Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka postuar në “Facebook” një shkrim të Çun Lajçit, ndërsa fliste për protestën për shembjen e Teatrit Kombëtar. Rama shprehet se, në shkrimin e tij, Çun Lajçi ka folur me një vrazhdësi të kthjellët, mbi sherrnajën “për një godinë të gabuar që u shemb me një vonesë dhjetëra e dhjetëra vjeçare!” Ndërsa thotë se uron ta takojë aktorin, Rama shprehet se, ndonëse Teatri i ri Kombëtar nuk do të jetë si ai i Shkupit, ai do të hyjë në listën e teatrove më të bukur evropianë.
“ÇUN LAJÇIN e njoh si Çuni i Plisit të Bardhë e i një “grushti dhé”, ai që lidhi me një fill emocionesh unike diasporën shqiptare me tokën amë që digjej nga lufta andej bjeshkëve dhe u kthye përmes artit të tij, në ikonën shpirtërore të popullit gjatë asaj kohe të mallkuar… Po ta njihja personalisht apo po të mos më kishte thumbuar edhe mua në rreshtat bashkëlidhur, nuk do ta postoja këtu çka ai ka postuar me një vrazhdësi kaq të kthjellët, mbi këtë sherrnajën vulgare për një godinë të gabuar që u shemb me një vonesë dhjetëra e dhjetëra vjeçare! Uroj ta takoj Çunin e Bjeshkëve të Namuna kur si dy “të çmendun” mes plot normalësh, të hapim dyert e Teatrit të Ri Kombëtar, i cili nuk do të jetë si ai i Shkupit nga forma neoklasike e zgjedhur për arsye ideologjike, por pa diskutim do të jetë një Teatër Kombëtar që do të hyjë në listën e teatrove më të bukur evropiane të ndërtuar në kohët moderne.”,– shkruan në postimin e tij, Edi Rama.