Edhe simfonia e nëntë e Bethovenit i merr të keqen dibekut … Të gjithë e kujtojnë këtë e të tjera batuta të shokut Sillo nga komedia e famshme “Gjuetia e Fundit”.
Ishte viti 1992, megjithë rrëzimin e regjimit dhe ndryshimin e sistemeve ende gjithçka dukej kaotike dhe ndihej e pasigurt, kur Koço Devole do të merrte nga të parët guximin për të parodizuar diktaturën dhe diktatorin në filmin që do të shndërrohej më vonë në një klasik të humorit me xha Brahon, Nafijen e padyshim Sillon, ndërsa personazhi që artisti ironizonte, shefi i Sigurimit të Enver Hoxhës Sulo Gradeci ishte ende gjallë… Ishte regjisor dhe skenarist i atij filmi, me batutat që dilnin nga pena e tij.
Nga të qeshurat e skeçeve në spektaklet e Vitit të Ri në Radiotelevizionin shqiptar apo me Estradën e Ushtarit, tek shënjimi i gjeneratave të tranzicionit, duke u kthyer në simbol të humorit të viteve ’90.
Para dy dite, nga komplikacionet e shkaktuara nga Covid-19, Devole u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare, por duke lënë pas të qeshura përmes skeçeve dhe filmave të tij.
“I hidhur ky mëngjes! Arti i humorit humbi një prej njerëzve më të rrallë, një artist brilant, të papërsëritshëm… Duket si një tjetër shaka e Koço Devoles kjo ikje, që nesër do të na shfaqet sërish duke na qesëndisur’, shkruante ministrja e Kulturës, Elva Margariti , duke e cilësuar si një artistavanguardë, me humor të kulturuar e larg banalitetit. “Edhe sot lotët do të na rrjedhin faqeve, por janë lot zie, ndonëse ai të qeshurën na e la si amanet, përmes veprës së tij! U prehsh në paqe!”, vijonte Margariti, ndërsa mesazhe lamtumire shkruan edhe kryeministri Rama, si edhe presidenti Meta.
“Sa shumë trishtim nga ky lajm! Sikur të na thoshe se bëre shaka, nga ato të kripurat, që ti na bëje gjithmonë! Humori dhe arti shqiptar padyshim humbën një prej kolosëve dhe figurave më të dashura, i cili do të na mungojë të gjithëve. Familjes Devole, të afërmve dhe gjithë artistëve ju shpreh ngushëllimet më të ndjera!”, shkruante Meta. Edhe kryebashkiaku Veliaj do të shprehte trishtimin për ndarjen nga jeta të artistit, duke e cilësuar si emblemë të humorit shqiptar.
Në një intervistë televizive në korrik të këtij viti, energjik, i pamoshë, me humor dhe përunjësi për punën e tij artistike, Koço Devole rrëfente se me filmin e kishte nisur qysh herët, në shkollën “8 Nëntori”.
Rrëfente sesi regjisori Hysen Hakani e kishte përzgjedhur mes djemve të klasës së tij për rolin e Colit tek “Debatiku”, sesi i kishin realizuar edhe dy kinoprova derisa kish mbërritur Todi Bozo, drejtor asokohe e Kinostudios për t’i ndërprerë të gjitha, pasi Koçoja ishte pak më i rritur nga personazhi.
“Ndërsa prisja regjisorin më afrohet Sulejman Pitarka. Më tha: “Mos u mërzit, se ç’është e drejta duan një djalë pak më të vogël në moshë, por ti mos u dorëzo. Rritu dhe konkurro të bëhesh aktor”. Dhe unë ashtu bëra. Konkurrova dhe nuk fitova. Për ironi, në juri ishte Sulejman Pitarka. Nuk më mbante mend nga ajo kohë dhe më tha: “Djalë, ti mund të bëhesh inxhinier shumë i mirë, por aktor jo!””, kujtonte me humor Devole vetëm pak muaj para ndarjes nga jeta.
Ai kishte studiuar vërtet dy vite inxhinieri mekanike në Universitetin e Tiranës dhe kur kishte vendosur t’i linte studimet për të ndjekur ëndrrën, nuk e fitoi konkursin për Dramaturgji në Akademinë e Arteve.
Në nëntor të vitit 1966 thirret për shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe aty zuri fill karriera e tij e gjatë në humor, duke i dhënë një tjetër hov Estradës së Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë si aktor dhe regjisor.
“Për një grup aktorësh, që më pas u bënë të njohur, ishte si të thuash akademia jonë e mjeshtërisë së aktorit”, shprehej Devole për kohën në Estradën e Ushtarit, ndërsa shprehej se aty mblidheshin aktorë të njohur si Kadri Roshi e Prokop Mima apo aktorë të humorit si Aleko Prodani, Roland Trebicka, Zef Deda e Sejfulla Myftari, Cekja i Beratit me të cilin do të realizonte më vonë disa nga telekomeditë kult, të viteve ’90 apo edhe këngëtarët më të mirë të Ansamblit dhe e pamunguar në Estradë ishte këngëtarja Vaçe Zela.
Kujtonte edhe humorin pas skene me mikun e tij, Roland Trebicka. “Uleshim në ndonjë tavolinë, kur shihnim dikë që hante vetëm e nisnim biseda pakuptim, duke e lënë të shtangur me lugën e supës tjetrin. Një herë na ndodhi që u ulëm me një burrë nga fshati e nisëm me ato tonat. Plaku na pa e na pa e na tha: “Ore çuna, po ju keni ardh’ me hëngër bukë a me hëngër m*t!” Atë ditë ia paguam ne plakut drekën”.
Devole kujtonte vështirësitë e të bërit humor gjatë diktaturës, kur pohonte se ajo që nisej për popullin përfundonte me direktivat e partisë, pasi materialet kontrolloheshin.
Guximi me humorin do t’i sillte edhe disa masa disiplinore dhe ndëshkime nga partia në formën e riedukimit. Më e rënda qe puna në Gurore, ku do të thyente gurë.
Kishte qenë një skeç me ushtarin dembel që kishte zgjedhur të punonte në kuzhinë. “Ai gjatë skeçit tundte garuzhdën dhe kjo krijonte impakt e shkaktonte të qeshura. Të nesërmen erdhi kritika nga lart, “Çfarë është ky që tallet me garuzhdën?! Ajo garuzhdë ushqen tërë ushtrinë popullore!’
Të nesërmen u mblodh Komiteti i Partisë dhe e dërguan në Gurore për riedukim. Do të qe zemërgjerësia e drejtorit aty, që duke e njohur talentin e Devoles në vizatim e pikturë i kërkoi të realizonte një portret të madh të Enver Hoxhës. “Kur erdhi Sekretari i Partisë dhe e pa në hyrje të repartit u mahnit dhe pyeti kush e ka bërë. Kështu shpëtova nga Gurorja dhe u ktheva prapë”.
Për vite do të punonte si karikaturist në revistën “Hosteni” , ku do të njihej me mikun e tij Filip Çakuli dhe prej 1978-s, do të mblidhte estradat në spektaklet e Vitit të Ri.
“Shefat që kishim më jepnin dorë. Drejtori, Marash Hajati, më thërriste e më porosiste gjithnjë për materialet e Vitit të Ri. I nisnim përgatitjet që në shtator. Me Marash Hajatin kishte frymë liberale dhe krijonte intimitet”, rrëfente Devole, i cili do të ishte pjesë deri në vitet ’90 redaktor, skenarist dhe regjisor i programeve artistike.
Pastaj do të vinin disa nga telekomeditë e famshme, si “Valixhja e zezë”, “Gjuetia e fundit”, “Të gjallë a të vdekur’, “Pushime në Romë”.
Kujtonte ndodhitë me Ceken, kur shkuan në Romë për të xhiruar filmin e sesi fqinjët italianë të shqetësuar kur i kishin parë të kacavirreshin nga dritaret, kishin njoftuar karabinierët.
Por jeta e Devoles do t’i ngjante aventurave qesharake të personazheve të komedisë, kur disa vite më vonë, në nëntor të 2002-shit do ta arrestonin në Rimini, bashkë me mikun e tij Llasko Lubonjën, ku sipas policisë italiane i ishin gjetur në makinë rreth 5 kilogramë heroinë.
Për këtë do të bënte tetë muaj burg në Itali, para se të shpallej përfundimisht i pafajshëm nga gjykata italiane.
“Mund ta krahasoj me atë gozhdën që të ngulet në trup dhe megjithëse del, vrima mbetet gjithsesi”, rrëfente artisti më vonë për përvojën që e cilësonte nga më të hidhurat e jetës.
Arrestimi i kishte ngjarë si nga ato mizanskenat e kamerave të fshehta dhe madje kishte bërë shaka me policin që i ishte afruar duke e pyetur “Che ore sono?”
“Më çuan në polici dhe atje mësova se bëhej fjalë për një sasi droge që ata pretendonin se kishin gjetur në makinë, gjë të cilën nuk e pashë kurrë me sytë e mi. Më morën shenjat e gishtërinjve, më bënë foton dhe kështu përfundova në burg”, rrëfente duke mos i kursyer batutat as në këtë rast sesi në qeli kishte qenë me një shqiptar e një italian, sesi shkonte mirë me drejtoreshën e burgut që e kishte vënë përgjegjës të kontrollit të ushqimit atje dhe sesi kishten ë plan të bënte edhe një rrugë tjetër drejt Italisë që të arrestohej e të shpallej i pafajshm për të marrë dëmshpërblim.
“Pastaj nuk do bëj më rrugë. Me 300 mijë euro mund të bëj shumë gjëra”, thoshte ai, ndërsa e cilësonte si një lojë të qëllimshme atë që i ndodhi.
Por udhëtimin jashtë vendit do ta ndërmerrte ca vite më herët, kur më 1997 iku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi drejtori i ri në RTSh do ta largonte nga puna për paaftësi. Por përpara se të largohej do ta bënte publikun për të qeshur me skeccen dhe batutat bashkë me kolegun e tij, Agron Llakaj në “Telebingo shqiptare’.
Do të kthehej më pas për të punuar në emisionin “Fiks Fare”, me mikun e tij të vjetër Filip Çakuli, si edhe do të ishte pjesë e “Portokalli”-së.
Pas viteve 2000 do të realizonte sërish filma komedi si “Tre shokë pa shërbyesen”, “Karafili dhe Kleopatra”, “Milioneri” apo “Na ishte njëherë Shqipëria”.
Më 2018-n, do të ritakohej me aktoren Marjana Kondi në filmin “Dy gishte mjaltë”, produksion i Ermal Mamaqit, ku interpreton edhe këngëtarja Elvana Gjata.
“Shumë shpejt koleg shkove në botën e vërtetë! Prehu në paq! Lamtumirë!, shkruante aktorja Marjana Kondi, e cila interpretoi me Devolen në “Gjuetia e fundit” si Nafija, bashkë me aktorë të tjerë të Estradës.
“Dhimbje, dhimbje, dhimbje! Pena më e arte e humorit shqiptar, nuk do shkruaje më. Për mua do mbetesh me i madhi dhe më vizionari, boshllëku që sapo le do vazhdoje me vite, nuk do ketë më të dytë si ti, o i madhi Koço Devole!! Lamtumirë o artist i popullit”, shkruante këngëtari Elton Deda.
Në moshën 75-vjeçare, pak muaj para se të ndahej nga jeta, duke luftuar me leuceminë dhe me koronavirusin që ia rëndoi shëndetin duke e çuar në intubim, Devole thoshte se në thuajse gjysmë shekulli karrierë kishte fituar duartrokitje pafund. “Aq shumë duartrokitje sa thosha sikur secila të ishte një tullë, unë dhe artistët të tjerë, do të kishim vila të tëra”, shprehej artisti që do të kujtohet përmes batutave që tashmë breza të tërë shqiptarësh, sidomos ata që u rritën apo u lindën gjatë tranzicionit, i kanë bërë të tyret./gazetasi.al