deri më 1926.

Ai kishte një bibliotekë të tijën mjaft të pasur, ku numri i librave arrinte deri në 18.000 copë. Mid’hat Frashëri shkroi jetëshkrimin për Naim Frashërin me titull “Naim be Frashëri” më 1901, më 1915 novelat “Hi dhe shpuzë”, “Plagët tona” më 1924 etj.

Mid’hat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Les Albanais chez eux et a la l’Etranger” (1919), “Albanis et Slaves” (1919). Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte në krye të “Organizatës së Ballit Kombëtar”.

Mid’hat Frashëri në testamentin e tij shkroi: “Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj., i lë për krijimin’ e një “Institut Albanologjie” që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë”.

Ndryshe, Mid’hat Frashëri vdiq më tetor 1949, gjatë një udhëtimi për në Nju-Jork.

ObserverKult


PSE NUK U MARTUA MID’HAT FRASHËRI? HISTORIANI BUTKA FLET PËR HISTORINË E DASHURISË ME FUNKSIONAREN RUMUNE

Historiani Uran Butka ka folur në emisionin “Pas Mesnate” dhe për figurën e shquar të Mid’hat Frashërit. Ai është ndalur më konkretisht te dashuria e tij me rumunen Angela Romano.

Historiani ka ndarë detaje nga letërkëmbimi mes tyre, ku zbulohet dhe arsyeja se pse Frashëri nuk u martua asnjëherë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult