Festivali i filmit DokuFest, do të shënojë edicionin e 20-të këtë të premte.
Nga data 6 deri më 14 gusht, në qytetin e Prizrenit do të prezantohen filmat në platformë online.
“Nga përzgjedhja e pasur dhe e larmishme e filmave në konkurse, ne jemi të kënaqur të mirëpresim përsëri një numër prodhuesish me veprat e tyre të reja dhe po aq të emocionuar të prezantojmë disa nga zërat e rinj më të mirë dhe më të ndritshëm të ardhshëm në kinema me filmat e tyre debutues”, thuhet në njoftimin e DokuFest.
Publiku do të ketë mundësinë të ndjekë 14 filma nga Gadishulli Ballkanik, 12 sekuenca dhe 15 dokumentarë të shkurtër ndërkombëtarë, 25 filma të shkurtër nga bota dhe 15 të tjerë të prodhuar nga diaspora e Kosovës, transmeton ‘cbc.al’.
Gjatë ditëve të festivalit do të transmetohet edhe një përzgjedhje prej 8 filmave të jashtëzakonshëm mbi të drejtat e njeriut, 8 mbi ambientin, si dhe një përzgjedhje filmash mbi gazetarinë hulumtuese dhe prodhimin e dokumentarëve.
Ky është viti i dytë më radhë që DokuFest transmetohet në platformë online, për shkak të pandemisë.