E tmerrshme: Ja çka e detyruan komunistët “të bënte” babai me djalin e tij që e kishin vrarë…

Foto ilustrim

Shyqyri Llulla ishte vetëm 18 vjeç, në gusht të vitit 1962, kur komunistët e vranë e më pas e lanë trupin e tij në mes të fshatit, që ta godisnin të gjithë me shqelm si “armik i popullit”. Si të mos mjaftonte kjo, ata e morën babain e tij, e ulën në karrige para trupit të të birit të vdekur dhe e urdhëruan: Godite!

Dëshmia rrëqethëse vjen nga vëllai i vogël i Shyqyriut, Mydan Llulla, i cili e pa t’ia masakronin vëllain në mes të fshatit.

Kujto.al boton të plotë këtë dëshmi, që tregon një kalvar vuajtjesh të kësaj familjeje shqiptare, të cilët u internuan pse guxuan t’i hidhnin një dorë dhé mbi varr djalit që u vra. Dëshmia është pjesë e arkivës së familjes Doko.

Dëshmia e plotë nga Mydan Llulla:

Unë kam lindur në 28 nëntor 1945. Gjatë gjithë jetës tonë, nuk kemi qenë ndonjë familje e pasur, familje e mesme kemi qenë, punëtorë kemi qenë. Për babain flas, se ne kemi qenë të vegjël në atë kohë. Në vitin 1957 na vdiq mamaja, na ka lënë të vegjël. Më i madhi ishte një vëlla tjetër, Shaban quhej- është në Amerikë tani ai… pas atij, vinte ky që u vra. Ishte datëlindja 1944, unë isha i ‘45, një vit më i vogël. E kishim një fëmijë të vogël që na la mamaja, ishte 6 muajsh. Atë nuk e përballonim dot. U detyruam, bëmë disa dokumente dhe e dërguam në shtëpinë e fëmijës në Korçë.

Atje jetoi disa kohë ai. Kaloi një dimër i ftohtë edhe na thanë: Ka vdekur, hajdeni merreni. Ne nuk kishim mundësi ta merrnim atë, se ishte shumë dimër. Vazhduam deri në gusht të ’62… vëllai im i madh, Shyqyriu, u rrit u bë 18 vjeç. Ka qenë këtu në festën e 7 gushtit atë ditë ai. U kthye në shtëpi, kishte dhe një shok tjetër, Namik quhej. Atë ditë më thotë: Do shkoj deri në çetë tek daja, mund të vonohem. Po nuk erdha, atje jam. I them babait, kështu kështu, më tha. E mirë, e lamë ne… kaq.

Në mëngjes, më tha: Shko dhe më mbaro punë me brigadierin, t’ia japësh këto dokumentet. Të gjitha të shkruarat që kishte mbajtur ai, se ishte zëvendës brigadier. Ia jap brigadierit unë edhe më thotë: “Çfarë u bë?”  I them: Ja ku i ke, ndërsa ai është në çetë, i thashë. ‘’Ik foli shpejt’’, më thotë ai. Kur ngjitem në çetë unë, duke zbritur kishte hyrë Gazi degës dhe kishte marrë dajën që ishte nga çeta, edhe po e çonin në polici.

Shkoj unë atje edhe më thotë: Nuk ka ardhur sot këtu. Kur kthehem unë e gjej babain në polici, ulur në stol. këta të tjerët ishin të vegjël, ishin në shtëpi. Shkoj në shtëpi, vjen i plotëfuqishmi edhe më merr, më mori që sipër në fshat mua ai edhe më çoi atje. Atë kohë, ishte Zija Kambo komandant kufiri. Kur hyra brenda unë, më merr ky i plotëfuqishmi edhe më godet. Pasi më goditi, doli Zija Kambo edhe i tha: Pse e godite? Në atë moment, u ngrit babai edhe i tha: Mirë njërin që po e shikoj të vrarë, edhe këtë, në syrin tim po e godet?

Vëllain e kishin vrarë?

E sollën atë që në mëngjes, e shtrinë atje para fshatit. E pashë unë, se kalova atje edhe u mblodh fshati atje. I thotë Zija Kambo: Pse e godite? Ky ishte i shtrirë atje, i kishin dalë zorrët shtrirë edhe po i binin me këmbë. E kishin grirë, e kishin bërë sallatë . E vranë, i ranë me këmbë, e kishin torturuar, e kishin bërë… e pamë që e solli makina me gjak edhe hyra unë. Më thotë ky Zija Kambo: “Ku ka qenë vëllai jot?” Kështu, kështu i thashë. Më morën mua, më futën në birucë. Në birucë e shikoja unë çfarë bënte fshati.

E morën babain, e ulën në karrige para vëllait edhe i thanë: “Bjeri me këmbë djalit”

-“Ju bjerini, – tha,  -po unë nuk i bie”.

Babai rrinte ulur atje. U mblodh fshati atje edhe po bënin mbledhje. Shumica shkuan, i binin me këmbë. Unë po i shikoja, pastaj vjen polici, me merr që andej edhe më çoi në shtëpi.

Gjithë të tjerët ishin të vegjël. Ndenja në shtëpi unë edhe vijnë edhe më thërrasin prapë. Më thotë polici: Do të rrish, se babain do ta marrim me makinë ne. Makina ishte bërë gjithë gjak. E ulën babain në mes, këta i ranë me këmbë edhe urdhëronin t’i binte me këmbë prapë. E morën babain, e hoqën. Pastaj, këtë (vëllain) e morën me një qerre edhe do e çonin mbi fshat. Këta i thanë, çoje më tutje, që ta hidhnin larg. Kurse njëri, kishte thënë: Hidheni këtu afër. Ishte komunist ai, Hamdi Karumi quhet.

U ktheva në shtëpi unë. Babain e mbajtën 10 ditë në Korçë, brenda. Pasi e pyetën, i thanë: -E dije për djalin tënd? I tha: Nëse do e dija për djalin, s’do e lija të vritej. E torturuan në burg 10 ditë. Erdhi pastaj babai. Kur erdhi, i kishte pantallonat me gjak nga i biri. I mora dhe i lava pantallonat, ashtu siç dija unë. Unë isha më i madh nga këta edhe kujdesesha edhe për të vegjëlit. Pas ndonjë jave, bie një shi i madh edhe më lajmëron një vajzë e vogël. Më thotë: Shiko se atë vëllain tënd e ka nxjerrë uji, ik edhe hidhi ca dhé, se e ka nxjerrë shiu.” U ngrita edhe shkova atje. Ik, thotë babai, shko rregulloje edhe vendosi ndonjë shelg atje, që të zëjë. Se mbillej shelgu atje.

I bëra gati unë, se kush do më shikonte. Kur shkova unë, i kishte dalë krahu atij edhe koka. E shtyva dorën edhe kokën, i hodha dhé, e futa atje, e mbulova mirë. Në darkë, më thërrasin në polici. Ka qenë një kapiten Xhezmiu. Sa arrij tek dera unë, ai më godet. Ku ke qenë sot, më tha? Në shtëpi, i them. Trego, më tha, edhe më goditi përsëri. U gjakosa unë. I thashë, shkova i hodha dhé. Ai është armik, më tha, si shkon edhe i hedh dhé? E bëra, më erdhi keq, se e kam vëlla. Kë ke vëlla, më thotë, edhe më godet.

Si përfundim, na lanë një kohë të gjatë këta, deri në vitin 1976, nuk na bënë gjë. Më futën në rini mua, nuk na trajtonin shumë keq. Babai punonte në stallat e kooperativës. Në qershor të ’76, e marrin në fshat. U mblodh fshati edhe i thonë: Trego para fshatit çfarë ke thënë? Doli babai atje, edhe i tha: Nuk kam thënë asnjë gjë. Jo, tha, ti ke thënë: “Nuk ka vaj dyqani, nuk ka çimento…”. Disa gjëra kështu… edhe ngriheshin flisnin të gjithë fshatarët. Flisnin kundra babait: Është armik, ka thënë kështu, ka thënë kështu. E kanë mbajtur deri në 2 të natës, para fshatit.

Një person me emrin Gjergji, nga Korça, në degën e Brendshme, më thotë:  -“E do babain ti?”

-“Si nuk e dua, e kam baba”.

-Mirë, tha, ne kemi vendosur ta internojmë babain. Ti do të rrish me babain, apo do shkosh veç?

-Jo, i thashë, unë e kam baba, bashkë me të, si ta lë?

-Mirë, tha, nesër në orën 6 bëj plaçkat gati edhe do ju internojmë në fermën e 32-shit. Por, do të rrish në Balbanov, e do të punosh edhe këtej nga Kolonja.”

Se ferma ishte e Kolonjës, vendi ishte i Korçës faktikisht. I bëj plaçkat gati unë, në mëngjes në orën 6. Vjen makina, na çon atje.

Me kë ike atje?

Ikëm me gjithë gruan, kisha dhe dy fëmijë.

Po pjesëtarët e tjerë të familjes?

Vëllezërit i kisha në Cërrik. Rremziu ishte në Cërrik, sepse e kishte marrë ai i madhi, e mori përpara se të internoheshim ne. Unë me gruan dhe 2 fëmijët. Kur kam vajtur në fermën e 32-shit, atje më kanë mbajtur rreth 2-3 muaj. E panë ata që unë po punoja, po merrja lekë edhe erdhi urdhri i dytë: Ta merrni që këtej edhe ta çoni në kooperativën e Trebickës, ta hiqni nga ferma.

Nejse, më mbajti atje njëri nga ata mua. Atë ditë po shija me autokombanjë edhe kur shoh, vijnë dy oficerë edhe një polic, me automatik. Hidhu poshtë, më thanë. Unë nuk e kisha vendin për atje, po e anulluan. Do kalosh në kooperativën e Trebickës, më thonë mua. I them: E kam urdhërin për në fermë. Hajde, thanë, se urdhëri dytë e anullon të parin, fjalë shumë nuk duam. Kisha blerë disa piperka në dyqan, as ato nuk i mora.

Kur shkoj unë në shtëpi, kishte shkuar kryetari i kooperativës tek babai. 5 vjet internim atje. Sa mbusha 5 vjet, më kanë liruar… kam plotësuar 5 vjet, erdha në shtëpi dhe sot jam mirë, kam dy fëmijë. Djalin e kam në Athinë edhe e kam të martuar me dy fëmijë.  Vajzën e kam në Bilisht, tani jemi pensionistë. Kjo është historia e vuajtjes tonë./kujto.al


Lexo edhe:

Rrëfim emocional: Amaneti i vëllait na detyroi të qëndronim të fortë

ObserverKult