E rëndësishme është që libri ta bëjë lexuesin të zbulojë, shijojë dhe reflektojë




Ndue,
Më gëzoi pa masë leximi i këtij libri, për çka të falënderoj.
E di që mund të presësh të shkruaj ndonjë mendim kritik, vlerësues, etj., por besomë që nuk kanë fare rëndësi mendimet kritike, vlerësuese. E rëndësishme është që libri ta bëjë lexuesin të zbulojë, shijojë dhe reflektojë.

Nga Shqiponja Axhami Troto

Unë nuk jam kritike letrare dhe uroj të mos jem kurrë. Për mua të gjithë librat sado të mirë ose më pak të mirë mbeten të mbështjella nën një tis hyjnor dhe i çmoj. Gjithsesi di edhe te bëj ndonjë analizë duke përmendur fjalë të mëdha, që na u desh t’i mësonim që në shkollë të mesme.
Por unë zgjodha një mënyrë krejt tjetër të vlerësimit të këtij libri, atë të një letre të çiltër duke të përshkruar gjithçka ndieva para dhe pas leximit. Ditën kur mora librin qe një ditë e trishtë për mua. Ngarkuar nga kjo kohë makthi, që orvatet të na pushtojë çdo qelizë, e përjetova jo pak refuzimin e të gjitha shtëpive botuese, për botimit të librit tim të fundit. Mbase është paradoksale të kërkojmë të botojmë poezi në kohë pandemishë,- them me vete dhe nis lexoj librin tënd “Mbretëria e ëndrrave” .
Tregim pas tregimi që nga “ Ëndrra e perandorit” dhe deri te “Mbretëria e ëndrrave” një rrjedhë rrëfimi tërheqës, dinamik, që të rrëmben. Por unë do të shkruaj pak më gjatë për tregimin e parë “Ëndrra e një perandori”, duke qenë e bindur se në secilin tregim përsëriten cilësi dhe vlera, që fashohen njëtrajtësisht duke ruajtur ekuilibrat e fabulës.
Siç e përmenda më sipër, do të druhem të shkruaj fjalë kritikësh si për shembull: këto proza pluskojnë në një plazmë empirike që orvatet të mbërthejë çdo element të prozës moderne, ose, ndërthurja e elementeve të prozës moderne është pudrosur butë me elemente të artit magjik, ose, prerja kafkiane në një prizëm unik, që lejon të depërtojë pa shumë mundim nëntekstin.
Më pas do të mundja të rreshtoja plot cilësi tjera: të një leksiku të përzgjedhur, simbolik, të situatave nën peshën e tangenteve të luhatjes të ndërgjegjes dhe nëndërgjegjes nën përceptimin frojdian, të nëntesktit të veprimit , të fuqisë së fabulës deri tek efekti estetik i padisktueshëm.
Por unë kam zgjedhur të flas tepër thjeshtë. Pasi lexova “Ëndrra e një perandori” më beso se ndjeva, një si lehtësim. Mbase gjithë jetën jemi orvatur të shijojmë orët e perandorive, të pushtetit, të fuqisë dhe asnjëherë nuk mundëm. Të qenurit një element i thjeshtë na është neveritur shpesh, por kur lexon këtë tregim që jep kaq bukur makthin e një perandori, frikërat e tij, boshësinë gati absolute, ndjen neverinë e ëndrrës së mbretërimit. Si shembull i një perandori të lig, atë e dënon tmerrshëm një ëndërr, deri në fatalitetin e tij, vdekjen. Nuk ka se si të ketë një fund ndryshe, një perandor që ka shpërfillur vlerën e sojit njerëzor, duke shfrytëzuar pushtetin e tij, duke burgosur, duke vrarë.
Të vdesësh çdo ditë pak e nga pak nga një ëndërr e ligë, është dënimi më i tmerrshëm që mund t’i bëhet njeriut. Duke mos dashur ta quaj prapë me gjuhë kritikësh kulmi i artit, do të them që ajo ëndërr që i shfaqet perandorit, ku në vend të statujës së tij, shikon të ngritur statujën e një poeti, është tingulli më i skajshëm i një lahute në këtë tregimi. Për sa kohë perandoritë e liga që shfrytëzojnë pushtetin në dëm të vlerës dhe individit, shemben dhe frikësohen nga një poet, simbol i artit, qytetërimet do të kenë ende shpresë.
Ndaj dhe unë u lehtësova. Fundja nuk është fundi i botës të refuzohesh nga botues. E rëndësishme është që të ndjekësh ëndrrën, atë ëndrrën e bukur të të qenurit poet. E çliruar nga fakti i të qenurit një njeri i thjeshtë, pas leximit të këtij libri preferova të ha me shije një salmon të fërguar dhe dy patate furre, duke përsëritur me vete fjalët e fundit të këtij libri:
Tani s’ mund ta di sa do të zgjasë lëngata ime, por më duket se s’do ta pres vjeshtën e artë që e dua shumë. Prej asaj dite kur mbeta i vetëm në shtëpi, jam i trazuar dhe më duket se një dorë torturuese është brenda meje. Jashtë gjithçka duket e zakonshme. Njerëzit kanë frikë, por për mrekullinë e sojit tim, ata s’e dinë se edhe perandori ka frikë.
ObserverKult