“Kur erdhi drejtor burgu Vangjel Rëmbeci, filloi gjendja e urisë dhe masat ndëshkuese nga më çnjerëzoret. Gardiani vinte dhe godiste të burgosurit pa kurrfarë arsyeje. I merrnin djemtë dhe i rrihnin mizorisht vetëm që t’i zhduknin. Për gardianët përdorimi i torturave, deri në vdekje, ishte normë pune. Rrahje me dru, me shqelma, goditje me grushte; shtrëngimi i prangave deri në kërcitjen e kockave, uri, sëmundje…”
Kujtimet e ish-të dënuarve të burgut të Burrelit, janë të gjitha të trishta. Ai burg dhe regjimi i rreptë brenda tij ishin projektuar për të shkatërruar moralisht e fizikisht edhe burrin më të fortë, në të dyja aspektet. Por ai ambient aq i ashpër impononte edhe solidaritet dhe miqësi të thella, mes qindra të burgosurve politikë që ishin prej rracës më të zgjedhur të intelektualëve shqiptarë. Në librin e Ermira Xhomaqit, Abdulla Rami-“Përtej harrimit” gjejmë një varg kujtimesh për këtë burg famëkeq. Mes tyre edhe kujtimet e xhaxhait të saj Avni Xhomaqi, i cili kishte ndarë kohë dhe njohje edhe me gjyshin e saj nga nëna Abdulla Rami. Avni Xhomaqi e ka rrëfyer kështu njohjen me avokat Abdulla Ramin.
Avni Xhomaqi: “Ishte tetor i vitit 1946. Pikërisht më 16 tetor të atij viti, komunistët vendosën që në Burgun e Burrelit të dërgonin të gjithë të burgosurit politikë, nga të gjithë rrethet e Shqipërisë, nacionalistë prej Konispolit deri në Shkodër. Natyrisht ishin kundërshtarët e tyre më me zë, të gjithë intelektualët me një potencial të vërtetë politik, të dënuar rëndë. Dërgimi në Burrel i të burgosurve u bë grupe-grupe: Në fillim erdhën nga Vlora, pastaj nga Gjirokastra dhe kështu me radhë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Të fundit që arritëm atje ishim ne që vinim nga Korça dhe Kolonja, Devolli dhe Pogradeci. Ishin rreth 600 persona, dyfishi i kapacitetit të burgut që ishte për rreth 350 të burgosur. Aty, në oborrin e Burgut të Burrelit kam parë për herë të parë avokat Ramin, kështu e thërrisnin të gjithë Abdulla Ramin. Na kishin nxjerrë të gjithëve jashtë, në oborrin e burgut, një oborr i madh, “pajtos” si i thonë… “vendi i ajrimit”, ku çdo ditë na nxirrnin dy orë jashtë në oborr për t’u ajrosur, në orë të caktuara të ditës: një orë në mëngjes dhe një orë pasdreke. Ishte me nja 7-8 shokë që e rrethonin e i rrinin në krah. Binte në sy për energjinë dhe forcën e tij fizike. M’u duk shumë i pashëm dhe shumë i zhvilluar fizikisht, por, mbi të gjitha, më ra në sy e më bëri përshtypje qëndrimi dhe personalitet i tij… një lloj autoriteti spontan e shumë i natyrshëm.
-Kush është ky burrë? – pyeta.
-Avokat Abdulla Rami nga Gjirokastra – më thanë.
Mbante një brucë të zezë krahëve, me të cilën mbulonte atë trup të fortë e të shëndetshëm. Me brucën krahëve shëtiste e bënte krosin e mëngjesit. Ehhh sa të bëhej zemra mal kur i shikoje ata djem. Vazhdimisht rreth tij grumbulloheshin burra e djem që e rrethonin dhe e dëgjonin kur fliste… Edhe armik ta kishe, avokat Rami të impononte respekt. Edhe gardianëve në burg iu impononte njëfarë droje. Aq sa të pashpirt që ishin ata, nga Abdulla Rami sikur druheshin e ruheshin. Nuk guxonin të silleshin aq keq me të sa silleshin me ne të tjerët!”
