
Kryeministri shqiptar njoftoi se procedura për mbylljen e TikTok ka përfunduar, ndërsa paralajmëroi qytetarët se përdorimi i VPN mund të rrezikojë të dhënat.
Kryeministri Edi Rama, në rubrikën ‘Sy m’sy’, deklaroi se procedura për mbylljen e TikTok ka përfunduar ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të mos përdorin VPN pasi rrezikohen të dhënat. Qeveria ka bërë të qartë se TikTok do të hapet menjëherë sapo kompania kineze të vendosë filtra për mbrojtjen e të rinjve.
“Procedura për mbylljen e TikTok ka përfunduar për telefonat smart dhe nga ana tjetër, mënyra për t’ju shmangur bllokimit duke përdorur VPN falas është shumë e rrezikshme pasi dihet botërisht se hakerët bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit. Kijeni parasysh këtë gjë dhe duroni pa TikTok për ca kohë deri kur të përfundojmë programin e përbashkët me kompaninë, e cila do të vijë së shpejti në Shqipëri dhe do të paraqesë planin për adoleshentët.”, tha Rama.
Rama iu bëri thirrje edhe prindërve që të tregojnë kujdes në mënyrë që fëmijët të mos përdorin VPN.
“TikTok në smartphone është mbyllur, e kam informacion dhe si këshillë për të gjithë ata që do dëgjojnë, VPN falas, mos i hyni asaj rruge, se janë hapja e shtegut për të humbur të dhënat që keni në telefon se hakerat janë aty gati t’ua gllabërojnë të dhënat. Kujdes me telefonat prindër, nëse fëmijët u fusin VPN u morën në qafë. Falas falas, po është një dardhë që e ka bishtin mbrapa.”, shtoi ai./shqiptarja.com
ObserverKult
Lexo edhe: