Të kalosh adoleshencën në burg, është traumë e madhe për një njeri, por të kalosh adoleshencën në burgjet komunistë është shumë më tepër se kaq. Luara Keçi ishte vetëm 16 vjeç kur u burgos nga regjimi komunist, sepse kishte guxuar të bëntë kryqin në mes të rrugës.
Ishte përndjekur nga sigurimi pasi shpërndante trakte kundër regjimit. Laura është e bija e Gjeto Keçit, ish-luftëtar i Spanjës, lidhur pas idealit të kohës së tij, i zhgënjyer shumë shpejt nga regjimi komunist. Ai reagoi kundër sistemit dhe shumë shpejt u shpall armik i popullit. Pasojat e babait do të binin shpejt tek e bija Laura.
Arrestimi
“Në vitin 1973, kohë e ashtuquajtur si revolucioni kulturor, arrita të shpërndaj trakte. Ato i kisha formuluar vetë dhe i kisha vendosur në fletët e regjistrit të shkollës. Të njejtat i deponova më vonë në hetuesi… Dikush më ndiqte. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që fill pasi bëra kryqin para kishës, në sy të dy shoqeve të mia, njëra prej të cilave më denoncoi, ndodhi ajo që ndodhi. Fotografia ime ishte vënë në Muzeun Ateist. Edhe pas burgut, fotografinë e kam parë atje. Hetuesi që mori përsipër çështjen, Sh. Çoku, do të kishte “armike” një 16-vjeçare. Gjatë hetuesisë u ushtrua dhunë psikologjike, vështrimi i lemerishëm i hetuesit donte të më gjunjëzonte me çdo kusht.
Kësaj nuk ia arriti kurrë. Donin të përdornin elektroshokun si torturë, por nuk arrita ta provoj. Si kundërpërgjigje bëra grevën e urisë. Ndenja 75 orë pa ngrënë.
Më futën në qeli me një spiune e provokatore. Menjëherë kuptova se gjendesha në kurth. Më sollën më pas një mjek psikiatër, të cilit iu luta të mos shënonte asgjë që nuk konstatonte. Doja të tregoja se isha krejt në rregull dhe çdo gjë e bëja me vetëdije…”.
Këto janë vetëm boshti i kujtimeve të hidhura të Laurës, ato që as do donte t’i përmendte po të mos ia kërkonin, transmeton ‘kujto.al’.
Dita e gjyqit
“Unë, e akuzuara 16-vjeçare dhe dëshmitarët: mësuesit, drejtori, shoqet e mia…, pak më tej populli. Ai ishte gjithnjë me mua.
Nga përgjigjet që i dhashë gjykatësit për partinë e udhëheqjen, ai tha: Vetëm këto fjalë janë të mjaftueshme për të vuajtur dyfishin e dënimit. Prokurori më tha se do të më shtypnin si krimbin. Drejtori i shkollës vijoi: shpata e drejtësisë do të bjerë mbi Laurën dhe të gjithë armiqtë. Ime më u ngrit për të thënë se ç’armike mund të ishte një vajzë e parritur… Nga dënimi fillestar me 8 vite, për shkak të moshës më lanë katër.
Sapo mbërrita në qeli, m’u vërsulën si të tërbuar pesë policë për të më lidhur duar e këmbë se pse u kisha sharë udhëheqësin.
Mbaj mend që dhoma u bë krejt e kuqe dhe unë kafshova këmbën e atij që ma vuri në gjoks. Përmes thirrjeve ndjeva se gojën e kisha të mbushur me gjak. Kjo ishte historia e gjyqit tim… Ndërsa jo më e lehtë ka qenë edhe ajo pas burgut, kur u degdisa në Zukth-Kashta për të punuar.”
Fatbardha Saraçi e ka përfshirë historinë e Laura Keçit në librin “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”.
ObserverKult
———
Lexo edhe: