Edhe nëse nuk mund të ndihmojmë dikë, të paktën të mos e lëndojmë…

Nga Leo Buscaglia

*****

Së bashku. Nga “unë” dhe “ti” tek “ne”. Marrëdhëniet tuaja do të jenë aq të gjalla dhe të plota sa ju. Nëse keni vdekur, marrëdhënia do të jetë e vdekur. Dhe nëse marrëdhëniet tuaja janë të mërzitshme dhe të pamjaftueshme, është faji juaj që jeni të mërzitshëm dhe të pamjaftueshme. Gjallërohuni pak! Kini parasysh se bota dhe njerëzit nuk janë krijuar posaçërisht për ju. Mundohuni të bëni dikë tjetër të ndihet mirë.

Filloni nga hamendësimi se të tjerët janë të mirë, derisa t’ju vërtetojnë në mënyrë të prekshme dhe konkrete se nuk janë. Por edhe atëherë mos harroni se kanë aftësinë për të ndryshuar dhe se mund t’i ndihmoni. Praktikoni përdorimin e “ne” në vend të “unë” në të menduarit dhe shprehjen tuaj. Duaji shumë gjëra thellësisht, sepse aftësia juaj për dashuri matet nga sa shumë dhe sa thellë dashuroni.

Mos harroni se të gjitha gjërat ndryshojnë, veçanërisht marrëdhëniet njerëzore dhe nëse duam t’i ruajmë, duhet të ndryshojmë bashkë me to. Le të jetë ky ndryshim zhvillim. Sigurohuni që të zhvilloheni së bashku dhe jo të ndarë. Kërkoni njerëz të shëndetshëm që ende dinë të qeshin, të duan dhe të qajnë. Mos harroni se mjerimi nuk e mirëpret thjesht shoqërinë, por e kërkon atë. Sigurohuni që ta shmangni.

Dhe së fundi, diçka që kam dëgjuar vitin e kaluar nga Dalai Lama i Tibetit. Tha disa gjëra shumë prekëse. Ja një prej tyre: “Jetojmë shumë afër njëri-tjetrit. Kjo është arsyeja pse qëllimi ynë kryesor në jetë është të ndihmojmë të tjerët.” Më pas buzëqeshi dhe shtoi: “Dhe nëse nuk mund t’i ndihmojmë, të paktën të mos i lëndojmë.”

Nëse secili prej nesh do t’i premtonte vetes se në emër të marrëdhënieve njerëzore dhe solidaritetit tonë njerëzor do ta kushtonte jetën e tij për të ndihmuar të tjerët të zhvillohen dhe nëse, në pamundësi për ta bërë këtë, të paktën do të kujdesej që të mos i lëndonte ata, do të shihnim të bëhej diçka magjike.

* Shkëputur nga “Të jetosh, të duash dhe të mësosh” i Leo Buscaglia

Marrë nga profili në Facebook i Shpendi Shakajt

ObserverKult


Lexo edhe:

LEO BUSCAGLIA: KJO RRUGË, A KA DASHURI?