Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi sot se “i kam mbaruar fjalët e mia për teatrin, nuk kam asgjë për të thënë dhe këtu thjesht do të shfrytëzoj këto 20 minuta për të lexuar fjalët e atyre që e kanë bërë teatrin, e atyre që janë teatri, e atyre që e nisën protestën për teatrin”.
Në një interpelancë të kërkuar nga deputetët e opozitës për Teatrin Kombëtar, Kryeministri Rama tha se “kur ata e nisën protestën për teatrin as ju as, ata të tjerët që tani janë kthyer në bijtë e lënduar të Shekspirit dhe Molierit jo vetëm nuk ishit aty, por edhe iu ishte thënë që të mos guxoni të dukeni aty”, – tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “në atë protestë kanë qenë të gjithë anëtarët e familjes së komunitetit teatror dhe në krye të asaj proteste nuk ishin dy Budina, por ishte Robert Ndrenika dhe Arben Derhemi”.
“Po vazhdoj t’i përgjigjem zonjës Hajdari dhe të gjitha zonjave dhe zotërinjve të lënduar për çështjen e Teatrit Kombëtar duke përcjellë thjesht fjalët e protestuesve të vërtetë, jo e aktorëve politikë që luajnë teatrin e tyre pavarësisht se është tek Unaza e Re, tek Unaza e vjetër apo aty ku bashkohen dy unazat”, – tha Rama.
Më tej Rama tha se “Robert Ndrenika ka këtë përgjigje për ju zonja Hajdari: “Ju lutem mos më kryqëzoni kam qenë prej vitesh dhe jam për një Teatër Kombëtar të ri dhe bashkëkohor, të cilin ka për detyrë ta bëjë shteti shqiptar, paratë le t’i marrë ku të dojë, ndoshta edhe atje ku i merrte Josip Broz Tito”.
“Më pas Arben Derhemi, sepse është e rëndësishme të kujtohet që protesta e vërtetë ka ndodhur më shumë se dy vjet e gjysmë përpara dhe me protestuesit e vërtetë është zhvilluar dialog, si për asnjë çështje tjetër më parë në historinë e këtij vendi. Grupi i artistëve pjesë e lëvizjes së mbrojtjes së teatrit vendosën se duhet të ishim pjesë e bisedave dhe negociatave me kryetarin e bashkisë, sipas asaj që kishim rënë dakord me njëri-tjetrin ne grupi i përfaqësuesve dhe artistëve shtruam dy probleme të rëndësishme; të mos preket trualli i territorit të Teatrit Kombëtar dhe të shpallej një konkurs ekspertësh për teatrin. Skena e tij na njeh të gjithëve se kush jemi dhe sa vlejmë . Ata që duan të bëjnë shfaqje jashtë kësaj skene dhe historisë së atij tempulli janë jashtë historisë për të gjitha arsyet”-, – tha Rama duke shtuar siç jeni ju (deputetët e opozitës) në fakt dhe ata që ishin këtu e kanë ikur jashtë historisë.
“Jeni një zhvillim konfuz dhe anormal në një korsi paralele me historinë por jeni në kundravajtje”, shtoi ai.
Kryeministri Rama citoi fjalët e aktorit Bujar Asqeriu, i cili ka thënë “unë jam për unitetin dhe paqen sociale nuk e mbështes protestën që bëhet tani, s’ka me sens, logjika më e thjeshtë është që artistët të mendojnë ndryshe. Unë në atë godinë nuk futem më sepse është sëmundje. E kam thënë gjithmonë dhe nuk e pranoj. Nga ajo godinë që vdiqën shokët e mi, më duket se jam sëmurë edhe unë. Jam për paqe sociale dhe nuk më përdor dot as PS-ja dhe as PD-ja. Dua një teatër të ri dhe nuk ka më kuptim të vihemi kundër njëri–tjetrit dhe t’ia lëmë këtë çështje arkitektëve. Boll se u teprua”.
Më pas Rama citoi fjalët e Reshat Arbanës: “Nëse një pjesë e mirë e territorit qenka i bashkisë le t’ia lërë teatrit. E kemi parë të gjithë se në çfarë gjendje është dhe si është katandisur, ta mendojnë këtë punë ata që janë specialistë a bëhet një teatër në atë sallë apo një i ri. Lërjani territorin teatrit”.
“Luftar Paja ka thënë “që të kemi këtë teatër ne si artistë harrojmë gjërat kryesore dhe merremi me llaç dhe tulla. Ne si artistë duhet të shtojmë forcat për llaçin dhe betonin artistik. Teatri Kombëtar e ka emrin Teatri Kombëtar dhe aty nuk duhet të vijnë vetëm ata që banojnë në Tiranë, por ata që e meritojnë të vijnë në teatër. Teatri është i gjithë Shqipërisë”, citoi Rama, transmeton ATSH.
Më tutje, Rama citoi regjisorin Altin Basha: “Kemi negociuar, ramë dakord që të mos cenohej trualli, ramë dakord për dy përfaqësues të komunitetit që do të jenë në komisionin e negociimit për kontratën. Unë mendoj se duhet një godinë e re, pjesa muzeale mund të zgjidhet brenda godinës së re. Jam gati të debatoj me këdo për këtë pikëpamje. Si regjisor po ju deklaroj me përgjegjësi se ajo godinë nuk ofron mundësinë për zhvillimin e një krijimtarie cilësore teatrore dhe si rrjedhim një cilësi të ulët produkti për spektatorët”.
Ndërsa Enver Petrovci është shprehur: “Për mua është një budallallëk mos me u ndërtu një teatër i ri. Mendoj se duhet ndërtuar sepse çdo teatër vlen për një komb sidomos Teatri Kombëtar. Jam kundër që toka t’i falet dikujt mirëpo të ndërtohet një teatër i ri është absolutisht një budallallëk me e kundërshtu. Ai teatër që ekziston nuk ka kurrëfarë vlere”.
Artan Imami ka thënë se “më vjen ndër mend një takim i vitit ‘87 apo ‘88 me Ismail Kadarenë dhe ndërkohë që po bisedonim në një nga studiot dikush e pyeti si i duket teatri dhe ai ndërkohë që i kishte ngulur sytë në një qoshe të tavanit ku i binte suvaja thotë: Po ja ashtu si kjo godinë”.
Aktori Bruno Shllaku ëhstë shprehur se “për sa i përket teatrit më vjen keq që shumë nuk e dinë që i përket një stalle kuajsh që Italia fashiste ndërtoi për kapanon truprojesh. Ai vërtet që ka vlera, por do të marrë vlerë më të madhe kur të bëhet një godinë e re bashkëkohore që t’i përkasë Teatrit Kombëtar, i cili shumë shpejt duhet të jetë në bashkëbrinjë me qytete të mëdha të Europës. Reliket, figurat, objektet e suveniret e këtij teatri të jenë në një seli të shenjtë si teatri i ri modern që jam i bindur se duhet të ndërtohet”.