E pashë…atë që s’është më e imja…

rekomandime leximi nga arlind farizi

Nga Arlind Farizi

E pashë. Shpinën e saj si fjala injorim shkruar me të madhe. Rrinte po në atë cep rruge ku dikur nga po ai vend me ca hapa të holla ketri kërcente në veturën e ikësit. Aty fshihej ndër xhama të zezë ku banonte gjëma e madhe e mëkatit.

E pashë. Qe veshur bukur. Dhe pse asnjëherë veshja nuk e ka zbukuruar atë siç ndodh rëndom te disa vajza që nguten m’u bë gra. Ajo qe veshur bukur, dhe priste dikë. Po, ajo e priste dikë?! T’i lëshohej e papeshë trupit të mishtë të një burri të cilin jam i sigurt se nuk e do. Ta puthë atë burrin e paemër, mekanikisht, si një robot e dirigjuar nga fatthënësi saj. E priste dikë, një asnjëjës.

E pashë, e më ngjasoi në atë gjeth të zverdhur që bie pendueshëm në vjeshtën e jetës. E pashë dhe dita ime mori imazh sepia. Dhe, plus sot është e martë. Sikur të ishte e shkruar. Sikur duar ajri më morën e më sollën mu para saj. Afër shumë, afër sa një afërsi veturë – rrugë – trotuar. Vetura është jo vetëm automjeti që të bartë nga një vend në tjetrin, vetura ishte banesa, dhoma, qajeqeshja e tyre, hapësira ku ndjeheshin ose mashtronin veten se ishin të njëri-tjetrit. Përkohësisht, ashtu shkrirë në një, në karrigen e pasme të veturës. Dhe kënga hapej si diafragma e Coverlladit, is this love, …. Po në atë të vetmen karrige, ashtu një mbi një, dhe pse kishte vend plot. S’di pse kursenin hapësirë… E doja, si muzë, e doja si buzë e mish, e doja si femër, por e pranoj se më shumë e doja si personazh.

Veshur zi, si e zeza e fatit të saj thyer keq. Zi si vetulla e saj që s’di sa herë ia kisha puthur, e po ajo vetull e hollë strehonte këndshëm dy sy të mëdhenj të cilët për një çast sikur e thyen shikimin në xhamat e veturës që ajo e njihte mirë. E njihte dhe e donte veturën, dhe shoferin e keq të saj I cili teksa shihte në pasqyrë vendndodhjen e mëkatit, ndodh të puthtë lehtazi veturat përballë. Dilte u kërkonte falje, u thoshte se jam i harlisur, nuk të pashë, më fal, nuk më bëjnë frenat e veturës, as të pasionit… Disa herë qe zënë ngushtë, disa herë kishte dhënë shpirt në karrigen e pasme. Po aty nën ritmin e Coverdalit njëjtë rrihni zemrat, shpejt dhe madhërishëm, po si tapanat e rokut. Dëgjoheshin vetëm zanoret të buta të cilat mundoheshim ti mbanim të patheksuara për hir të moszbulimit. Ngjanin në ca zanore këngësh të atyre që guxuan për të ëndërruar dhe mëkatuar.

E pashë. Ajo priste dikë, për të takuar. Për ti thënë po-në e fundit kurrkush-it, njeriut të paemër, njeriu prej ashti e mishi, por jo ndjenje. Ajo e priste ndoshta një veturë më të mirë se imja, të re, dhe për nga kujtimet. Ajo e priste veturën e përemrit asnjërës që ta shpinte diku larg, madje më larg se vendet tona, ku ende ka gjurmë të udhëtimeve tona për dallim nga ky i fundit, ishin mbushura me frikën e moszbulimit. E pashë, ajo dukej e lumtur, në këtë mëngjes të marteje, ditës së shpikur për ne. e pashë ajo qe bë gati të martën tonë të shenjtë ti jepte dikujt.

E pashë. Ajo qe bërë gati për dikë. Për një asnjërës. Për një djalë me emrin kurrkush. Dhe kjo do jetë mrs kurrkush-ja. E paemër, e pa identitet, fluide, prej ajri dhe unaze… Vetëm dikur kishte emër por unë nuk arriti ti vendos mbiemër. Morfologji e rëndë dashurie, kjo?!. E penguar dhe lakuar nga bota. Me korrigjues të keq jete. Kalem të kuq ka mëkati.

E marta më nuk është dita ime. Si ajo që s’është më imja. Ajo tashmë është larg disa të marta./ ObserverKult

Lexo edhe :

ARTAN MULLAJ: DO TË IKI… NUK MUND TË DUROJ MË