Më tej në kujtimet tij për burgun e Burrelit Avni Xhumaqi tregon se jeta në atë burg ishte skëterrë.
“Nuk dinim nëse do të dilnim të gjallë nga andej apo jo. Dhe si për të na kujtuar këtë, gardianët e burgut kishin shkruar me gërma të mëdha në murin e oborrit të burgut: “Burgu i Burrelit – Kampi i shfarosjes së armiqve të popullit.”
Në fillim, drejtor burgu në Burrel ishte një civil nga Devolli. Ai nuk ishte njeri i keq. Kur sigurimi mori të dhënat, e hoqi atë dhe solli një tjetër, Vangjel Rëmbeci quhej. Ai ishte një katil i lindur. Kur erdhi, na i mori të gjitha ushqimet dhe meqë në burg jepnin vetëm 300 gr bukë misri të mykur për të ngrënë, mbetëm shumë keq dhe ishin ushqimet e familjes që na mbanin gjallë. Mbaj mend kur më kishin dërguar njëherë, një valixhe dërrase me ushqime nga Kolonja, nga e cila munda të marr vetëm një kavanoz me gjalpë, pasi ushqimet e tjera i kishin marrë gardianët. Kështu filloi gjendja e urisë dhe masat ndëshkuese nga më çnjerëzoret. Gardiani vinte dhe godiste të burgosurit pa kurrfarë arsyeje. I merrnin djemtë dhe i rrihnin mizorisht vetëm që t’i zhduknin. Për gardianët përdorimi i torturave, deri në vdekje, ishte normë pune. Rrahje me dru, me shqelma, goditje me grushte; shtrëngimi i prangave deri në kërcitjen e kockave, uri, sëmundje…”
Më tej Avni Xhomaqi ka kujtuar edhe një episod që lidhej me Ibrahim Biçakçiun.
“Ai ishte një djalë që nuk përzihej me njeri. Gardiani i burgut i shkoi dhe filloi ta godiste vetëm pse kishte teshtirë, por e pësoi keq, pasi Ibrahimi ishte trup shumë i madh e i fortë dhe e goditi, e rrahu rojën. Po të mos kishin qenë ulërimat e tij që i dëgjuan gardianët e tjerë, Ibrahimi do ta kishte vrarë. Më pas filluan të merreshin masa për t’i zhdukur të burgosurit një nga një. Futën në birucë katër veta ato ditë, për t’i vdekur; ata ishin: ish-kryeministri Kostaq (Koço) Kota, Qemal Vrioni, Atif Golja dhe Mihal Ballkameni. U shuan të katër një nga një. Natyrisht qëndresa e tyre trupore ishte e ndryshme dhe ata vdiqën e dhanë shpirt njëri pas tjetrit. Kështu Koço Kotën, ish-kryeministrin e Shqipërisë, të dënuar me 30 vjet burg, e zhdukën, e vranë duke e rrahur mizorisht. Sadizmi i gardianëve të burgut ishte i paparë. Ata përdornin mënyra e mjete nga më të ndryshmet. I bënin njerëzit që të mos kishin fuqi as të lëviznin. Dhe kjo nuk vazhdonte me ditë, por me javë të tëra… Atifi ishte më i riu dhe po u rezistonte birucave. Një ditë na nxorën të gjithëve për ajrosje, ndërsa Atifin e mbajtën brenda dhe kapterët e rrahën në birucë derisa e mbytën. Ne dëgjonim ulërimat e tij kur e torturonin dhe e rrihnin për vdekje, derisa vdiq. Më pas kufomat e të vdekurve i çonin te qershiza në të dalë të burgut…”./kujto.al