
Më 12 dhjetor të vitit 1939 u nda nga jeta Nikollë Idromeno, “Piktor i Popullit”.
I njohur edhe si Kolë Idromeno, ai ishte piktor, skulptor, arkitekt, urbanist, fotograf, kineast, kompozitor e inxhinier dhe konsiderohet si një pararendës i Realizmit dhe artit të peizazhit në Shqipëri.
Ai ishte i pari që realizoi shfaqjet kinematografike në Shqipëri, në 1919. Në vitin 1883 realizoi tablonë “Motra Tone”, që është dhe vepra e parë e rëndësishme realiste në pikturën shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë. Kolë Idromeno rrjedh prej një familjeje çame të ardhur nga Parga e Greqisë e të vendosur në Shkodër. Mësimet e para të artit i mori në studion e Pietro Marubbi-t, gjë që e vuri në kontakt me mediumin më të ri të kohës, fotografinë. Në moshën 16-vjeçare më 1875, ai shkon në Venecia ku kalon një periudhë të shkurtër studimi në Akademinë e Arteve të Bukura e më pas pranë studios së një artisti venecian.
Më 1878, me kthimin në Shkodër, shfaqi interesa e dhunti në disa fusha. U bë i njohur për projektet arkitektonike të një sërë ndërtesash publike e private në Shkodër, si Kafja e Madhe, Banka Kombëtare, disa shtëpi në dy rrugët kryesore të qytetit. Arkitektura që propozon ai sjell disa tipare perëndimore kundrejt arkitekturës orientale, që kishte depërtuar ndër shekuj.
Fondi i tij fotografik numëron 1300 negativë në xham në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe rreth 100 në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Kolë Idromeno pa dyshim është një artist poliedrik, i cili mjeshtrinë e vet artistike e shprehu përmes fotografisë, si nxënës i Pjetër Marubit, por gjurmët e veprës së tij gjenden kudo në Shkodër. Skicat që mbajnë firmën e Idromenos kanë nisur të realizohen që prej vitit 1903. Edhe zbukurimet në tavanin e Kishës së Madhe, janë realizuar me shumë kujdes dhe mjeshtëri nga dora e tij.
ObserverKult
Lexo edhe:






