Edison Ypi: Fal’ internetit, shqiptar i shquar quhet çdo hajdut që ngre një flamur me shkabë…

filmat shqiptar shami edison ypi

Nga Edison Ypi

Fal’ internetit, shqiptar i shquar quhet çdo hajdut që ngre një flamur me shkabë duke nxjerrë zjarr nga goja, dhe çdo budalla që zhgarravit 1 rrjesht e gjysmë në fejsbuk.

Fal’ internetit, ajo që do duhej të ishte shtylla e shoqërisë, mikroborgjezia jonë, më së fundi ekziston.

Por është më e flliqta në fytyrë të dheut; Ca parazitë e ca halldupë që hiqen për aristokratë, ca bajga që mbahen për elitë, ca muta që shiten për çokollata.

Fal’ internetit, çdo halabak llapaqen është më i konsideruar dhe më i lavdishëm se një krahinë e tërë që nuk prodhon lajme me vrasje në familje por vetëm spinaq, misër, grurë, mish, lesh, qumësht.

Fal internetit, “Shqiptari i vitit” u zgjodh Loqemadh Katunari nga Tarrasi, Komuna e Taplasit, Prefektura e Tangopit.

Fal’ internetit, “Shqiptari i Shekullit” është ai që ishte dhe gjithmonë do jetë, Takap Tahipi nga Marrujti, Komuna e Briskut, Prefektura e Sapunit.

Falë internetit janë bërë goxha përparime në majmunëzimin e brezave të rinj.

Fal’ internetit janë shtuar frikshëm ca budallaqe në kërkim të burrit. Ato që fotografojnë surratin e vet nga dhjetra kënde.

Mballosin vargje me t’i sjell zorrët te fyti. Nxjerrin piktura me sorkadhe të pëlotura, përrua që rrjedh, liqen, pulëbardha, lejlekë, hënë e zbehtë në horizont.

Fal’ internetit, shitësi i bulmetit, kasapi, marangozi, katundarja që sjell qumështin, dhe çdo parazit kafeneje, janë pakrahasimisht më të rëndësishëm se gjithë shqiptarët që janë lodhur me vite nëpër shkolla e universitete.

Fal’ internetit shqiptarët lirinë tashmë nuk e perceptojnë si lehtësim, si zgjerim, por si ngushtim, si hall, si siklet, si sëmundje, si bunker, si burg.

Fal’ internetit shqiptarët nuk po e kuptojnë se po të shpërdorohet,liria jo vetëm paksohet, por edhe zhduket, dhe po u zhduk, mirupafshim te mbledhja e kolektivit, talloni, teli me gjëmba, qeni i kufirit.

*Titulli i origjinalit: “Fal’ internetit”

ObserverKult  


Lexo edhe:

EDISON YPI: PO MOR PLEHRA PO… DO MBURREM DERISA TA GJEJ NJË QË KA SHKRUAR LETRA SI UNË…

Nga Edison Ypi

Letrat që i kam nisur vëllait në Spaç. Nostalgjira të trishta. Nuk është mirë t’u afrohesh se sëmuresh.

Kanë mbetur disa dhjetra. Të tjerat kanë humbur.

Nuk i jam kthyer asnjërës prej atyre letrave për të parë çfarë kam zhgrrapsur ‘many tears ago’.

Aso kohe, nëna ime Hasia dhe unë, jetonim si Zonja Nurihan dhe Mark Zavalina. Prisnim e përcillnim mysafirë me halle të ngjajshme.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult