Ta bëjmë një këngë. Ti zërin, unë tekstin, përroi muzikën. Ta marri era këngën ta degdisi nëpër lugina, pllaja, male, kodra, dete, qiej.
Nga Edison Ypi
Miliona njerëz në të gjithë planetin, do ta mësojnë përmendësh, do ta këndojnë dhe vërshëllejnë nëpër rrugë, rrugica, sheshe, aq e bukur do jetë kjo këngë.
Ai zë e ai tekst do t’ua ndali frymën dhe rrënqethi mishin të gjithëve përgjithmonë.
Të vetmuarit, fatkeqët, hallexhinjtë, zengjinët, fukarenjtë, eruditët, injorantët, të njohurit, anonimët, katunarët, qytetarët, por më së shumti të dashuruarit, do ja pëshpërisin njëri-tjetrit për të harruar taksiratet, qetësuar dhimbjet, larguar sëmundjet.
Ajo këngë do bëhet sfidë për përbindshat e shenjtë të pentagramit dhe fytit.
Vaçe Zela, Frank Sinatra, Louis Armstrong, Ella Fitzgerald, dhe të tjerë, do ngrihen nga varri ta këndojnë secili nga një herë këngën tonë.
Pastaj, të lehtësuar e të lumtur, të kërrusur e me baltë varri nëpër trup, ndërsa ata do ikin përsëri nga erdhën për të vazhduar gjumin e përjetshëm, ne do mbetemi të mahnitur derisa të na përpijë varri.
ObserverKult
Lexo edhe: