Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se Teatri Kombëtar do të ndërtohet ashtu siç është projektuar dhe siç jemi zotuar.
Deklarata e kryeministrit u bë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministren e Kulturës, Elva Margariti për nisjen e Javëve Kulturore Ndërkombëtare.
“Për fat të keq u bënë tani 3 vite që bëjmë plane dhe kemi projekte për të realizuar, ndërkohë vendi përballet me ndërhyrje masivisht të forta faktorësh jashtë nesh, fatkeqësisht të mëdhenj, si tërmeti, pandemia apo lufta që ka nisur në Ukrainë, e cila faktikisht ka goditur shumë në aspektin e rritjes së çmimeve në tërësi dhe rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit në veçanti”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se është duke u diskutuar për të ndryshuar manualin teknik të çmimeve të punimeve të ndërtimit, pasi kompanitë nuk shohin interes për të marrë pjesë në garat për investime publike.
“Jemi duke diskutuar pikërisht këtë fakt që ka pasur një ndikim jo të vogël në industrinë e ndërtimit. Nuk ka asnjë ndryshim sa i përket projektit të Teatrit dhe se i gjithë problemi qëndron te ky moment i vështirë i kalimit nga letra në realitetin e zbatimit, për shkak të rritjes së çmimeve dhe jemi duke rishikuar manualin që kemi për këtë qëllim, sepse është e kotë që me manualin ekzistues t’u kërkosh kompanive të marrin pjesë nëpër gara, apo që të mund të zhvillojnë investime në funksion të interesit publik, të cilat janë de facto shumë më të shtrenja sesa figurojnë në manualin e vjetër. Po merremi me këtë çështje dhe besoj do të gjejmë në zgjidhje”.
“Dhe Teatri Kombëtar do të ndërtohet ashtu siç është projektuar dhe siç jemi zotuar. Por siç e kam thënë edhe herë të tjera, jo të gjitha planet mund të zbatohen sipas afateve të parashikuara, kur midis teje dhe afateve futen ngjarje që as mund të parashikohen, as mund të evitohen”, deklaroi Rama./ATSH
——————————
Lexo edhe:
FEDERIKO GARCIA LORKA: FLISNI PËR TEATRIN
ObserverKult