Komunistët ia ekzekutuan babanë dhe të fejuarin- premtoi s’e nuk do martohej kurrë…

Të premtosh që nuk do martohesh kurrë më, në moshën 21-vjeçare, duket si një deklaratë pasionante që koha do e ndryshojë, por Liri Tërshana e respektoi gjithë jetën.

Liri Tërshana, e rritur nga një baba idealist dhe e fejuar me një djalë fisnik, të dy të
pushkatuar nga regjimi komunist, e kuptoi që nuk mund të merrte më asgjë të mirë nga ajo kohë. Ajo iu kushtua së ëmës, të vëllait e familjes së saj dhe nuk u martua kurrë.

Nehat Tërshana tregon historinë e rrallë të së motrës. Edhe pse 21 vjeçe, nuk ngurroi t’i përplaste në fytyrë Haxhi Lleshit, përgjigjen e saj të guximshme.

E bija e një prej drejtuesve të Këshillave Nacionalçlirimtare dhe e angazhuar drejtpërdrejt me Lëvizjen, por edhe nxënëse në institutin “Nana Mbretneshë”. Me Nexhmije Hoxhën, Liri Tërshana njihte nga afër disa nga figurat më të rëndësishme të pushtetit të sapovendosur komunist.

E megjithatë, askush nuk do ta ndihmonte kur, vajzë e re. Trokiste në dyert e shtetit për të fejuarin, Habib Gega, të mbyllur në birucat e Tiranës, në vitin 1945.

Habibi, nga një familje bajraktarësh të Lurës, kishte qenë student në Itali dhe ishte kthyer në Shqipëri gjatë Luftës. Ai gjeti te Liria, e bija e mësuesit dhe patriotit Edip Tërshana, vajzën, së cilës ia vlente t’i kushtoje jetën.

Mirëpo në vitin 1943, Edipi do të shkëputej nga komunistët, të cilët i quajti tradhtarë të idealeve kombëtare. As dhëndri i tij i ri nuk pranoi t’u bashkohej partizanëve. U distancua nga krimet e tyre të cilat edhe Edipi kishte nisur t’i denonconte haptas. Megjithatë, ai as të largohej, nuk mundej.

Grupi i shokëve e ftoi të riktheheshin në Itali për të përfunduar shkollën, por Habibi e dinte që largimi i tij do t’i kushtonte shtrenjtë Lirisë dhe vendosi të qëndronte.

Punoi për ca kohë në Peshkopi, dhe më pas, shkoi në Tiranë në ministrinë e Punëve Botore. Shumë shpejt do ta arrestonin dhe më pas do ta pushkatonin me gjyq special.

Edipi, të cilit pak muaj më parë, ia kishin pushkatuar të vëllanë, i cili gjatë luftës, kishte strehuar në shtëpinë e tij familjen e Enver Hoxhës erdhi nga Peshkopia. Ai deshi të takonte Enverin, për ta pyetur për varrin e të vëllait dhe fatin e dhëndrit.

I biri mund ta kujtojë atë bisedë që i ati duhet ta ketë ritreguar pas kthimit nga Tirana. “Shkoi te Kryeministria, aty ku është tani Shtëpia e Kukullave dhe kërkoi Enverin. “Pse ke ardhur?,- i tha. -Të drejtën për ta hapur shkollën, ta dhamë”.

“Kam ardhur për dy gjëra të tjera, -i tha im atë. Dua më dit’, im vëlla, që ma vratë, ku është varrosur, ku është trupi i tij?”. “Ou nuk di gjë unë”, i kish thënë.

“- Po kur s’e di ti, kujt t’ia kërkoj? – Po dhëndrin pse ma keni burgosur? Pse nuk u bashkua me ju? Po dhe po të kishte ndihmuar, ti do e kishe pushkatuar. Ti vrave këtë që të mbrojti nënën dhe motrën”, i tha”.

Edhe Liria, bëri përpjekjet e saj për ta shpëtuar të fejuarin gjatë vitit 1945. Ajo, siç tregon i vëllai, Nehat Tërshana, shkoi të takonte Haxhi Lleshin dhe deputetin Faik Shehu, të cilët i njihte mirë.

“Motra interesohej për të fejuarin, në Tiranë. Vajzë e re, kishte mbaruar Institutin “Nana Mbretneshë”. Ishte shoqe me Nexhmien në atë kohë. Në një shkollë kanë qenë, jo vetëm që nuk e ndihmuan, por e pushkatuan para afatit të fejuarin.

Shkoi te Haxhi Lleshi, si dibran, por ne nuk e dinim kush ishte ai, ky ishte siç ia shkroi babai në letër më vonë:

“Ti u ktheve në strofkullën nga ke dalë”, sepse familja e tij, të gjithë, kanë qenë oficera të serbit dhe te Faik Shehu, që u pushkatua me grupin e deputetëve.

Haxhiu e njihte Lirinë sepse baba kishte qenë kryetar i Lëvizjes Nacionalçlirimtare deri në ‘43-shin dhe ajo punonte për Lëvizjen shpërndanin flamuj në Dibër të Madhe, por u prishën me Haxhiun dhe maqedonasit për flamurin maqedonas që babai nuk e pranoi. Edhe i thotë Haxhiu: “Moj Liri, po të gjejmë ne burrë” .

“Shiko, i tha ajo, nana dhe baba më kanë dhënë një burrë. Unë veç atij, varrin kam.” Dhe motra nuk u martua, jetoi me mua, më rriti fëmijët”, thotë Nehat Tërshana.

Habib Gega u pushkatua në vitin 1945, kur ishte 27 apo 28 vjeç. Liria as nuk e mendoi më të martohej, pas dy vitesh e pak do t’i pushkatonin edhe të atin dhe ajo do ta mbyllte jetën pa shpresuar më asgjë.

E takoi dy herë babanë në burg dhe letra e tij drejtuar familjes, mbante emrin e saj, si më e madhe që ishte. Ai i siguronte fëmijët që po vdiste si shqiptar dhe shpresonte që ata do ta shihnin Shqipërinë siç e donte ai, por diktatura bëri çmos për t’i vonuar realizimet e shpresave e njerëzve si Edip Tërshana.

Liria do të ishte e moshuar kur u përmbys diktatura dhe e vetmja gjë që shpresonte ishte “të vdes e të varrosem në Tiranë”. Kjo shpresë e fundit iu realizua, kur bashkë me familjen e të vëllait erdhi në Tiranë, në vitin 2006.

Kishte jetuar 50 vjet në Kavajë, shumicën e kohës në një barakë, duke u kujdesur për të ëmën e më pas për familjen e të vëllait. Ishin dëbuar atje pas disa vitesh në Tiranë, ku qëndruan pas pushkatimit të të atit.

Edhe pse Liria kishte përfunduar një nga shkollat më të rëndësishme të vajzave nuk do t’i jepnin punë, veç disa muajve në fidanishte e ca të tjerëve në një sektor të qepjes së uniformave të grave, duke qenë që kishte mësuar të qepte, me një makinë që ia kishte blerë i ati.

Liria në vitin 1940

Familjes iu desh ta shiste pajën e saj, për të siguruar ushqim gjatë viteve më të vështira, kur i vëllai ende nuk kishte filluar punë, por fundja ajo nuk i duhej, Liria e kishte vendosur që nuk do të martohej më./kujto.al

*Fotot janë publikuar në librin “Edip Tërshana” nga Gafur Zoto.

ObserverKult

——————–

Lexo edhe:

Kush është shqiptari që refuzoi dy herë postin e mbretit të Shqipërisë?