Edison Ypi: Ndryj brenda vetes tmerre

ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemzije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar para pak kohe nga Shtëpia Botuese “Syth”.

———————————————————————-

Flasim përhanshëm me Edison Ypin

Nga: Xhemazije Rizvani

Je skandaloz, apo i lirë?

Nuk jam skandaloz, as i lirë. Jam “Zog’ i Qiejve”.

Çfarë pëshpërisin? Çfarë ua thonë haptazi?

Nuk më intereson çfarë thonë për mua haptazi, apo fshehtazi, urbanët, qytetarët, snobët, metropolitanët. Ata janë të ngjashëm, të parashikueshëm, të mërzitshëm, jo interesantë, jo të rëndësishëm.

Të rëndësishëm sepse të pangjashëm, befasues, shpërthyes, janë ruralët. Ata vdes t’i dëgjoj. Me ata ngordh të bisedoj.

Tomas Edisoni punoi shumë  për të mundur terrin. A po e bën “luftën e njëjtë”, me stil ndryshe ?

Pak ose shumë, të gjithë janë të ndikuar nga emri. Unë nuk jam përjashtim. Pa u fut në Kabalistikë, nëse do quheshim, njëri Nexhmedin Ypi, që do lodhej për ta ndriçuar Shqipërinë, tjetri Edison Spahiu, që do bënte çmos për ta llamburitur Kosovën, Nexhmedin Spahiu dhe Edison Ypi nuk do kishin jetët që kanë.

Çfarë të bën të nxjerrësh zorrët sapo hap sytë ?

Ndarja e beftë nga ëndërrat mëngjesore, për me shku fill në hale me zbraz përmbajtjen e zorrëve.

Nganjëherë, më duket sikur e ke “ngrënë Konicën” e flet përmes teje?

Konica pinte uiski, bënte muhabet, tallte shqiptarët. Disa prej të shumtëve që duan t’i ngjajnë shkojnë në Amerikë përrallisin dokrra për t’u dukur Konicë ose Nol. Unë s’jam as si Konica, as si ata që ndërrojnë kontinentin për t’i ngjarë.

“Me vdekje me pushkatim gjithkush që gjatë udhëtimeve nëpër bukuritë natyrore të Shqipërisë i mban dritaret e makinës mbyllur ose fle, e zë gjumi”. Nëse do zbatohej, sa shqiptarë do kishin mbetur gjallë?

Dehjen duke këqyrur peizazhin rural shqiptar duhet me e shpall detyrim Kushtetues. Gjithkend që është aq shtazë, sa gjatë udhëtimit nëpër Shqipëri mban mbyllur dritaret e makinës, duhet pushkatuar në vend dhe groposur si qen i zgjebosur. S’ka rëndësi sa pas zbatimit të Ligjit për ruajtjen e lavdisë së racës, shqiptarët do mbeten pak. Shqiptarët shumohen shpejt.

Në qeverinë tënde me tre shqiptarë, një nga Shqipëria, një nga Kosova, një nga Maqedonia e Veriut, çka kishe bërë?

Unë nga Tirana, Kadriu nga Dobardalani, Fija nga Vaksinca, do thyejmë krejt lahutat, do grisim krejt Epet, do pushkatojmë krejt Rapsodët. Autostradat, tunelet, grataçielat,presin, ato bëhen kollaj.

Kë urren sa Kurvin?

Proletarët. S’ka më të poshtër se proletarët.

Kë do sa Lasgushin?

Nuk dua Lasgushin. Dua Poezitë e Lasgushit: “Letërkëmbim”, “Lamtumirë”, “Eja Motër”, “Trioleta”, “Kroi i Fshatit tonë”.

N’qeverinë tënde si do t’i bësh shqiptarët të lexojnë romane, të mësojnë përmendësh poezi, të dërgojnë letra me zarf?

Duke i bindur edhe me dhunë nëse do jetë e nevojshme, se letërsia dhe arti nuk janë qëllim. Janë mjete, janë vegla, për ta arritur qëllimin për t’u bërë më të mirë, më të ndjeshëm, më të dhimbshëm, më të mëshirshëm, më të njerëzishëm.

Përse i quan copa muti ata që e shajnë Kadarenë?

Sepse janë. Le të mos flasim për ata halera, se na vjen erë biseda.

Flisni kaq hapur për të gjitha gjërat, si guxoni?

Nuk flas fort hapur. Ndryj brenda vetes tmerre, që po t’i shpërthej, rrafshohen malet e thahen detet.

A e njihni frikën?

Frikën e kam mikeshë. Vishet me stil. Nuk mbath brekë. Vallëzon mrekullisht. Nuk lë skutë pa u futur. Është nikoqire e mirë. Di të gatuajë çorbë.

Kush është shqiptari më i madh që duhet të shërbejë si model?

Shqiptari që do mbetet në shekuj është një dhe vetëm një. I lavdishmi Kurvi. Rrenën, spiunllëkun, hajdutllëkun, intrigën, dembelinë, vëllavrasjen, pabesinë, nuk i shpiku as nuk i solli Kurvi. I gjeti mes nesh. Djalli vetëm i pasuroi, i përsosi. S’ka më të përshtatshëm se diabolikun Kurvi me e shpall model të pavdekshëm, që shqiptarët me i përmirësu cilësitë që i kanë.

Cila është marria juaj më e madhe?

Që kam besuar se shqiptarët mund të qytetërohen.

Shkruani shkrime interesante për vendet. Para se t’i shkuani, a i vizitoni?

E pyes ndonjërin që qarkullon fotografi; Ku ndodhet kjo urë ? Si shkohet te ky mulli ? Sa larg është ai Liqer ? Thotë; Nuk e di. Mullirin ma dhuruan kur fejova motrën. Urën ma fali një mik kur bëra synet çunin. Liqerin ma sollën peshqesh kur mora haberin se goca mu bë kurvë në Zvicër. A nuk është gjynah prej Zotit me i lënë gjallë këto vemje?

Pse shkruan?

Për me e shpall veten. Me biseda nuk është e mundur. Ngjyrat nuk di t’i përdor. Pentagramin nuk e njoh. Dalta është e lodhshme. Gurrmaz me këndu s’kam. Të shkruash është kollaj. Sidomos kur mendon, si ka thënë Edi Rama, se me një presje, mundesh ta djegësh botën.

Kush ta nxin jetën?

Frymën ma ndalin, sytë m’i errin, jetën ma sterrin, ca mbijetues banalë, ca trashanikë të padurueshëm, ca lapangjozë materialistë, ca të sëmurë të pakurueshëm, ca të çmendur të papërmbajtur, ca që megjithëse me letërsinë nuk i lidh asgjë, për t’u duk sikur janë “shkrimtarë”, bëjnë të paimagjinueshmen; nxjerrin mbi tezgë fëmijët e vdekur.

Në një minutë kohë ringjalljeje, ç’do t’i thoshit Diktatorit?

Do ti them: “Pidh some kishe qenë o shoku Kurvi”. E hodhe në hale Abraham Lincolnin, e rrejte të gjithë popullin, përgjithmonë. S’ka problem, se je i zhgërryer me baltë varri. Afrohu ta bëjmë një selfie! Qesh pak të duket dhëmbi i floririt. Ik! Futu në gropë! Mbylle mirë rrasën e gurit sipër kokës së kalbur!

A është një natë dashurie, një libër i lexuar më pak?

Një natë dashurie është sa 164 milionë libra. Një natë dashurie është shetitje pa gravitacion nëpër Qiejt e Multiversit shoqëruar nga një Sheherazade, e cila tregon pa u ndalur përralla për t’i ikur vdekjes.

Gratë?

Me përjashtim të shkodraneve, femrat shqiptare nuk të duan për kurrgjë tjetër, veçse me të marrë për burrë. Më dridhet mishi nga tmerri kur mendoj se po të isha martuar, do kisha rënduar globin me bastarda.

Përbindëshave po nuk ua shtype kokën…?

…haju atë që s’thuhet.

Shkrimtarët e tu të preferuar?

Shkrimtari im i preferuar është një i panjohur nga ata që janë spiunë, por mbahen për shkrimtarë. Do ta gjej një prej këtyre pisave, dhe do ta bind që nëse do shkruajë një libër për heroizmat që bëri, vuajtjet që hoqi, pseudonimin që zgjodhi kur e bënë spiun, ai libër do bëhet best-seller dhe muti që e shkroi do marrë çmimin “Nobel”.

Derisa këlliri në fjalë ta shkruaj best-sellerin e ardhshëm të lavdishëm, Shqipëria ka vetëm një shkrimtar, që është Kadare dhe vetëm një lexues, që jam unë./ ObserverKult