Edhe një herë për Moikomin e sëmurë

Moikom Zeqo

Enver Kushi

Moikom Zeqo më mori në telefon më herët  se ditët e tjera, në mëngjesin e të hënës, pra më 28 tetor 2019. I dëgjova me vëmendje fjalët e tij të mënçura për një nga shkrimtarët më të mëdhenj shqiptar, Migjenin, pasi më pyeti, nëse e kisha lexuar shkrimin e tij “Meditime Migjeniane”, botuar te “Dita”. I thashë, se vetëm ti Moikom mund të shkruash kështu për Migjenin, duke u futur thellë në thelbin e veprës migjeniane, duke artikuluar ide që shkojnë mijëra e mijëra vjet para kohës kur jetoi Migjeni, në kohën e Migjenit, si dhe në kohërat postmigjeniane. Pastaj i citova diçka nga ky shkrim, ku Migjeni shënon: “Njerëzia, pa përgjegjësi lot në një valle shumë të rrezikshme, me pasionet pa fre, ndërsa një stuhi e pakuptueshme, si orkestër, lëshon melodina misterioze”. Dhe më pas me zërin e ngjirur nga sëmundja që po i rikthehet, Moikomi vazhdon të citojë Migjenin, nga shkrimi i botuar te “Dita” : “Përsëri Migjeni: A ka me sjellë historiku fletën krejt të re të shkruajë – apo do të vazhdojë fletën e vjetër? Mos asht kjo një ironi kohe?”

Veri, shton Moikomi. Këtë pyetje Migjeni e bën sikur të ishte vetë njerëzimi. Pyetje globale. Universale… Dhe më pas ai shton: “Jam nisur për në spital. Do të bëj analizat. Nuk jam mirë… Po më rikthehet sëmundja”. Ndihesh nga zëri i them. Ndoshta shtrohem, shton ai pastaj.

E mbyll telefonin. Dita është plot diell, një diell i pazakontë në këtë fundvjeshte të dytë. Tirana e ka nisur javën me trafikun e rrëmujshëm, ndërsa njerëzit vrapojnë për të kapur urbanët e tejmbushur me pasagjerë. Pra, Moikomi do të shtrohet prapë në spital, ndoshta në dhomën 10 të katit të tretë të Pavijonit të Hematologjisë. Ai kaloi në këtë dhomë një verë dhe fillimvjeshtë në një gjendje të rëndë shëndetësore. Kam shkuar shpesh pasditeve, duke ngjitur me nxitim shkallët e Spitalit nr.1 dhe e kam parë atë në një gjendje shumë të rëndë, por edhe me një kurajo të madhe, për të kapërcyer sëmundjen e rëndë. Falë përkushtimit të një prej hematologëve më të mirë, prof. Agron Ivanajt, stafit mjekësor të këtij pavijoni, Moikom Zeqo u ringrit, duke iu rikthyer vazhdimit të veprave të tij, të lëna përgjysmë. Po shtoj këtu edhe kujdesin e zonjës Ogerta Manastirliu, ministre e shëndetësisë.

Po tani, ç’do të bëhet me shëndetin e Moikomit? Do vazhdojë i shtruar në spital, në pritje të një kure të re? Kur do të vijnë ilaçet nga jashtë? Këto pyetje më shoqërojnë, teksa ngjitem për në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku këtu ndriçimi i pazakontë i diellit është akoma më i pazakontë, sepse më duket se kudo më shoqëron Naimi i madh me mistikën e tij bektashiane.

Moikom Zeqo, poeti dhe prozatori modern shqiptar, kulturologu eseisti, arkeologu, eruditi i rrallë, ndoshta i vetmi në Shqipëri me këto përmasa, është prapë sëmurë. Këto fjalë më duket sikur ia them bustit të Naim Frashërit, apo pak më tutje bustit të Haxhi Bektash Veliut dhe pak më tutje tyrbeve të Kryegjyshërve Botërorë Shqiptarë e veçanërisht, Dede Reshat Bardhit, me të cilin Moikomi ishte shumë i lidhur… Dua që nëpërmjet këtij shkrimi t’i bëj një thirrje publike zonjës Manastirliu, që siç thashë më lart, kujdesi i së cilës nuk ka munguar, po tani duhet që ajo të shpejtojë procedurat  për ardhjen e mjekimit të ri. Pse jo, i bëj thirrje edhe biznesmenëve shqiptarë kudo ku janë, që të kontibuojnë me ndihma monetare për këtë kurë të re ilaçesh. Për këtë thirrje nuk kam marrë lejen e Moikom Zeqos, e për këtë i kërkoj falje. Moikom Zeqo nuk ka nevojë për mëshirë. E njoh nga afër që në rininë tonë të hershme dhe ai asnjëherë në jetën e tij nuk ka kërkuar mëshirë. Mokiom Zeqo është dinjitoz dhe nuk i ka shtrirë dorën askujt.

Puna dhe vetëm puna, ndershmëria dhe vetëm ndershmëria, dinjiteti dhe vetëm dinjiteti, janë shtyllat ku është mbështetur ai si personalitet i letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Moikom Zeqo në këto ditë të fundit të vjeshtës së dytë po rikthehet në spital. Ai ka nevojë për ne, për dashurinë dhe ngrohtësinë tonë, që nuk i ka munguar, sepse ai na ka dhënë e u jep të gjithëve vetëm dashuri e ngrohtësi. Shoqëria shqiptare, opinioni publik shqiptar e duan Moikom Zeqon dhe vlerëson kontributet e tij të jashtëzakonshme në të gjitha fushat. Moikom Zeqo nuk ka nevojë për mëshirë. Moikom Zeqo ka nevojë të ndihmohet për të kapërxyer edhe një herë sëmundjen e rëndë./ Dita

Tiranë, 28 tetor 2019