E tmerrshme: I riu nga Shkodra u nda nga jeta në galeri dhe u mbajt në burg derisa kreu dënimin…

Foto ilustrim

Agim Akcani: Kol Mani, i riu nga Shkodra vdiq në galeri dhe u mbajt në burg i vdekur derisa kreu dënimin...

“Kola kishte një javë që kishte vdekur, dhe ne nga cepi i taracës ku bëhej apeli, shihnim njerëzit e Kolës që kishin ardhur për takim.

Ata nuk e dinin që ne kishim ditë që po punonim për ta nxjerrë dhe komanda nuk u tregonte që Kola kishte vdekur. I thoshnin të ktheheshin në shtëpi se Kolës nuk i lejohej takim se ishte i dënuar në birucë. I gënjenin.

Ikën familjarët e gjorë, dhe u kthyen përsëri në fund të javës dhe prapë nuk i treguan se si ishte puna. E kanë marrë vesh mbrapa prej familjarëve të të burgosurve të tjerë”.

“Autoburgu, kur futeshe brenda, i ngjante një kutie sardeleje. Vetëm në majë te kabina kishte një vrimë të vogël për të marrë ajër. Sa ajër mund të merrje? … me një palë hekura lidheshin dy veta, dhe kur rrokullisej njëri, rrokullisej edhe tjetri i lidhur me të”, kështue  kujton udhëtimin drejt burgut të Spaçit, Kujtim Akcani, i dënuar me 21 vjet burg në kohën e diktaturës.

Ai rrëfen ferrin që ka provuar në burgune  Spaçit, vuajtjet nga uria e puna e detyruar në minierë si dhe dhunën e xhelatëve në burgun famëkeq.

“Kemi udhëtuar shumë gjatë. Di vetëm që kur jemi futur tek porta e hekurit të Spaçit makinën e kontrolloi policia, dhe pastaj e lejoi të futej brenda në oborr. Pastaj na morën në dorëzim. Kur zbrita m’u shfaq një pamje e atillë që me vete kam thënë se aty edhe Zoti paskësh bërë një kompromis.

Një burg artificial, një vizion që shkonte përtej shqisave, që vetëm një mendje e çuditshme mund të arrinte të gjente një vend të tillë.

Dhe e çuditshme është që ata që i kanë ndërtuar burgje të tillë, të parët, kanë rënë vetë brenda e pastaj të tjerët. Pashë që në krahun tjetër ku ndalej autoburgu, të burgosurit e vjetër dilnin dhe shihnin se kush kishte ardhur.

Më kujtohet zoti Bajram Dervishi, që sot e kam edhe mik, që kur shkuam, na shihte edhe qeshte. Me mendjen time thosha: “Paska marrë fund ky i shkreti!” Por jo nuk ishte çmendur; ai qeshte se ishte mësuar.

Edhe sot qesh edhe pse është mbi shtatëdhjetë vjeç; është njeri shumë i mirë dhe ka bërë 28 vjet burg. Të nesërmen e ditës që shkuam në Spaç, na caktuan në punë, në minierë”, rrëfen Akçani, i cili më poshtë jep detaje të rëndësishme për jetën në burgune Spacit, dhe çfarë i panë sytë në zgafellate  vdekjes. .

Ishte verë apo dimër kur shkuat?

Ishte tetor; nuk kishte filluar tamam i ftohti. Por më kujtohet se isha shumë i kënaqur atë periudhë se lexonim në gazetën “Zëri i Popullit” teorinë kineze të tri botëve, dhe si çdo gjë të re që dilte, e komentonim dhe i bënim analizën me shokët tanë.

Kjo ishte mënyra se si shkurtonim vitet e regjimit, se përndryshe do të kishim vdekur. Pra, kishim shpresë.

Dhe me parashikimet që kemi bërë ne në atë kohë, nuk kemi gabuar shumë; mund të kemi gabuar me muaj, por jo me vite.

Pra, me të zbritur, na regjistronin në zyrën teknike, dhe na çonin të punonim në minierë. Në minierë, të jepnin disa rroba pune, kominoshe, dhe një palë çizme, por çizmet nuk kishin më vlerë se kur futeshe brenda në galeri, ishe i gjithi qull.

Gjatë gjithë viteve që kam punuar në minierë, nuk i mbaj mend ndonjëherë të thata teshat. Aty brenda temperatura ishte 40 gradë.

Ishte një tunel katër pesë kilometra i thellë. Pastaj ngjiteshin 3-4 kate lart, pastaj shkonim përsëri horizontalisht. I gjithë Mali i Munellës ishte galeri, me nëntë kate. Po të mund të rrije në këmbë, nuk do të ishte keq, por atje të duhej të rrije gjithë kohën i kërrusur.

Vështirësitë ishin kolosale. Kishte raste kur shkriheshe si qiriu, gjithmonë i lagur. Për fat të mirë, acidi që të binte gjithë kohën në trup dhe në kokë nuk të bënte gjë.

Çizmet mbusheshin plot; i shkarkonim dhe i vishnim prapë. Pra çizmja nuk kishte pikë vlere, vetëm sa për të të mbrojtur nga gurët që të mos vriteshe.

Acidi nga pikonte?

Me currila nga tavani i galerisë. Ne mbushnim vagonat me lopatë. Nëse punoje turni i parë dhe nuk e bëje normën, shkoje në kamp e të nxirrnin prapë që të vazhdoje punën edhe në turnin tjetër. Çdo person kishte katër vagonë normë për të mbushur.

Një vagon ishte një ton. Por problemi ishte se me bakër dhe pirit, e sidomos pirit, nuk mund ta mbushje lopatën plot se minerali ishte shumë i rëndë; mbushje vetëm majën e lopatës që ta ngrije, se nuk e ngrije dot.

Kështuqë të duheshin orë të tëra për të mbushur një vagon. Por kishe edhe punë të tjera përveç mbushjes së vagonëve; do të bëje birat me martel, që t’i lije turnit tjetër material. Do të vije edhe trupat që ishin prej druri ose betoni. Por e keqja më e madhe nga të gjitha, ishte era e dinamitit që nuk kishte se ku shkonte, se atje futej ajri me tub.

Kishit probleme me frymëmarrjen?

Ç’frymëmarrje! Ne ishim të vdekur dhe të mbaruar. Ka pasur edhe njerëz që i zinte gjumi, që po të mos kishin shokë afër, ishe i vdekur. Vdisje në gjumë prej gazit. Në galeri kishte gaz, prandaj duhej të ishe zgjuar gjithmonë.

Dhe kishte raste në dimër, kur nga temperatura 40 gradë brenda, dilnim të lagur jashtë ku temperatura mund të ishte minus 16 gradë.

Dhe mbijetuam, sfiduam natyrën. E bukura është që sot as nuk na i njohin vitet e punës në minierë, dhe na thonë se nuk kemi dokumente. Ne jetojmë në vendin e absurditeteve.

Ka pasur momente rebelimi?

Ka pasur por nuk kishe nga t’ia mbaje, se ishte e pamundur. Ka pasur njerëz që kanë shpuar ndonjë vrimë e kanë dalë, por edhe ata kanë arritur të shkojnë deri në kufi, por atje kanë mbetur se nuk ishin të përgatitur për rrugë të gjatë; do të ngordhje urie. Plus që rrugën s’e njihje, dhe këta e kishin popullin “ushtar”, nuk mund t’u shpëtoje.

Ju kujtohen incidente për shkak të kushteve të punës në minierë?

Jo një, por disa të tilla. Në galeri kishte deri tre-katër incidente në ditë. Nganjëherë edhe dy deri tre të vdekur në ditë. Nuk ndodhte të kalonte java pa vdekur ose pa zënë galeria një njeri. Po tregoj rastin e një djali të ri nga Malësia e Shkodrës: Kolë Mani quhej. Ishte 28 vjeç. Punonte në një front piriti. Piriti është si tip rëre.

Ndodhi një shembje dhe e zuri brenda. Ne kemi punuar dy javë për ta nxjerrë atë njeri; hoqëm materialin dhe nxorën trupin. Dhe mbaj mend që e kemi gjetur në këmbë. I vdekur por në këmbë.

Dhe shiko se çfarë ndodhi: Kola kishte një javë që kishte vdekur, dhe ne nga cepi i taracës ku bëhej apeli, shihnim njerëzit e Kolës që kishin ardhur për takim.

Ata nuk e dinin që ne kishim ditë që po punonim për ta nxjerrë dhe komanda nuk u tregonte që Kola kishte vdekur.

I thoshnin të ktheheshin në shtëpi se Kolës nuk i lejohej takim se ishte i dënuar në birucë. I gënjenin. Ikën familjarët e gjorë, dhe u kthyen përsëri në fund të javës dhe prapë nuk i treguan se si ishte puna. E kanë marrë vesh mbrapa prej familjarëve të të burgosurve të tjerë.

Edhe trupin nuk ia kthyen familjes?

Sigurisht që jo. Sipas rregullit, edhe i vdekur, i burgosuri duhej të kryente dënimin, pastaj i kthehej trupi familjes.

Çdo ditë në zgrip. Ju vetë a kishit frikë në fillim kur hytë në minierë?

Njeriu është qenie që vetëpërshtatet dhe është i destinuar t’i nënshtrohet fatit. Aq më tepër që kur, në të dhjetën e sekondës, mund të bëje një llogari të thjeshtë: Unë isha njëri nga të burgosurit e fundit, i vitit 1975, kur burgosjet e vuajtjet të tjerët i kishin filluar shumë herët, njerëzit ishin kalbur, duke filluar që në vitin 1944, kur erdhën në pushtet komunistët. Unë isha fatlum në krahasim me ta.

Dhe mbi kombin shqiptar nuk është bërë veç genocid por edhe democid. Edhe të vdekur, i kanë dhunuar njerëzit ata./kujto.al


Lexo edhe:

SHKODRA NË 4 FOTOGRAFI TË MË SHUMË SE NJË SHEKULLI MË PARË

Nga Roland Qafoku

Duke qenë se Shkodra u kthye në qendrën e gravitetit të zgjedhjeve të 14 majit. Po publikoj sot diçka të lidhur me historinë e këtij qyteti.

Shkodra është nga ato shumë pakta qytete në Shqipëri. Që jo vetëm ka lashtësinë prej rreth 3 mijë vjetësh. Por që e ka ruajtur qytetërimin.

Madje në mënyrë të vazhdueshme.

Shkodra ka qenë qytet kur shumë kryeqendra të Evropës së sotme. Pra nuk ishin as vende pushimi për kuaj.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult