Edhe ti mundesh me ken’ i lumtun nëse…

Ç’asht lumtunia?!
Lumtunia asht, kur njajo qi mendojmë, njajo qi themi dhe njajo qi bajmë, janë në harmoni, ka than nji mendje e kthjellët. “Të gjithë duen të jetojnë në “majen e malit”, pa kuptue se lumtunia qëndron në mënyrën se si zbret “faqen e pjerrët”, shton Bekon.

Albert Ajnshtajn asht i mendimit se “Po deshe të jetosh nji jetë t’lumtun, atëherë lidhe ate me nji cilësi, e jo me njerëz dhe gjana përreth, t’cillat munden mos me ken nji dit t’ujat ma”. Ndërsa Leonardo Da Vinçi mendon se “Lumtunia asht si nji flutur. Nëse e ndjek nuk do arrish kurrë ta kapësh, por nëse ndalon për nji çast, ajo do të qëndrojë në dorë tande”.

Fatkeqsisht jo gjithkush mundet me ken i lumtun, edhe pse përpiqet qi me çdo çmim me mujt me i’a mbërri këtij qëllimi. Meqenëse knaqsia kushtëzohet nga përdorimi i forcave tona dhe meqë lumtunia qëndron n’përtrimje t’vazhdushme t’ksaj knaqësie, ajo ka me ken gjithmonë e varun nga madhësia e fisnikërisë së forcës që i nep drejtim.

Më i lumtuni i njerëzve, më i plotpushtetshmi në nji botë qi rreket më t’vu pambarimisht në sprovë, nëse e përmush ose jo meritimin, asht ai individ qi natyra e ka pajis me dhunti të epërme shpitnore.

Individi qi zotnon kët pasuni, nuk kërkon nga bota asgja tjetër veç nji dhuratë fort t’çmueme për të, orët e lira, ku të përsos e të jetësojë në akte kumtimi t’brenshmen qi i gurron, duke pas mundsi me e shiju si një vullnesë t’hyjshme pasunin e vet shpirtnore, e cila e lejon me ken përgjithmonë, çdo orë e çdo ditë, plotësisht vetvetja.

Njeriu qi natyra e ka pajis me forcë t’madhe shpirtnore, ka aftësi dhe asht gjithmon i prirun kah nevoja me ken i ushqyem me dituni dhe kumte t’epërme estetike, qi ai ka aftësinë me i gjet, me i kultivu, e me i përtri me amën e vet t’pashterrun t’andjes, andrrës dhe vullnesës së transformuem n’qëllim, me e pranu botën siç ai e dëshiron me mish e me shpirt, tue u shpërblu masandej prej vezullimit t’njasaj drite qi e mbush përlot me t’pame e t’ndime. Tue e lumtunu e ban me krahë, i nep qiell me fluturu dhe dishrim me mbush me andrra. Ndoshta fjala nuk mundet me përcaktu kjart se ç’asht lumtunia dhe si mundesh me ken i rrokun prej çasteve t’saja t’hyjshme.
Lumtunia asht njaq e mistershme dhe njaq e pashpjegushme, njaq e atypëratyshme dhe e mrekullueshme, sa kurrçka qi lyp me e përkufizu përmes fjalës, nuk e mbrrin dot, nuk e përqarkon, ajo ndihet.

Albert Vataj