Edhe një herë për Derridën, këtë minues tekstesh

derridën

Ata që e lexojnë Derridën si postmodern ngatërrojnë dekonstruktimin e teksteve me interpretimin e tyre. Ky është një keqkuptim i përgjithshëm, madje edhe filozofë të mëdhenj si Gadameri kanë rënë në këtë keqkuptim.

Nga Sead Zimeri

Në dialogun që ndodhi dhe nuk ndodhi mes tij dhe Derridës në Paris, Gadamer përpiqej ta lexojë Derridën si interpretues të teksteve, ndoshta ngase kjo e bënte më lehtë për ta sulmuar më rëndë.
Por ky Derridë është konstrukt hermeneutik gadamerian që në realitet nuk ekziston. Kush është, atëherë, Derrida?

Ai është filozof që ka shpikur një «metodë» të përbërë nga disa koncepte bazë përmes të cilave ai lëvronte tekstet e traditës për të zbuluar disa gjurmë që ajo i kishte fshehur nëpër skutat e teksteve. Këto gjurmë, sipas tij, tregonin për diçka tjetër, për disa realitete tjera që tradita, që Derrida e pagëzon – logocentrike, ishte munduar t’i fshihte e madje edhe t’i fshinte nga kujtesa kolektive.

Kështu kanë bërë të gjitha traditat fitimtare, ato kanë shtypur traditat tjera minoritare por këto tradita të shtypura, kanë mbijetuar si gjurmë nëpër tekstet kanonike, si fantazma që nuk ju kanë ndarë tekstit, por kanë mbijetuar në margjinat e tij. Leximi derridian është lexim jo i teksteve por i margjinave të teksteve, ai gërmon jo tekstin por atë që teksti e ka heshtur, e ka shtyrë në margjinë, por që njëkohësisht e ka implikuar në të.

Si arrinë ta bëjë këtë Derrida?

Ai e bën këtë pikërisht duke iu larguar joshjes për të ofruar edhe një interpretim tjetër të tekstit, sikur (ky) teksti të mos jetë kuptuar drejtë më herët dhe tani ka nevojë për gjeneratat e mëpasme që ta interpretojnë më mirë e më saktë apo edhe vetëm më ndryshe. Ky është problemi i hermeneutikës, jo i dekonstrukcionit. Problemi i hermeneutikës është, pra, si t’i arsyetojë leximet e reja? Për të arsyetur këto lexime është detyruar të shpikë përgjigje disa herë të shtjelluara dhe të arsyetura mirë e herëve tjera krejtësisht arbitrare, por që përherë kanë qëndruar brenda horizontit hermeneutik të problemit të shtruar.

Disa herë thotë që tekstet janë polisemike, dmth, përmbajnë më shumë se një kuptim; disa herë thotë që tekstet nuk përmbajnë asnjë kuptim, por janë lexuesit ata që i kuptimësojnë tekstet, dhe herëve tjera thotë që kuptimi i tekstit është qëllimi i autorit. Të gjitha këto qasje gjithsesi kanë meritat e veta, por asnjëra nuk është plotësisht bindëse.

Është e qartë që tekstet janë polisemike ngase fjalët me të cilat ndërtohet janë të tilla, kështu që është logjikisht e pamundur të shkruash tekste me vetëm një kuptim; ky do të ishte një argument non sequitur. Ideja se ekziston vetëm një lexim i vërtetë dhe i saktë, është ide e gabuar, rrënjësisht e gabuar. Prandaj fundamentalizmi është i patolerueshëm, ngase ai kërkon nga ne që ta pranojmë si të vërtetë një premisë që shkon kundër njohurive tona që kemi për gjuhën.

Kuptohet kur këto fjalë i thurrim në fjali sipas rregullave të njohura të gjuhëve përkatëse, njëkohësisht ne bëjmë edhe përzgjedhjen e kuptimeve që dëshirojmë t’ia përçojmë tjetrit, por kjo përzgjedhje kurrë nuk është plotësisht e suksesshme, ngase kuptimet janë të ndërlidhura ndërmjet veti në atë mënyrë që çdo ndërhyrje në të krijon fërkime në zingjirin që i lidhë me kuptimet tjera, dhe ndarja apo përzgjedhja e kuptimeve në atë formë krijon lidhshmëri të reja dhe, detyrimisht, kuptime parësore dhe dytësore të reja.

Gjuha ka këtë elasticitet (plasticitet) infinit për krijimin e kuptimeve që gjenerohen vetvetiu sipas konventave të gjuhëve përkatëse. Por kjo nuk do të thotë se rrjedhimisht nuk ka asnjë lexim të vërtetë, se të gjitha leximet janë të barabarta (ide idiotike), dhe nuk ekzistojnë kritere që mund të na shërbejnë për përzgjedhjen e leximeve të vërteta.

derridën

Apo, më saktësisht, thuhet që lexime të tilla ekzistojnë por kriteret janë të imponuar nga jashtë, dmth, kriteret e përzgjedhjes shërbejnë interesa ideologjike të kësaj apo asaj grupe. Natyrisht nuk mund të mohohet se një gjë të ketillë tekstet e pësojnë panderprerë, por fakti që kjo ndodh është krejt pak e rëndësishme për përcaktimin e një apo disa leximeve të sakta, dhe atyre që janë të shtrembëruar, dhe të pasaktë.
As lexuesi por as autori nuk janë, në instancë të fundit, kriteret mbi të cilat përcaktohet saktësia e leximeve. Ajo që e përcakton saktësine e tyre është pikërisht gjuha, konventat që përdoren për të përçuar kuptimet përmes të folurit dhe të shkruarit.

Përderisa arrijmë ta kuptojmë se autori i tekstit që lexojmë i është përmbajtur konventave të gjuhës, përgjithësisht mundemi edhe të përcaktojmë, edhe nëse jo krejt saktësisht, kuptimet që rezultojne nga ato konventa të përdorura në tekst. Dhe kuptimi i tekstit nuk ndryshon me ndryshimin e kohës: nuk do të kishte nevojë aspak të shkruajmë tekste nëse kuptimet që materializohen në ato tekste do të fluturonin nga aty për t’u bërë diçka tjetër.

Kjo nuk ndodh, dhe ata që pretendojnë se diçka e këtille ndodh, ata sigurisht nuk kanë kuptuar se si funksionon gjuha ose janë oportunistë që kërkojnë të ja përshtatin interesave të veta kuptimet e teksteve kanonike (është interesant të vështrohet se një gjë e këtillë u ndodh vetëm teksteve kanonike, sepse me tekstet tjera që nuk kanë këtë status kemi qëndrim pothuajse plotësisht mospërfillës dhe nuk bëjmë kurrfarë përpjekje për t’i ndryshuar kuptimet e tyre).

Ajo që ndërkohë ndodh është që konventat e gjuhës ndërrojnë, dhe fjalët i humbi kuptimet e vjetra dhe marrin kuptime të reja varësisht konteksteve diakronike dhe sinkronike të përdorimit, dhe si rezultat i këtij zhvillimi diakronik të gjuhës fjalët mund të mbeten të njëjta, por ato tani përçojnë kuptime të reja dhe kur një autor bashkëkohorë lexon një tekst të vjetër ku përdoren fjalë të njëjta nëse nuk është mjaftueshëm i vetëdijshëm për ndryshimin diakronik në kuptim, jo të teksteve por, të fjalëve që përbëjnë këto tekste ai edhe do ta lexojë tekstin ndryshe, jo detyrimisht dhe përherë gabim, sidomos kur kuptimi aktual mund të trasohet te kuptimi primar i përdorimit të vjetër, por ajo që dua ta theksoj është se pikërisht këtu më së shumti lindin problemet e keqleximeve dhe keqkuptimeve, sidomos kur fjalët kanë ndryshuar përmbajtjen e tyre dhe tani përdoren për të shprehur kuptime tjera.

Për kështu raste ekziston hermeneutika. Ajo, pra, ekziston që t’u ndihmoj lexuesve të arrijnë ta kuptojnë tekstin sipas standardeve të gjuhës kur teksti është shkruar. Dhe janë ato standarde që përcaktojnë kuptimin e vërtetë të tekstit. Në këtë kuptim Derrida ka qenë konservator në hermeneutikë, sepse ai nuk përpiqet që të bëjë interpretime të reja, t’i përshtatë kuptimet e vjetra në kontekste të rrethanave të reja, t’i modernizojë ato, me një fjalë. Kjo do ta bënte Derridën apologjet, jo filozof.

Ajo që bën Derrida është diçka shumë më e rrezikshme dhe shumë më interesante. Ai lexon tekstet sikur që janë kuptuar tradicionalisht, ngase ato mbartin ato kuptime. Dhe ai nuk kërkon që të argumentojë për poliseminë e teksteve që i lexon, se ato përmbajne disa kuptime, e kështu me radhë. Ajo që Derrida bën është njëjtë sikur çdo lexues tjetër. Ai e lexon një tekst dhe mundohet ta kuptojë atë që thotë teksti, ndoshta jo përherë ja qëllon por, përgjithësisht, leximet e Derridës të traditës filozofike janë lexime standarde.

Dy elemente e dallojnë leximin derridian nga leximet hermeneutike: Problematika e leximit, dhe qëllimi i leximit. Problematika që ai shtjellon kur i lexon tekstet nuk është cilin lexim do ta zgjedhim për të saktë dhe çfarë kritere do të përdorim në përzgjedhjen e këtyre leximeve. Kjo, siç e thash sipër, është hermeneutikë. Qëllimi i leximit, po ashtu, nuk është interpetimi i teksteve për t’i aktualizuar ato, apo për t’i kuptuar ndryshe. Edhe kjo është hermeneutikë. Derrida lexon tekstet në atë mënyrë saqë ai i përforcon kuptimet që ato mbartin deri në atë masë saqë ato fillojnë të flasin gjuhën e tij. Ai i detyron kuptimet e këtyre teksteve t’i shpalosin gjurmët që janë duke i fshehur, që i kanë strukur në nënvetëdijen e traditës që tekstet që ai i lexon përçojnë deri tek ne.

Leximi derridian, me një fjalë, si çdo lexim tjetër përpiqet të kuptojë mesazhin e vërtetë që një tekst dëshiron t’ia përçoje lexuesit. Deri këtu asgjë interesante nuk ndodh në leximin derridian. Dekonstruktimi fillon në momentin kur ai e merr këtë tekst me këto kuptime dhe fillon ta torturojë që t’i japë rrëfimin që as vetë mund të mos jetë i vetëdijshëm se është duke e mbartur.

Mund ta paramendojme Derridën në një bisedë të gjatë rreth një tavoline me disa gota të mbushura me verë apo raki me autorin e ndonjë nga tekstet që ai është duke dekonstruktuar. Derrida: më trego z. Platon a të kam kuptuar drejtë, apo mos të kam keqkuptuar? Të cilës Platoni mund ta paramendojmë t’i përgjigjet kështu: më ke kuptuar shkëlqyeshëm z. Derrida, madje edhe më mirë sesa kam arrituar që ta shpreh unë vetë. Dhe përderisa Platoni i vetëkënaqur që dikush, më në fund, e ka kuptuar drejtë e ngritë gotën për ta pirë atë që i ka mbetur në fund të gotës pas këtij shkëmbimi të gjatë me Derridën, fillon Derrida sulmin dekonstruktiv që menjëherë e zgjon nga vetëkënaqësia dhe e detyron ta mendojë menjëhere mos Derrida ishte armik që paraqitet si mik.

Ajo që Derrida bën është pikërisht kjo: duke ja ngritur egon autorëve përkatës, duke i ngritur aq lartë në qiell tekstet e tyre, dhe në një moment u përkujton se janë në ajër dhe nuk kanë ku të mbështeten, atë moment pra ato rrëzohen dhe duke rënë në tokë fillojnë t’i shpalosin idetë që këto tekste i kanë fshehur nepër margjinat e tyre. Kjo është një strategji e shkëlqyeshme dhe asnjëherë nuk të lë pa ndonjë rezultat konkret. Por duhet theksuar se rezultatet e leximeve dekonstruktive shihen vetëm nga perspektiva derridiane.

Në perpsektiva tjera ato nuk ekzistojnë. Derrida, pra, ka qenë i interesuar se si t’i minojë këto kuptime që të çlirohemi nga tirania e tyre kur janë tiranizuese (jo nga tirania e kuptimit si e tillë, siç keqlexohet disa herë e që, ashtu ashtu, nuk ka kurrfarë kuptimi), duke na treguar se ato kuptime janë ngritur mbi flijimet e kuptimeve tjera.
Në këtë kuptim leximet derridiane janë lexime tërësisht emancipuese dhe përderisa moderniteti karakterizohet nga dëshira për emancipim, Derrida mbetet figurë plotësisht moderne, aq më tepër pasi që ato bëjnë përpjekje që ta thyejnë tiraninë e traditës që në mënyrë arbitrare ngritë disa shënjues (signifiers) në pozitë dominante dhe të tjerët në pozita vartëse.

Derrida nxjerr në pah se si këto tekste janë të përfshira në shtypjen e të tjerëve, dmth, që këto tekste janë mbartëse të disa traditave që nuk duhet të ekzistojnë më, që kanë humbur raison d’etre të ekzistimit të tyre sepse ato legjitimojnë disa praktika reakcionare. Pas gjithë atyre luftërave që u kemi shpallur traditave reaksionare nuk është e arsyeshme që njëkohësisht të mos i sulmojmë edhe tekstet kanonike të kësaj tradite. Me një fjalë: Derrida nuk i lexon tekstet si interpretues por si minues i tyre, duke u përqëndruar jo në atë që e thonë por në atë që nënkuptojnë, në implikimet e tyre.

ObserverKult


Lexo edhe:

FEJA NGA KËNDVËSHTRIMI FILOZOFIK

Kliko edhe:

KUJT T’I FLAS? KUSH PËR MUA KUJTOHET?, POEZI NGA JORGO BLLACI

derridën jorgo bllaci marie magdalenën

Në tetor, kur prarohen korijet,
Nëpër trup një rrëqethje më shkon;
Shkrifem krejt e i ngjaj një fëmije,
Që m’i vogli ngacmim e trishton.

Nis kujtoj e të hidhurit lotë
Nuk gjej forca në shpirt t’i përmbaj…
Si s’e kam një të afërm në botë,
Që me të gjithë dertet t’i ndaj?

Kujt t’i flas? Kush për mua kujtohet?
Shokët? Mikja, që n’epshe pa mend,
Tek në gjoks të një tjetri shtrëngohet,
Emrin tim në kllapi veç përmend?

Oh, sa dridhem! Padashur gjithë jeta
Më fanitet, plot dallgë e stuhi…
Dhe çuditem me vehten, si mbeta
Kaq i brishtë në shpirt, kaq fëmi!

ObserverKult

ENTELA KASI: NUK MUNDESH T’MË KTHESH NË NUMËR!

entela kasi

Nuk mundesh të më kthesh sot në numër!

Shifër ishte njeriu
në trenat e mortit në dhomat e gazit
shifër dhe vija, plagë.

Kur ti dhe jo vetëm, sollët gjëmën
Ti dhe jo vetëm!

Im gjysh
ka kujtesë që mbet në letrat tona
Kujtesë ka edhe im atë
Ndërsa shoh
Se ti dhe jo vetëm,
do të jesh ashtu një mur i rrëzuar
A një figurinë dylli
…….
Ndërsa doje të më ktheje në shifër
Kur jetoja
Plagësh

ObserverKult

ENTELA TABAKU: SA MA GJATË IKI

entela tabaku

sa ma gjatë iki
aq më tepër
më zgjatet hija mbrapa
veç kambët më ndjekin
se kryet më mbahet fort
për kthim
sa ma gjatë iki
aq ma llastik
më tendoset hija
veç kambët i tërheq
se kryet më mbetet lidhë
për kthim
sa ma gjatë iki
aq ma hovshëm
lëshohem mbrapa
më prit
butë!

ObserverKult

BARDHYL LONDO: LETËR POPULLIT TIM

Populli im bukën e mëngjesit nën sqetull
Një cigare tymzezë, sy rrathënxirë nga pagjumësia

Ku po shkon këtë fundshekull?

Hapat e tu simfoni e nëntë Betoviane,
Mëngjesi dilemë hamletiane,
Mesdita plakurtë, fëmijë rebel,
Në ç’ëndërr hyn vallë natën,
Nga ç’ëndërr në mëngjes vallë del?

Ti, i pasigurti si një syth marsi,
Ti, i sigurti si deti,
Më i urtë se Buda,
Më martir se Krishti,
E më profet se Muhamedi.

Lermë të t’i puth sytë sërish
Sërish
Sytë, ah sytë fole dhembjesh
Arenë tragjikomedish.

Të putha, dhe putha gjithë pëllumbat
Të qafova, dhe qafova gjithë detet.

Ku po shkon, i bukuri im, këtë fundshekull?
Kudo shkofsh më merr me vete.

Më merr ashtu thjesht pa karrige,
pa veturë.

Kjo është letërankesa ime e parë dhe e fundit.
Firma: Bardhyl Londo
Nëntor 1990. E mërkurë

ObserverKult