Monitoruesit nga radhët e shoqërisë civile kanë kërkuar nga Komuna e Prizrenit që të anulojë aktivitetin e prokurimit për krijimin dhe mirëmbajtjen e brendit të qytetit.
Sipas organizatës joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, në këtë procedurë të prokurimit, pos që shpërfillen rekomandimet e dhëna në Propozim-Planin e Menaxhimit të Qendrës Historike, po ashtu shkelet edhe zotimi i lidershipit komunal për transparencë radikale në prokurim. Mirëpo, Komuna e Prizrenit përmes një njoftimi ka theksuar se në reagimin e kësaj OJQ-je ka devijime dhe dezinformim të publikut, dhe njëherësh ka shtuar se thirrja publike dhe përcaktimi i paramasave është bërë në bashkëpunim me shoqërinë civile.
Monitoruesit e “EC Ma Ndryshe”, fillimisht kanë theksuar se njoftimi për kontratë për këtë aktivitet të prokurimit është përgatitur më 17 mars 2020 dhe se afati i fundit për pranim të tenderëve ka qenë 6 prill 2020.
“Mirëpo për çudi, ky njoftim në ueb-faqen e Komunës së Prizrenit është publikuar me datën 15 prill 2020, apo 9 ditë pas hapjes së tenderit në Zyrën e Prokurimit. ‘EC Ma Ndryshe’ rikujton se transparenca radikale në çdo proces të prokurimit ka qenë njëri prej zotimeve paraelektorale të kryetarit të Komunës së Prizrenit. Në aktivitetin e prokurimit për krijimin dhe mirëmbajtjen e brendit të qytetit të Prizrenit ky parim është shkelur”, thuhet në reagimin e organizatës monitoruese.
“Video promocionale, përpilimi dhe dizajnimi i hartës interaktive të qytetit nga hartografë, përpilimi dhe dizajnimi i kalendarit kulturor për vitin vijues, krijimi dhe menaxhimi ueb-faqes për brendin e ri të Prizrenit, krijimi dhe menaxhimi 1vjeçar i faqeve në rrjetet sociale ‘Instagram’ dhe ‘Facebook’ (nga 2 postime në javë), dizajnimi i enterierit për suvenir-shop, mobilimi i suvenir shop-it, dizajnimi i produkteve të ndryshme, menaxhimi 2vjeçar i suvenir shop-it dhe mirëmbajtja 2-vjeçare e brendit”, janë ato që parashihen të bëhen, sipas përshkrimit në dosjen e tenderit.
Zotimi tjetër parazgjedhor i kryetarit të Komunës së Prizrenit, sipas kësaj “Ec Ma Ndryshe”, ka qenë implementimi i Planit të Menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit.
“Lidhur me këtë çështje, dy javë më parë ka reaguar Rrjeti i Organizatave të Kulturës, duke theksuar se Komuna e Prizrenit çështjen e brendimit të qytetit e ka lënë në mëshirë të tenderëve, dhe ka kërkuar anulimin e tenderit. RrOK-u ka konsideruar se brendimi duhet të jetë një dokument i besueshëm, i matshëm dhe i prekshëm në mënyrë që të fuqizojë aspektin identitar të qytetit të Prizrenit, ashtu siç e përcakton edhe Plani i Menaxhimit. RrOK-u ka theksuar se Komuna e Prizrenit duhet të hartojë një proces gjithëpërfshirës të hartimit të procesit të brendimit të qytetit dhe jo ta reduktojë vetëm në një tender të formës së dizajnit grafik. Procesi i brendimit, sipas këtij rrjeti, duhet të jetë fillimisht proces i hapur e transparent me publikun dhe më pas të përfundojë apo të kulmojë me interpretimin grafik të saj”, ka bërë të ditur “EC…”, duke kërkuar anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit meqë bie ndesh me praktikat e qeverisjes së mirë, si dhe me dy zotimet paraelektorale të kryetarit të Komunës./koha