Joli Agolli Paparisto është një ndër balerinat dhe koreografet shqiptare që prej 27 vitesh është larguar nga Shqipëria duke jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Miçigan, vend ku ka vijuar profesionin e saj dhe ka mbajtur traditën e folklorit shqiptar, valleve popullore duke themeluar dhe drejtuar Ansamblin e valleve “Gjergj Kastrioti”.
Por, jo vetëm, ajo ka qenë një ndër vajzat e para në Tiranë që shëtiste me motor. E për këtë, ajo ka luajtur në filmin shqiptar “Edhe kështu, edhe ashtu” të regjisorit Bujar Kapexhiu, e njohur në këtë rol si vajza me motor.
Joli ka qenë e ftuar në Klan ku ka folur për eksperiencën e sa në këtë film, për profesionin si balerinë në Amerikë dhe për jetën e saj private.
Rudina Magjistari: Si lindi idea për të qenë pjesë e filmit?
Joli Agolli Pararisto: Unë isha një nga vajzat që i jepja motorit dhe motori im ishte shumë i madh. Bujar Kapexhiu donte patjetër të gjente një vajzë që t’i jepte vërtet motorit për këtë rolin dhe më kishte parë sigurisht se më kishte parë e gjithë Tirana. Unë si një vajzë adoleshente, jo shumë e pjekur doja të rrija nëpër pishina, nuk e kisha fare terezinë për të bërë rolin, kështu që u lodh pak Bujar Kapexhiu për të më marrë, por më mori dhe unë e qava atë rol.
Më ka ndjekur gjithë kohës batuta. Kur u ktheva për herë të parë nga Amerika këtu, në rrugën e Kavajës dhe dëgjoj një që më thotë “waaa paska ardhur Joli shoqja e kursit!”. U gëzova shumë.
Rudina Magjistari: Si ishte në ato vite të kishe motor sepse ka qenë një gjë shumë e veçantë?
Joli Agolli Pararisto:Ishte adrenalinë, e jashtëzakonshme. Ishte një ndjenjë e bukur, isha e apasionuar pas çdo gjëje të re e të bukur edhe pse s’më lejohej sepse unë isha balerinë duhet të kisha shumë kujdes. Por adrenalina ishte shumë e bukur dhe e madhe dhe nuk e rezistoja dot.