E tmerrshme: I diplomuar në Tuluzë, i gjymtuar në burgjet e diktaturës

Jeta e Adem Belit, një prej agronomëve të rëndësishëm shqiptarë, e rrëfyer përmes përshkrimit të të birit, dokumenteve zyrtare dhe fotove domethënëse. Një jetë e ndarë mes kontributit të vyer në disa sektorë të bujqësisë dhe torturave çnjerëzore në qelitë e diktaturës. Rryma elektrike në veshë dhe goditjet në shputat e këmbëve i lanë dëmtime të pariparueshme e megjithatë, pas daljes nga burgu, ai vazhdoi të shërbente aty ku ua kishin nevojën dijeve dhe përvojës së tij. Tulipanët dhe gladiolat eksportoheshin me sukses në Holandë, por ato nuk mund të tregonin për torturat e agronomit të tyre dhe padrejtësitë e tokës ku rriteshin

E kush e ka menduar që Holanda e tulipanëve, në vitet ’70, një pjesë të luleve të saj simbolike i importonte nga Shqipëria! E bashkë me tulipanët, irisë, zymbyla, zambakë e gladiola…Kultivimi i tyre mbikëqyrej nga Stacioni Eskperimental i Florikulturës, drejtues teknik i të cilit, në vitin 1971, u bë agronomi Adem Beli. Ademin e caktuan në këtë stacion që rezultoi shumë i suksesshëm, për të plotësuar vitet e punës, pasi kishte dalë në pension të parakohshëm për shkak të gjendjes shëndetësore. Shqetësimi kryesor ishin këmbët që, të gangrenizuara dikur prej torturave në birucat e hetuesisë dhe punës për tharjen e kënetës së Maliqit, ishin acaruar më pas nga ecja, terreni i kooperativave ku e caktonin dhe çizmet e llastikut që nuk iu ndanë gjatë viteve të punës në fshatra.

I riu premtues

Siç thuhet në jetëshkrimin e tij, që i biri, Arben Beli ka mundësuar për kujto.al, shtëpia ku, në vitin 1909, u lind Ademi, në Korçë, ishte një nga qendrat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pranë oxhakut të së cilës mblidheshin Sali  Butka, Mihal Grameno, Spiro Bellkameni etj..

Familja Beli, ne vitet e rinise se hershme te Ademit

Ai ishte një nga nxënësit e shkëlqyer të Liceut Francez ku filloi të studionte në vitin 1921 dhe më 1924 nisi Shkollën Ushtarake Mbretërore në Tiranë të cilën e përfundoi në vitin 1931.

Adem Beli, nxenes i Liceut Francez
Ademi, student ne Shkollen Ushtarake, viti 1928

Punoi për pak kohë si oficer dhe në fillim të vitit akademik të vitit 1935, nis në Itali, Fakultetin e Mjekësisë Veterinare. Mbaron vitin e parë aty dhe zhvendoset në Universitetin e Tuluzës në Francë ku përgatitet si inxhinier agronom.

Pare des Sparts Toulouse 1938, Adem Beli, Zekirija Rexha dhe Valentina Topciu me te birin

U diplomua në vitin 1939 dhe në fund të atij viti u kthye në atdhe. Ademi ishte një i ri aktiv që u përfshi në veprimtaritë antifashiste dhe ndihmoi në mbledhjen e kontributeve financiare për të mbështetur Luftën Civile të Spanjës gjatë kohës që ishte në Tuluzë e Paris.

Në Shqipëri, u emërua kryeinspektor i bujqësisë në prefekturën e Vlorës. Ai kishte ide nacionaliste për një demokraci liberale perëndimore. Edhe këtu, vazhdoi të ishte njëkohësisht i angazhuar në punën shkencore dhe në zhvillimet kombëtare. Ndërsa trajtonte kulturën e ullinjve të bregdetit, zyra e tij në Vlorë u shndërrua në qendër të organizimit të demonstratave antifashiste.

Vlore, Adem Beli, ne mes, me Ymer Alikaj, nga Vranishti, nepunes banke dhe Dinush Kokoshin

Bashkëpunonte me nacionalistët Skënder Muço dhe Hysni Lepenica dhe mori pjesë në luftën e Gjormit dhe veprime të tjera luftarake. Megjithatë, pikën kulmore të acarimit, marrëdhëniet e tij me pushtuesit italianë e arritën kur ai refuzoi të firmoste shitjen atyre të fushës së aviacionit. Emri i tij u shtua në listën e internimeve në Ventotene që Ademi i shpëtoi duke u hedhur në ilegalitet. Në Vlorë la pas një bazë të saktë të dhënash për çdo rrënjë ulliri, të ndërtuar sipas modelit francez. Jo vetëm kaq, por organizoi edhe punën për ndërtimin e Stacionit të Parë Sinoptik të Vlorës. Mbas tetorit të vitit 1943, rikthehet në detyrë si kryeinspektor i përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë.

Ademi ne vitin 1943
Familja Beli ne vitin 1943

Pas luftës, kur Shqipëria po përgatiste kuadrot e rinj në sektorë të ndryshëm, Adem Beli drejtoi kurset e para për formimin e mekanikëve, traktoristëve dhe drejtuesve të bujqësisë në fermën e Xhafzotajt, pasi ai kishte marrë në Tuluzë edhe dy diploma plotësuese për traktorist dhe manovrator të makinerive bujqësore. Më pas transferohet në Berat ku angazhohet, ndër të tjera, me problemin serioz të karkalecave që shkatërronin të mbjellat e asaj periudhe.

Vitet e reja të mbrapshta

Kishte vetëm 7 vite që ishte kthyer në Shqipëri, kur e arrestuan. I vunë prangat më 31 dhjetor të vitit 1946. Të nesërmen për të do të niste një vit dhe një jetë e re, e kundërta e asaj që zakonisht njerëzit janë të prirur të shpresojnë me optimizëm në fillim të një viti. Jo vetëm për të, por edhe për familjen. Në këtë kohë Ademi ishte martuar me Shadije Alizotin dhe prej 2 vitesh ishte bërë baba i një vajze.

Adem Belin e akuzuan për tradhti në bashkëpunim me grupin e deputetëve të kryesuar nga Riza Dani.  37-vjeçari provoi mbi trupin e tij disa nga torturat më të egra të manualeve që hetuesve shqiptarë u kishin rënë në dorë: goditje elektrike me fije të vendosura në veshë, goditje me shkopinj në shputat e këmbëve, mbushja e birucës me ujë, ku, prej plagëve të hapura e të patrajtuara, shumica e gishtërinjve po i shkëputeshin. Për një vit të tërë, hetuesit me në krye Nevzat Haznedarin dhe Stavri Zharën, nuk u lodhën së e torturuari. E lëshonin vetëm atëherë kur era e këmbëve të gangrenizuara iu bëhej e padurueshme. Nuk merreshin vetëm me trupin, por edhe me shpirtin. E torturonin psikologjikisht duke e çuar në një vend të panjohur ku i vinin litarin në qafë me kërcënimin që do e varnin po të mos tregonte bashkëpunëtorët. I fusnin spiunë në birucë…Megjithatë ai nuk e hapi kurrë gojën.  Akuza e tij dhe e një grupi të tërë të arrestuarish ishte se kishin “formuar komitete të Ballit Kombëtar, se kishte ekzekutuar vendimet e Komitetit Qendror të përbashkët dhe nëpërmjet funksionarëve të UNRRA-s, janë lidhur me kriminelët e arratisur në Itali, Mid’hat e Mehdi Frashëri, Ali Këlcyra etj. prej të cilëve kanë marrë udhëzime, ndihma dhe u kanë dhënë informata”. Morali i fortë, stoicizmi që buronte nga vlerat familjare dhe patriotike, besimi në Zot, i dha atë forcë të paimagjinueshme për t’u rezistuar të gjitha përpjekjeve të tyre që të pranonte fajin. I mbetej të priste ekzekutimin që ia kishin premtuar më shumë sesa një herë, mirëpo kur doli në gjyq, në janar të vitit 1948, u dënua me 20 vjet heqje lirie dhe punë të detyruar për organizimin e komiteteve kundër pushtetit popullor.

Meritën për ndryshimin e vendimit e kishte ndërhyrja e të vjehrrit, Ali Demir Alizotit. Emrin e tij e gjejmë në përshkrimet e hershme si një nga themeluesit e fabrikës së trikotazhit në Korçë, ku bashkëshortja e Koçi Xoxes, kishte qenë drejtuese teknike për disa vjet. Kjo njohje e vjetër, bëri që Ademit t’i falej jeta, por nuk ishte ndërhyrja e vetme që e ka shpëtuar mrekullisht jetën e tij gjatë viteve të dënimit dhe përndjekjes. Këtë të dënuar me këmbë të gangrenizuara e çuan në kampin ku të dënuarit punonin me këmbë të zhytura në baltë për tharjen e kënetës së Maliqit. Gjendja e tij u rëndua, por me ndihmën e çmuar të doktor Isuf Hysenbegasit, plagët iu mbyllën. Megjithatë, veçse i shurdhët nga veshi i djathtë dhe pjesërisht nga i majti, prej goditjeve elektrike, ai mbeti përgjithmonë i dëmtuar edhe nga këmbët.

