Edi Rama: Mbyllja përfundimtare e RTSH-së është opsion

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Televizioni Publik Shqiptar ka dështuar. Ai u shpreh pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste se “bilanci i televizionit publik është dështim i suksesshëm”.

“Kemi tentuar që të krijojmë kushtet që televizioni publik të reformohet dhe kemi dështuar me suksesin më të plotë. Nuk di çfarë do bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i televizionit publik është dështim i suksesshëm. Që do të thotë nga borxhi në borxh”, tha ai.

Rama u shpreh se çdo opsion duhet të jetë në tavolinë, që nga mbyllja përfundimtare, privatizimi apo një lloj partneriteti për RTSH-në.

“Mendoj që çdo opsion duhet të jetë në tavolinë, edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, edhe çdo gjë përveç kësaj që është. Por unë nuk marr pjesë në këtë, siç nuk marr pjesë në asnjë lloj tentative për të rregulluar median. E bëra këtë “aventurë”, një “aventurë” thjesht dhe vetëm për pak gjëra dhe i mbeti Shqipërisë atje, ai paragrafi, drafti i ligjit për mediat. Ndërkohë që sot BE-ja diskuton shumë më tepër se aq, por unë nuk merrem as me televizionin publik, as me median online. Ju që vuani shpifjet e tyre, merruni. Unë personalisht e kam marrë parasysh që ata këtë punë kanë”, tha Rama.

“Të bëjnë reformë. Si ka mundësi që televizionet e tjera me shumë më pak buxhet bëjnë shumë më tepër sukses? Sepse buxhetin e tyre nuk e kanë të garantuar. Duhet ta krijojë. Televizioni publik e ka të garantuar. E duan të drejtën e FSHF-së për të transmetuar kombëtaren, por lekët nuk i paguajnë! Pse? Se ne jemi publiku. Doni lekët tona, shkoni te qeveria. Nuk kemi për t’i dhënë televizionit publik asnjë lek të taksave të shqiptarëve deri kur televizioni publik t’i meritojë lekët e shqiptarëve”, tha Rama./klantv

ObserverKult


Lexo edhe:

Edi Rama: Kam nisur të shkruaj një libër, nuk mund të pranoj varfërimin e shqipes