Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar do të jetë pa nikoqir edhe këtë vit.
Akademia e ka bërë publik lajmin në Twitter të mërkurën, ka raportuar “GoodmorningAmerica”.
Kjo ceremoni edhe vitin e kaluar ishte pa nikoqir që ishte edhe hera e parë që nga ceremonia e 61-të, e vitit 1989. Fillimisht ishte caktuar Kevin Hart për ta udhëhequr këtë ngjarje, por ai hoqi dorë si pasojë e disa postimeve të mëhershme kontroverse që u rishfaqën në Twitter, transmeton Koha.net.
Pas ceremonisë së vjetme, producenti i Oscar-it, Glenn Weiss, tha: “Nikoqiri i kësaj ngjarjeje është gjë e madhe, por në gjendjen që jemi tani mendoj se është gjë e mirë sepse organizimi do të mbahet”.
“Do të jetë argëtuese për t’u parë dhe ne do t’i nderojmë të gjithë këta njerëz në 24 kategori”, tha Weiss.
Ngjarja e vjetme e Oscar-it pa nikoqir tërhoqi shikueshmëri edhe më të madhe sesa një vit më parë – 29.6 milionë shikime në krahasim me 26.5 milionë një vit më parë.
Ceremonia do të mbahet më 9 shkurt.