Adem Beli vuajti gjithe jeten pasojat e demtimeve ne birucat e diktatures. Kjo foto eshte e vitit 1994

Gjatë vitit që torturohej në hetuesi, qeveria shqiptare vazhdonte reformat e saj, të cilat do të preknin edhe familjen e Ademit. Fabrika e trikotazhit të të vjehrrit, ku në vitet e para ishte angazhuar edhe Shadija, do të shtetëzohej. Pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të Ademit u sekuestruan si pjesë e dënimit. Të gjitha këto ia vështirësuan edhe më shumë jetën bashkëshortes së tij, e cila kishte mbetur e vetme me vajzën e tyre dyvjeçare, Zanën.

Ali Alizoti me te bijen, Shadije
Familja Beli dhe Alizoti, viti 1943

Gangrenë në këmbë, gladiola në shpirt

Në vitin 1952, Adem Beli lirohet me kusht dhe çohet, sigurisht i survejuar, të punojë si i burgosur në Gjazë të Lushnjës. Nga aty e çojnë në burgun e artizanatit në Tiranë, për të përkthyer literaturë nga italishtja dhe frëngjishtja. Në këtë kohë ndodh sërish një nga ato ndërhyrjet mrekullibërëse që i jep lirinë agronomit që regjimi kishte vendosur ta kalbte në burg. Drejtori i burgut, Laze Sulejmani, nga Vlora, e cili e njihte që në vitet e punës së Ademit në Vlorë, habitet kur e sheh dhe i premton se do të fliste me vlonjatin tjetër, Hysni Kapon, për ta nxjerrë që aty. Hysni Kapo, i cili njihte kontributin e Ademit në Francë e më pas në qytetin e Vlorës, arrin që ta lirojë përfundimisht nga burgu. Nga viti 1954 deri në vitin 1971, kur doli në pension të parakohshëm, Ademi punoi si agronom në kooperativa të ndryshme të Shkodrës, Lezhës, Krujës e Tiranës. Gjatë këtyre viteve implementoi metoda origjinale të suksesshme, siç ishte ajo e pehrimit të kombinuar, për të cilat dekoratat shkonin në duart e kryetarit të kooperativës. Megjithëse Ademi arriti të kthehej në profesion, nuk do të thotë se reja e përndjekjes u largua nga ai. Në vitin 1957, e caktuan pedagog në Shkollën e Kuadrove të Kooperativave Bujqësore, por me ta marrë vesh drejtori se kush ishte, bëri çmos derisa e pushoi nga puna.

Shadije Alizoti Beli, viti 1940

Me të njëjtin trajtim të padrejtë u godit dhe familja e tij, megjithëse ata patën fatin të mos internoheshin. Bashkëshortja, megjithëse një ish-liceiste ekselente dhe njohëse e disa gjuhëve të huaja, nuk mundi të ishte më shumë sesa edukatore kopshti.

Vajza e madhe, Zana, megjithëse mbaroi me rezultate të larta shkollën Pedagogjike, punoi deri në rrëzimin e regjimit komunist, vetëm nëpër fshatra. Djemtë e tij, të lindur pas daljes nga burgu, Lirimi dhe Arbeni, pavarësisht aftësive intelektuale-Lirimi ishte një nxënës ekselent, siç thekson i vëllai- nuk vazhduan dot studimet e larta si bashkëmoshatarët e tyre, por u dërguan në repartet e punës, “ku kishte nevojë atdheu”. Ashtu si kishte shkuar gjatë gjithë jetës edhe Adem Beli.

Adem Beli, me familjen e djalit te madh, Lirimit, dale me 13 korrik 1994

Agronomi e mbylli karrierën në sektorin e kultivimit të luleve bulbore që kontrastonte për nga bukuria dhe ngjyrat me gjendjen e tij. Jeta e Ademit ishte krejt e kundërta e një fushe me lule. Kishte mes tyre, megjithatë, një lule që përputhej me shpirtin e agronomit: gladiola, që në shumicën e kulturave, simbolizon forcën e karakterit, ndershmërinë, integritetin dhe të mos dorëzuarit kurrë. Më 1996-ën, dy vite para se të ndërronte jetë, Adem Beli u nderua me medaljen “Pishtar i Demokracisë”.

kujto.al

Falënderojmë të birin e Adem Belit, Arben Belin, për të gjitha të dhënat dhe fotot e mundësuara për këtë shkrim!