Pas dënimit të dytë me vdekje e pushkatuan Zef Ndojën…

Dëshmia e plotë e Fatos Kërlukut
Foto ilustrim

PKSH e kishte shpallur tradhtar dhe kishte urdhëruar vrasjen e tij. Më 10 shtator 1943, një skuadër partizanësh e pushkatoi  Zef Ndojën në një përrua pranë fshatit Priskë, në rrëzë të Dajtit.

Ky dokument vërteton karakterin terrorist të Partisë Komuniste Shqiptare. Komiteti Qendror i saj ka dënuar me vdekje një person ngaqë e konsideron tradhtar, por një parti, pavarësisht rrethanave, bën politikë dhe jo ekzekutime. Personi i ekzekutuar, Zef Ndoja (1913-1943), ishte komunist. Në shtëpinë e tij ishte strehuar arkivi i PKSH-së dhe materiale të tjera të saj. Më 4 maj 1942, arkivi ra në dorë të agjentëve të Sigurimit Botnuer (Publik). Ndoja u plagos në tentativë për t’u arratisur dhe u arrestua. Në kohën e arrestimit, Ndoja ishte punonjës i Ministrisë së Brendshme, sekretar i dytë në Drejtorinë e Korrespondencës. Më 26 prill 1943, u arratis nga burgu, bashkë me Koçi Xoxen, nëshkruesin e dokumentit të mëposhtëm. Ai u caktua të shkonte partizan i thjeshtë në çetën Krujë-Ishëm, pa të drejtë për mbajtje arme. Një skuadër partizanësh e pushkatoi në një përrua pranë fshatit Priskë, në rrëzë të Dajtit. Ky ishte dënimi i dytë me vdekje për Zef Ndojën. Më 20 maj 1943, ai ishte dënuar me vdekje, në mungesë (pasi ishte arratisur nga burgu), nga gjykata.

Qarkore e KQ të PKSH

Data 11/IX/943

Gjith Komiteteve Qarkore të Partis.

Ktu poshtë po ju përshkruajmë tekstualisht vendimin e gjyqit të Partis kundra trathtarit-provokator Zef Ndoja ish-anëtar i Partis:

“VENDIM I PARTIS KOMUNISTE SHQIPTARE

Në bazë të proces verbalit edhe në bazë të qëndrimit trathtor karshi policisë, duke treguar krejt strukturën e organizative me përjashtim të disa sendeve të vogla pa rëndësi, duke kallzuar gjith shokët me të cilët ai kish lidhje qoftë organizativisht qoftë njohje personale si dhe provokacionet qi ka bë në polici kundrejt shokve, duke shkatuar kështu arrestimin dhe hedhjen n’ilegalitet të shum shokve, dëme të mëdha kto për Partinë, ZEF NDOJA ish anëtar Partije dënohet me VDEKJE për trathtin e tij kundrejt Partis Komuniste Shqiptare. 10/IX/943.”

Vendimi i sipërm u vue në zbatim të njajtën ditë, në këtë mënyrë trathtari provokator që me veprën e tij të poshtër i shkaktoj Partis t’onë dëme në nji kohë kur armiku kërkonte të na shtypë; mori dënimin e merituar.

Për Komitetin Qendror të Partis K. Sh.

Trashi (pseudonimi i Koçi Xoxes)

(AQSH, F. 14, V. 1943, D. 11, Fl. 23)/kujto.al