Edi Rama shpërndan artikullin e “Corriere Della Sera” ku promovohet “toka e shqiponjave”

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë këtë të enjte artikullin e gazetës italiane “Corriere Della Sera”, e cila promovon “tokën e shqiponjave”.

“Duke i rënë kryq e tërthorë vendit, i dedikon një reportazh bukurive tona natyrore dhe vlerave njerëzore. Duke theksuar mikpritjen e rrallë, agroturizmet e shtuara, sitet kulturore. Po ashtu pasuritë UNESCO në zbulimin e intinerareve fantastike shqiptare për vizitorët e huaj”, shkruan Rama.

Prestigjiozja italiane Corriere della Sera i ka kushtuar një reportazh të gjatë Shqipërisë, kryesisht asaj jugore. Krejt kjo e parë nga biçikleta në atë që cilësohet si Rruga e Çiklizmit të UNESCO-s.

Ndërsa fton vizitorët e huaj ta vizitojnë Shqipërinë, autori thekson se me biçikletë udhëton pa nxitim në rrugë mes tokave të egra.

Aty ku majat, luginat, vreshtat dhe fshatrat e lashta të varura në shpatet e maleve ndjekin njëri-tjetrin. Poashtu edhe manastiret e kështjellat me pamje nga deti dhe qytetet historike, ku koha duket sikur ka ndalur.

Aventura nis nga Tirana, që cilësohet si kryeqyteti i zhurmshëm i “Tokës së Shqiponjave”. Për dy javë aventura vazhdon në një pjesë të Shqipërisë së mesme. Në juglindje përgjatë brigjeve të liqenit më të vjetër dhe më të thellë në kontinentit, Ohrit.

Për të vijuar pastaj më në jug Shqipërisë, në brigjet e lumit të fundit të egër në Evropë, Vjosës.

Autori thekson se gjatë një udhëtimi të tillë çdokush ka mundësi të njihet me qytete me histori mijëravjeçare të shpallura pasuri botërore nga UNESCO.

Vende arkeologjike të paçmueshme, plazhe të pacënuara, gjire sekrete dhe kështjella me pamje nga deti.

Jo pak vëmendje ka marrë bregdeti i jugut, duke nisur nga Saranda e për të vijuar me Himarën, Dhërmiun, Vlorën e deri në Divjakë. Krahas detit blu mund të shijosh edhe bukuritë e fshatrave të lashtë. Gjithashtu manastire me pamje nga deti, por edhe mikpritje si në kohët e vjetra.

Përveç bukurive natyrore turistët në këto zona mund të shijojnë edhe gastronominë.

Gastronomia në artikull konsiderohet si ekselente.

Jo më kot, thekson artikulli, Shqipëria është renditur edhe nga New York Times si një nga 52 destinacionet kryesore për t’u vizituar nga pushuesit gjatë 2023.

Gjithashtu edhe gjigandi mediatik britanik BBC ka nisur transmetimin e një cikli reportazhesh që i kushtohen bukurive të Shqipërisë./Tvklan.al

ObserverKult


Lexo edhe:

BBC ME REPORTAZH PËR SHQIPËRINË, FLITET EDHE PËR KOSOVËN

Mediumi prestigjioz britanik BBC, i ka kushtuar një reportazh Shqipërisë, kur përmes tij flitet për historinë, turizmin malor si dhe karakteristika tjera të vendit. E në të përfshihet edhe një rrëfim i një kosovari për luftën në Kosovë.

Ky reportazh është mirëpritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili përmes një postimi në Facebook e ka quajtur si ogur i mirë për promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult