E tmerrshme: E varrosën në këmbë, me kokë jashtë…

E tmerrshme: Havzi Nelën e varrosën në këmbë, me kokë jashtë…

Nga: Kastriot Dervishi 

Pasi Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi t’i falë jetën, nisi praktika e ekzekutimit. Këtë kohë, praktika nuk përgatitej nga hetuesia pasi ajo nuk ishte pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por nga Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale, sipas rregullores nr.01-46, datë 30.3.1984.

Ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, nxori urdhrin nr.1258, datë 9.8.1988 për ekzekutimin e vendimit me varje në litar të Havzi Nelës, i cili duhet të kryhej të mërkurën e më 10 gushtit, ora 3.30. Për zbatimin e urdhrit u ngarkua Dega e Punëve të Brendshme Kukës.

Havzi Nela u ekzekutua në litar mëngjesin e datës 10.8.1988 në sheshin e agjencisë së udhëtarëve në Kukës. Në procesverbalin e ekzekutimit thuhet:

I mbajtur sot më datën 10 gusht mbi ekzekutimin e vendimit të dënimit me vdekje, varje në litar të të dënuarit Havzi Nela. Pasi ju komunikua vendimi nga prokurori i rrethit se do të ekzekutohet vendimi, ju kërkua të thoshte fjalën e fundit.

I dënuari në fjalët e tij të fundit tha: “I keq kam qenë dhe ashtu po shkoj. Të këqijat e mia i mora me vete. Kërkoj që të afërmit e mi të trajtohen mirë. Mos të merren nëpër këmbë. Kam 910 lekë dhe kërkoj që këto t’i jepen të afërmve të mi (nënës).

Pastaj u bë ekzekutimi. Disa minuta pas ekzekutimit u kontrolluar nga mjeku i cili deklaroi se i dënuari ka vdekur. Ekzekutimi u bë në orën 3.30 të datës së mësipërme te sheshi i agjencisë së udhëtarëve në Kukës.”

Nënshkrimi u bë nga prokurori Nikollaq Helmi, shefi i policisë Maksim Feka dhe mjeku.

Për ta varrosur, xhelatët zgjodhën një metodë origjinale, por tërësisht mizore. Duke përfituar nga fakti që uji liqeni i Kukësit gjatë muajit gusht ishte më i pakët dhe tërhiqej në brendësi. Xhelatët zgjodhën pikërisht hapësirën që në dimër do të ishte e përmbytur.

Ata gjetën zbrazësinë e një shtylle dhe e futën aty Havziun e vdekur, duke përllogaritur që koka të rrinte në sipërfaqe. Duke bërë një varrim jo shumë të thellë, ata kishin llogaritur që gjatë dimrit ujërat e Drinit jo vetëm do ta zbulonin, por do ta lëkundnin e më pas do ta shkulnin kafkën e Havziut nga vendi i varrimit për ta çuar në drejtim të rrjedhës së Drinit te hidrocentralet e mund më tutje në det.

Skema e këtij rasti, e ideuar nga Dega e Punëve të Brendshme Kukës e drejtuar nga Federik Ymeri, ishte vërtet horror. Kur u gjetën e eshtrat e Havzi Nelës në vitin 1993, si pasojë e kallëzimit të një polici pjesëmarrës në të, u konstatua se skeletit i mungonte kafka.

ObserverKult


Lexo edhe:

E TMERRSHME: MARA KISHTE NDËRRUAR JETË ME FËMIJËN NË GJI, FOSHNJA QANTE SE NUK KISHTE QUMËSHT…