Edison Ypi: Bakllavaja

filmat shqiptar shami edison ypi

Ta bëra bakllavanë me petë të holla dhe të buta si mëndafsh, ta poqa në ngjyrë vishnje, merre haje, gjakedhjam, tha furrxhiu duke më treguar me krenari tepsinë plot me thela si pridha të ëmbël dhe të shijshëm.
Duke vajtur në shtëpi me bakllava ndër duar, rrugës njerzit më shihnin me dyshim.
-Çfarë ka bakllavaja ime që e sheh vëngërr ? i thashë njërit.
-Bakllavaja jote ka brenda sheqer dhe vaj industrial, miell dhe arra të modifikuara genetikisht që të shpifin llojlloj sëmundjesh.
Ma bëri harram. E hodha bakllavanë në kazan të plehrave. Por uria për bakllava mu shtua.
Vajta në një tjetër ëmbëltore. Bakllavaxhiu bëri sikur ma lexoi mendjen.
-Ti këtë bakllava e do që t’ia dhurosh Kryeministrit që ëmbëlsia e bakllavasë t’ja neutralizojë zeherin që kundërshtarët e Tij hedhin oreminut mbi të.
-Kryeministri ynë prodhon më tepër mjalt e sherbet se kundërshtarët e tij helm, i thashë bakllavaxhiut me dell dhe zell të tepruar politik, dhe vajta te një tjetër ëmbëltore.
-Dua një bakllava…
Ma kapi mendimin,
-Qënke qerrata, tha. Sa bukur të paska vajtur mendja. Ti do një bakllava që tu dhurosh ministrave nga një thelë t’i zërë barku në mbledhjen e qeverisë, pamjet filmike të shkojnë në Youtube t’i shohi gjithë dynjaja si dhjeracakë. Pa merak. I kam helmet e duhura për bakllava që shkakton spirrë të verdhë për ministra të kuq.
Më dëshpëroi ky helmatisës i maskuar si ëmbëltor dhe kjo ëmbëltore e rrezikshme me mpleksje perverse të ëmbëlsisë me politikën.
Por nuk u dorzova.
Disa bakllavaxhinj në disa ëmbëltore më pritën me këmbët e para;
I pari,
-Do të bëj një bakllava të atillë që Kryeministri pasi ta hajë ti vejë menjëherë mendja të bëjë ndryshimet e duhura në qeveri.
I dyti,
-Do të bëj një bakllava që pasi tu japësh të hanë nga një thelë deputetave tu pëlqejë aq tepër sa të vendosin njëzëri për zgjëdhje të reja që të merret vesh përfundimisht sa i vlen lëkura njërit e tjetrit dhe çfarë gëzofi mund të bëhet me secilën lëkurë.
I treti,
-Do të bëj një bakllava që pasi tu japësh të hanë nga një thelë, deputetave të inkriminuar, tutorëve të kurvave, vrasësve, të shkojnë të gjithë në hale të gomerëve. Faleminderit që po më jep rastin të bëj bakllavanë që kam ëndërruar tërë jetën.
I katërti,
-Do të bëj një bakllava posaçërisht për të helmatisur disa konservatorë të cilët në vend që në këto ditë të vështira për fatet e Kombit të bashkohen kundra të kuqve në pushtet, merren me njëritjetrin e lagu s’e lagu.
I llaftarisur nga politizimi ekstrem i bakllavasë si mjet vrasës, s’po dija nga t’ja mbaja për të bërë një bakllava si ma ka mideja. Kur papritur te banaku i një ëmbëltoreje doli një grua.
-Dua, i thashë gruas së ëmbëltores, të më bësh një bakllava me shumë petë, petët të mos jenë të gatëshme por të bëra vetë me okllai’, arrat të mos jenë nga Kina por nga Bërzeshta, jo me vaj por me gjalp, jo me sheqer por me mjalt, jo me ujë çezme por me ujë burimi.
-Mos e do edhe të rruar zotrote ? Të kuptoj drejt. Je në vendin e duhur. Ëmbëltorja ime është e specializuar për helmime burrash. Do të bëj një bakllava për vdekje të sigurtë, në çast, me kafshimin e parë.
Pash’ ç’pashë, nga bakllavaxhesha kriminele, vajta te një ëmbëltore pak më tutje.
-Dua të më bësh një bakllava vdekjeprurëse mesjetare. Si ajo e Masakrës së Manastirit që helmoi tetqint burra.
-Pse e do ?
-Ta ha vetë. Të iki përgjithmonë nga ky vend plot me rrenacak, hajduta, katila.

ObserverKult