
Më 7 gusht 1993 u nda nga jeta Athanas Banushi, aktori i njohur i humorit shkodran, i njohur si Tano Banushi.
Arsimimin bazë e kreu në Shkodër ku gjatë luftës ra në kontakt edhe me idetë e majta si pjesë e formacioneve kulturore pranë trupave partizane. Pas çlirimit u përfshi në strukturat artistike të qytetit nga ku do të kthehej një nga artistët më të përzemërt të qytetit, jo vetëm të Shkodrës por edhe të gjithë Shqipërisë, kryesisht pas shfaqjes së tij në Radio Televizionin Shqipëtar.
Tano, siç do t’i thërrisnin të gjithë dashamirësit e tij, krahas artit të humorit ka ushtruar edhe profesionin e gazetarit dhe instrumentistit, por zëri i tij do të ishte burim i humorit për dëgjuesit në valët e Radio Shkodrës.
Me krijimin e estradës profesioniste në Shkodër, Tano do të ishte një nga kuadrot e parë profesionistë në kuadrin e teatrit Migjeni, institucion nga ku doli edhe në pension por që kurrë nuk rreshti së punuari për estradën dhe buzëqeshjen e qytetit të tij.
Presidiumi i Kuvendit Popullor i akordoi titullin “Artist i Popullit”, me motivacionin: “Për veprimtari krijuese dhe interpretim në nivel të lartë ideo-artistik, në fushën e artit skenik dhe për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe lulëzimin e teatrit…”. Këtë titull e mori njëkohësisht me emra të tjerë të shquar të artit shqiptar si: Avni Mula, Marie Logoreci, Çesk Zadeja e Kristaq Antoniu.
Publiku e kujton me nostalgji Tano Banushin, për rolet e tij të shumta në skenë.
ObserverKult
Lexo edhe:
KUR TOLSTOI S’NDALEJ ME KRITIKA NDAJ SHEKSPIRIT: NDJEVA NEVERI DHE MËRZI…






