Edison Ypi: Fshati i rënkimeve

filmat shqiptar shami edison ypi

Fshati i rënkimeve nuk ka krua me ujë të rrjedhshëm, nuk ka sokakë me kalldrëm, nuk ka kala të vjetër.
Rruga për në fshatin e rënkimeve në perëndim të Lushnjes është e drejtë si të gjitha rrugët që të çonin në fshatrat e rënkimeve ku Gazi i Degës hynte e dilte si i tërbuar.
Rruga e drejtë si tytë, kaçubet si kondak, në fillim e në fund dy gunga si thep e shqekëz, parcelat si karikator, fshati i rënkimeve duket si kalashnikov i hedhur rrëzë kodrës në ikje e sipër nga një vrasës që ngutet të fshihet.
Fshatrat e Shqipërisë historike i kanë shtëpitë të vendosura në mënyrë të çrregullt.
Fshati i rënkimeve i ka barrakat në rresht, si rënkimtarët e internuar në apel.
Rrugica të ngushta plot baltë, barraka prej kallamash, tavane kashte, lagështirë, minj gjithandej. Në këto kushte kanë jetuar duke rënkuar me dhjetra vite mijëra të internuar.
Në tre-katër “pallate” fantazmagorikë të ndërtuara me punë vullnetare me dritaret mbuluar me hekura dhe celofana kanë “jetuar” kryetarët, sekretarët, komandantët, komisarët, nëpunësit, brigadierët, pra “të liret”, ata që në fshatin e rënkimeve hynin e dilnin kryelartë pa u kontrolluar nga policia.
Në fshatin e rënkimeve kanë mbetur disa ish të internuar të mjerë që me kalimin e viteve kanë humbur çdo lidhje me botën dhe s’kanë ku të venë.
Ja një nga të rrallët e internuar të mbetur. Ja një Robinson i rënkimeve që po tymos duhan mbështetur pas murit të një bilardoje bosh. Është 60 vjeç. Babai pushkatuar në vitet `50. E kanë plasur këtu dy vite pas pushkatimit të babait. Sy të fikur. Gjymtyrë të lëshuara. Krejt i painteresuar për ç’ndodh pranë apo larg. Edhe po ta shihte botën të bëhej pluhur e hi dhe të gjithë banorët e planetit të therur para syve të tij, nuk do ti bënte asnjë përshtypje.
Në fshatin e rënkimeve një organizatë humanitare ndërkombëtare ka ndërtuar një ujësjellës. Pompa, tuba, rubineta. Por ujë s’ka. Rrethuar me pellgje të tharë dhe plehra, çezmat e thata sikur i ka bllokuar ajo kuçedra të cilën ngaqë nuk e pranon as ferri vazhdon të japi intervista.
Dikush, duke sfiduar organizatën dhe bamirësinë e saj, ka shpuar një pus në oborr, ka nxjerrë jashtë oborrit një tub llastiku ku graria vinë e marrin ujë që s’pihet për të larë rrobat me bidona plastike mbi karroca dore.
Zonjë 72 vjeçe, këtu prej më se dyzet vjetësh, rrëfen mes rënkimesh për burrin e zhdukur nëse ja pushkatuan, e varën në litar, apo e vdiqën së rrahuri. Kokekëmbë me të zeza, tek rrëfen me duar të kryqëzuara në prehër dhe kokën të lëshuar mbi supe për fatet e nxira të dy djemve, Zonja thotë se Zotin e beson, por në kishë nuk vete. Gjëmimtarja e rënkimeve që s’ka në cilën kishë të shkojë të falet, mërmërit për dikend në Tiranë i cili e ka gënjyer disa herë duke i premtuar ta largojë nga ky varr bosh, ky ferr rënkimesh që ende dëgjohen. Një mbesë e Saj reciton Lasgushin; “Në këtë ças’ të perënduar, kur po më dehen sytë e qarë…”.
Dehje e syve mes rënkimeve, kallamave, pellgjeve, rraqeve, kovave me ujë që s’pihet, zheleve të ndera për t’u tharë në një ditë dimri.
Kafene e errët, pa korent, pis, bosh.
-Kanë këmbyer veriun shkëmbor me këto baltovina. Vinë pinë ndonjë kafe në mbrëmje dhe bien flenë, thotë pronarja e Qajtores myzeqare.
Mbi dritaren e mbyllur me plastmas të një “Pallati” lexohet; “Partia mbi të gjitha”.
Posta e policisë që gjatë dhjetëra viteve ka bërë çdo mbrëmje “Apelin” është shndërruar në banesë provizore derisa dikush ta privatizojë për ta shndrruar në depo zhabash mbledhur nëpër kanale.
Disa vocërrakë pranë një çezme të thatë ngrenë dy gishtat duke bërtitur Sali Berisha-Sali Berisha.
Pak më tutje, pranë një kioske, nja katër a pesë vendalinj të ngeshëm që luajnë domino anës rrugës betohen për kokë të Edi Ramës.
E vetmja ndërtesë e re, e rregullt, e pastër, është në të njëjtën kohë “Qendra Shëndetësore” dhe “Kopshti”. E ka ndërtuar ajo organizata humanitare e çezmave të thata.
Pak më tutje, mbi një pllakë mermeri mbi murin e një godine është shkruar; “Në mirënjohje për ndihmesën e dhënë fshatit nga Organizata (e thatësirës) për ndërtimin e Qendrës Shëndetësore (bosh), Kopshtit (pa fëmijë) dhe Ujësjellësit (pa ujë)”.
Në kthim, fshati i rënkimeve duket si kobure e ndryshkur flakur nga dikush pasi ka vrarë veten.

ObserverKult