E qeshura, historia e fotografisë së realizuar dikur në Shkodër

(Foto: ime më e para në të majte të fotos, në krah të saj Engjëllushe Mezini, motra e kompozitorit Kujtim Laro dhe pedagoge e njohur e mjekësisë shqiptare, pas tyre edhe  Aneta Milo...)

Nga Artan Gjyzel Hasani

Luigj Benussi, shkodran me origjinë italiane, ishte pedagog i Latinishtës dhe Biokimisë i nënës sime në vitin 1954 në Shkollën Mjekësore (Te Medreseja). Shkencëtar kalibri dhe pedagog shumë strikt, i edukuar dhe fisnik.

Por si të gjithë shkencëtarët, i hutuar dhe i ndrojtur në prani të turmave, nxënësve në këtë rast. Beqaria e tij stoike, vetullat e tij të trasha dhe shqiptimi jo i mirë i gjuhës shqipe bëheshin shkak që nxënësve t’u vinte për të qeshur gjatë orës së tij.

Kështu në një rast, nëna ime po qeshte gjatë shpjegimit të mësimit dhe profesor Benussi i thotë:

“Ti me pallto të çile qitu pêrjashta!”

(Edhe pse ishte pranverë, profesor Benussit i ishte fiksuar që nëna ime në dimër vishte një pallto jeshile).

Atëherë kishte plasur e qeshura edhe me shumë dhe profesori i nxori jashtë nënën time dhe 4 nxënëse të tjera.

Por ajo që e bën pikante këtë ndodhi është fakti fotografik i saj: nxënëset duke qeshur te oborri i shkollës në çastin kur profesor Benussi i ka nxjerrë nga mësimi për ndëshkim. Fotografi, një tjetër beqar plak, rrinte vazhdimisht te oborri i shkollës dhe nxirrte bukën e gojës me fotot që u bënte nxënësve.


Lexo edhe:

AGIM VINCA: ARTISTI I MANSARDËS PARISIENE

ObserverKult